Në ceremoninë e 100 vjetorit të Luftës së Vlorës, Presidenti i Republikës, Ilir Meta thekson se Zot i këtij vendi dhe sovraniteti në këtë tokë i përket vetëm popullit shqiptar.
Sipas kreut të shtetit, ata që luftuan në këtë luftë lanë si trashëgimi mesazhin e përjetshëm se në vendin e shqiponjave lindin gjithmonë shqiponja që do e mbrojnë kurdoherë Shqipërinë.
Pjesë nga fjala e Metës:
Zot i këtij vendi dhe sovraniteti në këtë tokë i përket vetëm popullit shqiptar! Këtë e dëshmoi 100 vite më parë edhe Lufta Kombëtare e Vlorës, simboli i qëndresës së popullit tonë ndaj çdo projekti sundues, model i reagimit të vetëdijes atdhetare të shqiptarëve që marrin në dorë fatet e veta në momentet më kritike të kombit dhe Shqipërisë!
Për këtë arsye Lufta e lavdishme e Vlorës mbetet edhe sot një krenari historike dhe një ngjarje vendimtare për pavarësinë e Shqipërisë.
Nga “Sheshi i Flamurit”, zemra e Vlorës që rreh vetëm Kuq e Zi, pata privilegjin të nderoja sot me mirënjohje të thellë disa nga patriotët, trimat dhe kapedanët që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, të cilët na kanë lënë si trashëgimi mesazhin e përjetshëm, që vleu një shekull më parë, vlen ende sot e në të ardhmen, se në vendin e shqiponjave lindin gjithmonë shqiponja që do e mbrojnë kurdoherë Shqipërinë, Atdheun tonë.
![](https://scontent-sof1-1.xx.fbcdn.net/v/t1.0-9/118701252_3312915422088041_5488374676335468689_n.jpg?_nc_cat=110&_nc_sid=8bfeb9&_nc_ohc=kEeBUTZV4jkAX-QqvRf&_nc_ht=scontent-sof1-1.xx&oh=1622615324931d437cbff4e34e6a4baa&oe=5F73C5C5)