Tony Blair do të jetë këshilltar i Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç

439
Sigal

BEOGRAD – Qeveria e Serbisë ka kontraktuar ish-kryeministrin e Britanisë Tony Blair dhe kompaninë e tij për të ndihmuar dhe për të këshilluar kabinetin e Kryeministrit Aleksandar Vuçiç.

Lajmi bëhet i ditur nga gazeta serbe “Danas” e cila thekson se kostot e këtyre shërbimeve do të paguhen nga fondet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sipas “Danas” zyra e Vuçiç planifikon të krijojë modelin e qeverisjes ‘delivery unit’ që do të përbehet nga ekipe profesioniste të cilat do të jenë përgjegjëse në realizimin e objektivave të ndryshme të kabinetit qeveritar të Vuçiç.

Gazeta shkruan se kjo ishte vendosur gjatë vizitës së Blair në Beograd në qershorin e vitit të kaluar, dhe se tashmë gjithçka po zyrtarizohet.

Ish-Kryeministri britanik Blair është njëkohësisht edhe këshilltar i jashtëm i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.