Punonjësja e sigurimit të aeroportit, traumatizon pasagjerët e “Al Italia”-s

557
Sigal

Skandal në aeroportin e Rinasit

Një tjetër skandal mësohet të ketë ndodhur në aeroportin e Rinasit. Pas “luftës” qesharake të punonjësve të policisë me qenin që kishte “pushtuar” pistën, duke lënë pezull avionin e linjës Romë –Tiranë për gjysmë ore, pa kaluar ende 2 javë, numërohet skandali i radhës. Një punonjëse e sigurimit të aeroportit ka alarmuar, duke përhapur panik, udhëtarët e “Al Italia”-s, që sapo kishin zbritur nga avioni të hënën, pak para mesnatës. Porse, kishte rezultuar alarm i rremë, ndërsa pasagjerët e sapozbritur kaluan nja traumë të panevojshme, falë paaftësisë së punonjësve në aeroportin “Nënë Tereza”. “Avioni arrin pak para mesnatës. Njerëzit, shumica gra e fëmijë, shkojnë në kontrollin e pasaportave. Papritmas, nga altoparlanti i aeroportit, brenda në mjediset e saj, dëgjohet zëri i një gruaje, punonjëse e sigurimit të aeroportit, e cila thotë: Pasagjerë! Ka ndodhur një gjë e jashtëzakonshme! Kujdes! Drejtohuni në dyert më të afërta! Në moment, njerëzit shtangin, po pas një minute, lajmi ripërsëritet dhe ripërsëritet. Në moment, njerëzit dynden të alarmuar nga dera më e afërt. Policët gjithashtu. Dhe sërish, pas një minute, kur njerëzit të alarmuar s’dinin ç’të bënin, policët vazhduan punën e tyre, sikur asgjë mos të kishte ndodhur”, shkruan në një nga statuset e saj në Facebook, znj. Sevim Arbana. Por, edhe pse gjithë ky skandal, askush nuk mban përgjegjësi për këtë akt të pashembullt, të ndodhur në aeroportin “Nënë Tereza”, 2 ditë më parë. “Kur kërkohet të mbahet përgjegjësi për këtë akt të jashtëzakonshëm, policia thotë, që ky s’është problemi i aeroportit (pra, i Belinda Ballukut, drejtores së Albcontrol sh.a), pasi ky është dhënë me koncesion(?). O Zot, çfarë vendi! Ajo gruaja, apo kushdo që ka dhënë këtë lajm, s’duhet të jetë më punonjës i këtij institucioni”, shkruan më tej znj. Arbana. Madje, ajo shkon më tej kur thotë se “edhe sikur të kishin informacion për bombë, apo akt terrorist, policia ka rrugë e formë, që ndal panikun”. Ndërkohë, dëshmitarë të këtij skandali të radhës në aeroportin “Nënë Tereza”, janë rreth më shumë se 100 persona, që udhëtonin me “Al Italia”-n. Skandali i radhës në aeroportin e Rinasit veçse përbalt sigurinë ajrore civile në Shqipëri, ndërsa është një këmbanë alarmi për qeverinë shqiptare.