Bashkimi Europian ka reaguar lidhur me dhënien me koncesion të Portit të Durrësit, për arabët e Emaar Grup. Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero Hernandez, thotë se BE është në dijeni të marrëveshjes së shtetit shqiptar me arabët.
Pisonero, i ka thënë gazetares Erisa Zykaj se BE kërkon nga Shqipëria sqarim për këtë marrëveshje, nëse ajo është në përputhje me marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.
“BE është në dijeni të marrëveshjes së përfunduar në nëntor të vitit të kaluar midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila përfshin një rizhvillim të madh të portit të Durrësit. BE u ka kërkuar autoriteteve shqiptare të japin sqarime në mënyrë që të vlerësojnë pajtueshmërinë e marrëveshjes me marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit midis BE dhe Shqipërisë”, ka thënë zëdhënësja e KE.