Edi Rama: Kodi i Ri Doganor, qasja e re e shtetit ndaj biznesit

491
Sigal

Kryeministri Edi Rama, e cilësoi dje Kodin e Ri Doganor, si qasjen e re të shtetit ndaj sipërmarrjes dhe hap të shumëpritur nga eksportuesit dhe importuesit. Duke folur në ceremoninë që u zhvillua në Doganën e qytetit të Durrësit, ku u bë prezantimi i rregullatorit të ri të sistemit doganor, Rama tha se: “Falë këtij Kodi, do kalohet nga një epokë, ku biznesi është parë si burim të ardhurash të nxjerra me doemos, me hir e pa hir, në një epokë ku biznesi do trajtohet si partner strategjik”. Sipas Ramës, ky dokument vjen si produkt i njehsimit të Kodit të Ri të Bashkimit Europian me Kodin Doganor të Shqipërisë, çka do të sjellë një transformim rrënjësor, por që kërkon një sërë masash dhe politikash të reja në mënyrë që të bëhet e mundur që nga 1 Janari i vitit të ardhshëm, marrëdhënia e doganave me biznesin, të funksionojë mbi këtë kod. Nisma e re, e cila siç tha Rama, është një risi edhe për disa prej vendeve anëtare të BE-së, përbën një sfidë të fortë për vet qeverinë, sidomos sa i përket përgatitjes së personelit doganor, por edha atij tatimor dhe çdo strukture tjetër në marrëdhënie me sipërmarrjen. “Kodi i Ri Doganor është edhe një sfidë kulturore për shtetin. Është sfida e ndryshimit në themel të kulturës, sjelljes dhe marrëdhënieve të punonjësit të administratës me sipërmarrjen”,-theksoi Kryeministri, ndërsa bëri të ditur se ajo pjesë e administratës, marrëdhënia e së cilës është e lidhur me sipërmarrjen, do t’i nënshtrohet trajnimit dhe shkollimit. Ndërkohë, Edi Rama pritet të zhvillojë sot një vizitë në Pejë, Kosovë, i ftuar nga biznesmenë kosovarë. Aleanca Kosovare e Bizneseve ( AKB) dhe ELKOS Group njoftoi se takimi me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, do të mbahet të shtunën, më 22 Mars, në orën 15:30-18:00, në  Pejë”. Vizita e kryeministrit Rama në Pejë saktësohet edhe nga zyra për shtyp e Kryeministrisë, e cila bën të ditur se fillimisht, Kryeministri do të ndalet për të vizituar dy sipërmarrje dhe më pas do të  marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët mbi bashkëpunimin ekonomik Shqipëri-Kosovë.