Sulm kibernetik disa mediave franceze, Parisi në alarm për sigurinë

395
Sigal

PARIS – Mediat franceze pësuan një sulm kibernetik, teksa një pjesë e tyre kanë dalë jashtë shërbimi. Mes mediave të sulmuara janë “Le parisiene”, “20 minutes”, “Mediapart”, radio “France inter” etj. Më herët në lindje të Parisit pati dhe një alarm për bombë në metronë “LA Gare” duke evakuuar të gjithë zonën, pas gjetjes së një bagazhi të dyshimtë në afërsi të stacionit.
 
Forcat policore vunë nën kontroll të gjithë vendin pas një telefonate anonime që vuri në dukje praninë e pakos së dyshimtë.
 
Situata është marrë përsipër nga Forcat Speciale Kundër Sulmeve Terroriste dhe mësohet se gjendja është normalizuar dhe metroja ka nisur sërish punën, pas pritjes më shumë se një orë të pasagjerëve në ambientet e jashtme të saj.
 
Në një deklaratë për shtyp ministri i Brendshëm Manuel Valls tha se “kërcënimet nuk kanë qenë kurrë kaq të mëdha dhe se shteti islamik mund të jetë në gjendje për të kryer sulme terroriste në Evropë”.
 
Vendi është ende në gjendje alarmi dhe duket se gjendja e emergjencës së sigurisë do të zgjasë ende. Pas operacioneve të shumta policore në arrestimet e militantëve të dyshuar islamikë dhe goditjen e një celule xhihadistës në Belgjikë, ku u vranë dy persona dhe dy të tjerë u arrestuan, janë mbyllur mjaft shkolla hebraike në Bruksel, Anversa dhe Amsterdam, si pika të mundshme shënjestrimi të sulmeve të ISIS. Niveli i alarmit të sigurisë në vend është rritur në maksimum dhe deri më tani bëhet me dije se grupi i terroristëve xhihadistë të goditur në Verviers ishte me origjinë çeçene.