Presidenti Meta: Mazhoranca mos t’u japë mburojë politike kriminelëve, që duan të hyjnë sërish në Parlament

176
Sigal

Në vijim të intervistës, Presidenti Meta, i bëri thirrje mazhorancës që mos t’u japë mburojë politike kriminelëve, që duan të hyjnë sërish në Parlament, por ti japi fund kriminalizimit të politikës dhe të promovohen kandidatë me integritet.

Pjesë nga intervista: 

Pyetje (Dhorjela Çule): Është situatë shqetësuese për shqiptarët, të cilët  përballen me pandeminë dhe infektimin. Shpenzimet për këto përballohen thuajse nga vetë qytetarët, siç e deklaruat dhe ju. Ndërkohë ekonomia është në rënie dhe ka sjellë një impakt të madh të  familjet shqiptare. Por nga ana tjetër ne,  synojnë të jemi një vend europian si gjithë të tjerët pjesë e Bashkimit Europian. Zoti President, a do arrihet kjo një ditë?

Presidenti Meta: Sigurisht që do të arrihet dhe më vjen keq që ju, e vini këtë në diskutim. Ne jemi një vend europian dhe ne duhet të ishim tashmë anëtarë të Bashkimit Europian. Ne kemi qenë shumë përpara Serbisë dhe Malit të Zi përsa i takon integrimit europian, por ne, nuk kemi asnjë shans t’i çelim negociatat para 25 prillit 2021.Ne, nuk po na çelen ende për fajin tonë, jo për faj të Europës. Mali i Zi i ka çelur negociatat që në vitin 2012 dhe Serbia i ka çelur që në vitin 2014. Pra ne, në kohë jemi vendosur shumë më pas atyre, ndërkohë që tashmë duhet të ishim anëtarë të BE. Përse? Ne nuk kemi pasur probleme me Gjykatën Ndërkombëtare, sepse ne nuk ishim pjesë e ish-Jugosllavisë. Ne, nuk kemi pasur probleme siç kishte Maqedonia e Veriut për çështjen e emrit me Greqinë, apo probleme të tjera të pazgjidhura. Ne kemi pasur vetëm problemin e brendshëm të konfliktit artificial politik dhe të vendosjes së interesave personale e politike mbi interesin kombëtar, siç është integrimi europian. Për këtë arsye, tek ne nuk është shfaqur fenomeni i largimit, por i shpopullimit të vendit, sidomos nga të rinjtë.
Sipas statistikave europiane: Nëse sot ikën 1 qytetar serb për 1000 mijë banor, nga Shqipëria ikin 12 shqiptarë. Nëse ikën 1 boshnjak, ikin 18 nga Shqipëria. Nëse ikën 1 qytetar nga  Kosova, ikin më shumë se 4 nga Shqipëria. Si mund të thuhet që nuk është katastrofike largimi i të rinjve? Çfarë është katastrofike për një vend dhe për një komb?
Së dyti, mos të harrojmë se, jo vetëm po ikin qytetarët që janë pa punë, apo që kanë punë jo shumë të preferuara, por po ikin mbi të gjitha qytetarë të mirëarsimuar, të cilët janë në një gjendje të mirë ekonomike dhe kjo kategori po ikin  për shkak të pasigurisë dhe jo ekonomisë, pra të varfërisë. Është e frikshme, që 94% e studentëve, që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen në Shqipëri. Mbi 70% e atyre, që studiojnë këtu duan të ikin jashtë. Ndërsa ata që studiojnë për infermieri dhe mjekësi, për këtë kategori shifrat janë mbi 90%. Ne e dimë, që mungesa e mjekëve dhe infermierëve është tashmë një problem i madh.

Pyetje: Zoti Meta, shqiptarët tashmë janë të përqendruar edhe në një çështje tjetër shqetësuese, zgjedhjet e 25 prillit dhe situata aktuale. Ndërkohë, kemi parë se ka disa thirrje nga ndërkombëtaret për të pastruar listat e kandidatëve. Është një çështje shumë e ndjeshme. Do të doja opinionin tuaj, lidhur me përgjigjen e kryeministrit të dhënë për këtë çështje.. Pra për mënyrën sesa po ndërhyjnë ndërkombëtarët? Dhe si e shikon Qeveria dhe kryeministri ndërhyrjen e tyre?

Presidenti Meta: Nuk ka gjë më të rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë, për ata që jetojnë këtu dhe për ata që jetojnë jashtë, të cilët janë pjesë e shqetësimeve të familjes dhe vendit të tyre, sesa zgjedhjet, që do zhvillohen në 25 prillit. Këto zgjedhje nuk janë të rëndësishme për 4 vite, por për dekadat që do të vijnë. Ato do jenë përcaktuese për rrugëtimin europian të Shqipërisë, për fuqinë e saj si shtet, si shoqëri, si ekonomi. Njëkohësisht, do të jenë dhe një test shumë i rëndësishëm për vlerat europiane të popullit tonë.Shqipëria ka një mijë probleme të mëdha, po dy janë prioritet më të mëdha sot.
E para, shëndeti i qytetarëve, sepse një jetë e humbur nuk rikuperohet dhe kjo çështje kërkon përqendrim maksimal dhe kujdes nga të gjithë.
E dyta, janë zgjedhjet, sepse ato janë përcaktuese për një plan shumë afatgjatë për Shqipërinë.
Kush është burimi i gjithë problemeve madhore të Shqipërisë, sot? Mungesa e legjitimitetit të institucioneve kryesore përfaqësuese dhe qeverisëse. Në radhë të parë e Parlamentit, s’po i hyjmë në detaje po është hera e parë që Shqipëria ka një Parlament formalisht me 122 deputet dhe pa opozitën reale.Kemi probleme me qeverinë, sepse është një qeveri që është akuzuar për çështjet e zgjedhjeve të fundit dhe për të cilat ka një kusht të madh nga ana e Bashkimit Europian, hetimi i dosjeve të Dibrës dhe të Shijakut. Ka një dyshim të fortë dhe të arsyeshëm, që kjo qeveri apo kjo mazhorancë, nuk ka interes për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse çështja e vjedhjes së zgjedhjeve është ngritur prej kohësh. Pa folur këtu për pushtetin lokal dhe për legjitimitetin, që kanë kryebashkiakët e dalë nga këto zgjedhje. Të gjitha këto kanë të bëjnë me problemet e legjitimitetit dhe rivendosja e legjitimitetit në këtë vend, bëhet vetëm nga sovrani dhe nga askush tjetër. Kjo është mundësia e parë pas kaq kohësh që i jepet popullit shqiptar, për të thënë fjalën dhe shprehur vullnetin e tij, mbi Parlamentin, Qeverinë dhe mbi të ardhmen e  institucioneve, që do të qeverisin në këtë vend. Njëkohësisht nga zgjedhjet do të varet shumë edhe rruga që do  të ndjek Shqipëria. Do të jetë rruga europiane apo një rrugë tjetër, që sigurisht nuk ka për ta ndjekur kurrë, që e çon jo vetëm në qorrsokak por edhe në fund të humnerës. Unë në këtë drejtim i jap një rëndësi të jashtëzakonshme këtyre zgjedhjeve, prandaj them që këto  zgjedhje janë referendum. Pse? Sepse duhet që i gjithë populli të shprehë vullnetin për të ardhmen e këtij vendi. Ju shprehët një dilemë tuajën, a do të hyjë një ditë Shqipëria në BE? Për fat të keq ne kemi një kryeministër që thotë se,  ka dhe alternativa të tjera veç anëtarësimit në BE, sepse në vendm që ai të marrë përgjegjësitë e veta për kushtet që diheshin, që janë thënë dhe të cilat nuk janë realizuar, përkundrazi, ai merr përsipër për të armiqësuar shqiptarët me BE. Për çfarë na e ka fajin Bashkimi Europian? Që bëjmë zgjedhje të paligjshme vendore? Sepse duam ta marrim gjithë pushtetin pa zgjedhje vetë, edhe t’i numërojmë votat vetë dhe të kemi qeverisjen në të gjithë Këshillat Bashkiak.

Për çfarë na e ka fajin BE? Sepse duhet të shkelim çdo ditë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që ka në themel të saj jo vetëm të drejtat dhe liritë politike dhe funksionimin e shtetit ligjor, të drejtat e njeriut, të drejtën e pronës  dhe respektimin e saj. Por, duam të pasurojmë disa oligarkë me koncesione, me tjetërsim pronash  dhe  me  shumë manovra të tilla, të cilat cenojnë rëndë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe interesin publik. Prandaj, për të gjitha këto populli shqiptarë duhet të shprehet dhe unë jam shumë i bindur që,  do të shprehet në 25 prill. Për çështjen e emrave të listave të partive, kjo është një çështje që i takon partive për të treguar vullnetin e tyre që t’i japin fund kriminalizimit politik. Ligj i dekriminalizimit u bë, sepse u evidentua që kishte kriminalizim, u evidentua që kishte deputet me tre apo katër emra dhe që ishin në kërkim. U vërtetua që kishte Kryetar Bashkish me pesë dhe gjashtë emra, apo jo? Të cilët kishin problemet  e tyre dhe u vërtetua që këta ishin aty, për interesin e tyre  dhe  jo të qytetarit. Kështu që është e rëndësishme të mos  reagohet me kokëfortësi, dhe të mos u jepet mbrojtje politike këtyre individëve. Por, të respektohet qytetarët shqiptarë, në atë që ata meritojnë. Qytetarët meritojnë të përfaqësohen nga kandidatë me integritet dhe me vlera intelektuale dhe jo me ata që vijnë nga radhët e të ‘fortëve’, apo vetëm të biznesmenëve, dhe këta kryesisht gjithmonë të lidhur me pushtetin apo politikën.