Pazaret dhe emërimet nepotike irritojnë bazën e së Majtës

438
Sigal

Nga 28 emërime, vetëm 4 me konkurs e 5 drejtorë janë në profesionet e tyre. Shumë militantë të PD-së morën teserat e Rilindjes për drejtorllëk. Irritohet baza e majtë.

Militantë dhe jashtë profesionit, njerëz të përfolur me diploma false apo të blera, inxhinier që drejton spitalet, mjek që drejton Shërbimin Pyjor, drejtues apo militant të PD-së deri në zgjedhjet e fundit parlamentare që braktisën të djathtën e morën teserat e PS e LSI për drejtorllëk dhe irritim i bazës e specialistëve të aftë të së majtës!!!

Kjo është situate në Korçë pas emërimeve skandaloze të drejtorëve e funksionarëve të lartë lokal të qeverisjes së Rilindjes. Kështu, nga 28 drejtorë të emëruar (19 nga PS e 9 nga LSI), vetëm 3 apo 4 janë emëruar në bazë të konkurseve….
SKANDALET NË EMËRIME
Shihni se çfarë ndodh në Korçë. Nga afro 28 emërime drejtorësh (19 nga PS dhe 9 nga LSI), vetëm 3 ose 4 janë bërë me konkurs. LSI ka bërë emërimet e saj në kohë rekord brenda 2-3 muajsh. Nga të gjitha emërimet e bëra, vetëm 4 ose 5 drejtorë, përputhen me natyrën e punës, ku drejtojnë. Tetëmbëdhjetë drejtorë të emëruar, nuk janë ulur asnjëherë në karrigen e drejtorit, kjo jo për arsye të moshës, pasi rreth 70 për qind e tyre janë të moshës mbi 50 vjeç. Mbi 90 për qind të emëruarve drejtorë nga PS, kanë qenë të punësuar, shumica e të cilëve vinë nga Bashkia e Korçës . E çuditshme, por 17 drejtorë nuk kanë pasur asnjë kontribut në PS apo në LSI. Deri në 22 Qershor kanë qenë anëtarë aktivë të PD- së. Kjo do të ishte normale në qoftë se këta persona do të kishin nivel profesional të mirë apo performancë të dukshme në fushat, ku punojnë, por ndodh e kundërta krahasuar me burimet njerëzore e intelektuale që ka sot Korça e në veçanti PS-ja. Niveli i tyre është shumë i ulët e nën mesatar. Madje, për 4-5 drejtorë flitet se janë të padiplomuar dhe zotërojnë diploma false apo të blera. Korça i përflet këta persona dhe i njeh mirë. Shihni ju lutem, a mund të realizohen reformat që ka ndërmarrë qeveria Rama me këta drejtorë, nga drejtori i arsimit emërohet drejtor në Gjuhët e Huaja një person i thirrur nga emigracioni “Greqi”, sikur nuk kishte Korça mësues të tjerë e në të njejtën kohë nuk bëhet reforma me drejtorët e tjerë të cilët janë akuzuar për detyrim të mësuesve për të marrë pjesë në mitingjet e PD-së. Kur një inxhinier elektrik drejton spitalin, një punonjëse sociale drejton shpërndarjen e energjisë elektrike në Zemlak, një mjek drejton pyjet, një inxhinier miniere drejton bujqësinë, një arsimtar drejton sigurimet shoqërore, rezervat e shtetit apo rrugët nacionale. Apo drejtorët që drejtojnë bordin e kullimit apo zyrën e punës, që as vetë ata nuk e dinë nga vijnë. Për sa i përket entit kombëtar të banesave, statistikat, ujësjellësi fshat e ndonjë drejtori tjetër, drejtuesit e tyre u konvertuan nga PD-istë ekstremistë në Socialistë 24 karat. Po të shohësh drejtorët e drejtorive në Bashkinë Korçë, ata gati që të gjitha drejtohen nga persona të besimit ortodoks. A i përgjigjen këto raporte strukturës së popullsisë në Korçë, parë kjo në shumë aspekte të tjera? Të gjitha, sa më sipër kanë ndodhur pasi emërimet janë lënë në dorën e 2 apo 3 personave që nuk i njohin socialistët e aftësitë e tyre. Shumicës së socialistëve u ka sosur durimi, pasi me ditë të tëra mblidhen dhe presin pranë selisë së PS-së, ku para pak kohësh merrnin përgjigjen standarde: “Të gjitha këto do të rregullohen, por do të prisni pak”, kur nga ana tjetër vihen re vendosje në punë të personave të afërm me pushtetarët, apo po rrallohen gjithnjë e më tepër edhe pritjet në PS?
SITUATA
Nuk do të ndodhnin kurrë këto emërime të tilla në asnjë vend normal e aq më pak në Korçë, kur nuk mungojnë specialistët e aftë, të cilët sorollaten rrugëve dhe ndihen të fyer. Ndjehen të fyer jo vetëm për këto emërime skandaloze, por dhe të injoruar tërësisht nga PS-ja, e cila nuk po i mbledh strukturat e saj në të gjitha nivelet prej më shumë se 5 muajsh, pasi kanë frikën e ballafaqimit me anëtarësinë. Së fundi besoj se emërime të këtij lloji, nuk kanë ekzistuar në këto përmasa as në këto dy dekada e më shumë qeverisje. Kësaj i thonë çorganizim i organizuar i të gjitha institucioneve, gjë që ka sjellë apati të plotë të funksionimit të tyre e ulje totale të performancës. Kjo administratë e korruptuar e mëparshme mbushur plot me militantë e demokratë, që çuditërisht tani thuhen fjalë të mira nga të emëruarit drejtorë, pritet të realizojë reforma të qeverisë!!??

DISA NGA SKANDALET NË EMËRIME

-Drejtor i Peshëmatje’Kalibrimit emërohet M.M., ish-ushtarak
-Drejtor i Shërbimit të Transportit, zoti Guri, një ish-ushtarak
-Drejtor i spitalit, z. Pandi, inxhinier elektrik
-Drejtor i Shërbimeve Sociale zonja M.L., arsimtare e ciklit të ulët
-Drejtor i Arkivit zonja A., arsimtare e ciklit të ulët
-Drejtor i Bujqësisë emërohet inxhinier i minierave zoti A. M.
-Drejtor i Sigurimeve Shoqërore, emërohet zonja A.V., mësuese
-Drejtor i Rrugëve nacionale emërohet shoku G.S, mësues.
-Drejtor i Rezervave emërohet mësuesi A.K.
-Drejtor i Shërbimit Pyjor emërohet zoti A.B., me profesion mjek.
-Drejtor në elektrik emërohet një inxhinier ndërtimi…
-Drejtor në stacionin e shpërndarjes së energjisë Zemlak, emërohet një punonjëse sociale.