Mazrkeaj shënoi një eurogol për të kuqtë, barazoi Vukçevic. Partizani e mbyll me 10 lojtarë
Nuk ka fitues në “Loro Boriçi”, Vllaznia dhe Partizani barazuan 1-1 në kryendeshjen e javës së 20 të Kategorisë Superiore, por m Partizanin që luajti nga minuta e 63-të me dhjetë lojtarë. Një pikë e marrë në Shkodër, që e mbajti në vendin e dytë Partizanin, por tashmë me dhjetë pikë më pak se Skënderbeu i vendit të parë. Një ndeshje me shumë grintë, si në fushë ashtu edhe në shkallët e stadiumit të mbushur si rrallëherë ne këtë sezon zhgënjyes ku kuqeblutë rrezikojnë rënien nga kategoria. Sfida nisi shumë e luftuar, dhe ajo çka binte në sy në minutat e para ishte loja e ashpër e të dyja skuadrave. Megjithatë pavarësisht se Vllaznia kishte më shumë nevojë për pikë, ishte Partizani ai që kishte një marsh më shumë në këtë sfidë. Në minutën 36-të, Migen Memelli provoi nga distanca por goditja e tij preku vetëm rrjetën e jashtme. Në të 39’, të kuqtë patën një tjetër mundësi të mirë me Besnik Krasniqin por gjuajtja e tij përfundoi jashtë. Dominimi i Partizanit vazhdoi edhe në pjesën e dytë. Disa sekonda nga starti i këtij fraksioni ishte sërish Besnik Krasniqi ai që mund të shënonte, megjithatë nuk ndodhi kështu pasi tentativa e tij me kokë përfundoi disa centimetra jashtë kuadratit. Në minutën e 63-të ndeshja u ndërlikua për Partizanin, pasi Labinot Ibrahimi pas një faulli që shkaktoi ndaj Shtubinës mori kartonin e dytë të verdhë duke lënë kryeqytetasit me 10 vetë. Megjithatë një karton i kuq, ku që nuk e demoralizoi aspak Partizanin që edhe me 10 lojtarë vazhdoi dominimin e sfidës. Goli i shumëpritur për tifozët e demave të kuq erdhi në minutën e 70. Ishte fillimisht Memelli ai që kërkoi të shmangte gjithë mbrojtjen e Vllaznisë, por nuk ja doli, megjithatë, topi i larguar nga mbrojtësit shkodranë përfundoi në këmbët e Mentor Mazrekaj, i cili me një goditje të bukur nga distanca kaloi Partizanin në avantazh. Gjithsesi në minutat më pas, Vllaznia që deri në këto moment nuk kishte bërë asgjë në këtë sfidë filloi të shikonte më shumë drejt portës së Partizanit. Nuk vonoi shumë dhe shkodranët barazuan rezultatin, pasi në të 78 Vukcevic goditi saktë brenda zone. Pas golit të barazimit ndeshja do të fliste vetëm për shkodranët. Në minutat e fundit ekipi i Agim Canaj pati disa raste të mira por nuk mundi të shënonte. Goditja e Dibrës në të 86 u prit në mënyrë të shkëlqyer nga portieri Alban Hoxha, ndërsa dy tentativat e Krajës në minutat shtesë ishin të pasakta. Ndërkohë, dy minutat e fundit është momenti i Krajës, i cili fillimisht merr një top dy metra larg portës, por nuk arrin të koordinohet dhe të gjuajë, duke shpërdoruar një mundësi të artë shënimi. Ndërkohë, në minutën e fundit të ndeshjes, është sërish mbrojtësi që shpërdoron një mundësi të artë, teksa pas një topi të dhënë me kokë nga Hajdari, i vetëm me portierin gjuan mbi kuadrat, duke humbur një rast për ti dhënë trepikëshin Vllaznisë. Me këtë barazim, Vllaznia humbet sërish terren, dhe tani e shikon veten të rrezikuar seriozisht. Ndërkohë, mund të quhet provë pozitive ajo e Partizanit, i cili morri një pikë në një fushë të vështirë si ajo e Shkodrës dhe tani pret në shtëpi kampionët. Më këtë barazim Vllaznia ngjitet në vendin e 8 të klasifikimit me pikë të barabarta me Bylisin, ndërsa Partizani ndan së bashku me Laçin me nga 31 pikë.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA XX
Vllaznia- Partizani 1-1
Stadiumi “Loro Boriçi”, Ora 13:00
Shënues: Vukçeviç 78’ / Mazrekaj 69’
Vllaznia: Vujadinoviç, Gocaj, Vukçeviç, Boci, Kraja, Tafili (Shtubina 62’), Bardulla (Nikoliç 77’), Kruja (Dibra 77’), Sykaj, Bushiç, Hajdari. Trajner: Agim Canaj
Partizani: Hoxha, B. Krasniqi, G. Krasniqi, Rrahmani, Ibrahimi, Antanasijeviç, Murati, Demiri (Oladele 90’), Dunkoviç (Nexhipi 60’), Mazrekaj, Memelli (Hyshmeri 77’). Trajner: Marcio Sampaio
Gjyqtarë: Remzi Sadiku, E. Demiraj, O. Grabova
Kartonë të kuq: Ibrahimi (2V)
Partizani, i pafat ndaj Vllaznisë në këtë sezon
Në këtë sezon Vllaznia dhe Partizani janë përballur katër herë midis tyre: dy herë në kampionat dhe po aq herë në Kupën e Shqipërisë. Ajo e ka vijuar traditën, duke ruajtur kështu supremacinë që zgjat mbi dy dekada. Kujtojmë që në javën e 9-të shkodranët fituan në kryeqytet me shifrat e ngushta 0-1. Një gol i Ndriçim Shtubinës në startin e pjesës së dytë të takimit i dha Vllaznisë një trepikësh me mjaft vlerë. Pas asaj përballje, të gjithë prisnin ngjitjen e shkodranëve dhe rëndimin e situatës së të kuqve në renditje. Mirëpo, kur janë luajtur 20 javë, Partizani është pa dyshim në kushte më komode. Megjithatë, shkodranët i kanë shkaktuar një goditje të rëndë për këtë sezon Partizanit, pasi e eliminuan edhe nga kupa. Ndeshja e parë u mbyll 0-0 në “Qemal Stafa”, ndërsa ajo e kthimit u vendos në shtesë, teksa goli i Alsid Tafili eliminoi Partizanin. Takimi i djeshëm, ishte i katërti midis dy ekipeve, i mbyllur në barazim 1-1.
KATËR NDESHJET E KËTIJ SEZONI
PËR KAMPIONAT
Partizani-Vllaznia 0-1
Vllaznia-Partizani 1-1
PËR KUPË
Partizani-Vllaznia 0-0
Vllaznia-Partizani 1-0
Tifozët shkodranë fyejnë Memellin
Në momentin e zëvendësimit të tij, Migen Memelli është kontestuar fuqishëm nga tifozët shkodranë të pranishëm në “Loro Boriçi”. Pogradecari ka provokuar me gjeste të ndryshme tifozët kuqeblu, të cilët i janë përgjigjur në një mënyrë jo dhe aq të këndshme sulmuesit të Partizanit, duke e ofenduar atë në kor. Memelli i la vendin në fushë Hyshmerit, ndërsa në momentin e largimit të tij Vllaznia shënoi golin e barazimit.
Bardheblutë mposhtën 2-1 kavajasit dhe tani janë në vendin e dhjetë. Shpresa të forta për mbijetesë
Super Tirana arrin fitoren e tretë radhazi
Tirana mposhti 2-1 Besën e Kavajës në “Qemal Stafa”, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 20-të të Kategorisë Superiore, duke regjistruar kështu fitoren e tretë rresht. Tirana e vitit 2014 është në kontrast të plotë me atë të 2013-ës, duke dhënë sinjale të forta për mbijetesë në Superligë. Nëntë pikë në tri ndeshje janë mesazhi më i mirë që u kanë dhënë tifozëve trajneri Gugash Magani dhe lojtarët, e sidomos blerjet dimërore. Ndeshja nis me një ritëm të lartë ku dhe atmosfera e krijuar nga tifozët e Tiranës i jep një pamje tjetër kësaj sfide. Në minutat e para ka qenë Tirana ajo që ka qenë më shumë kërkuese dhe duke u afruar më shumë portës së Bejtes. Atëherë kur nuk pritej është mesfushori i Besës, Celhaka që lëshon një predhë nga një distancë rreth 30 metra duke shënuar një gol fantastik dhe duke bërë të heshtë “Qemal Stafën”. Goli u shënua në min e 13-të, por festa e Besës nuk zgjati më shumë se pesë minuta, pasi në harkun e tetë minutave Tirana do të arrijë të përmbysë rezultatin me dy gola shumë të bukur. Ai që shënon golin e parë për Tiranën është braziliani Gilberto, i cili shfrytëzon një pasim nga Selemani dhe kontrollon bukur topin më pas duke shënuar. Vetëm 3 minuta më vonë është Kërçiku ai që çon shifrat në 2-1. Minutat e mbetura kalojnë qetësisht por është përsëri Tirana ajo qe qëndron më afër portës të kundërshtarit. Pjesa e dytë ishte shumë e ngarkuar emocionialisht, me disa raste të mira për të shënuar, por rezultati mbeti i pandryshuar. Tirana tashmë ndodhet në vendin e 10-të me 22 pikë, po aq sa Lushnja, duke pasur një pikë shumë se Kastrioti (21).
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA XX
Të shtunën, 22 mars
Laçi-Teuta 2-1
Lushnja-Bylis 2-0
Kukësi-Flamurtari 3-2
Skënderbeu-Kastrioti 2-0
Të dielën, 23 mars
Vllaznia-Partizani 1-1
Tirana-Besa 2-1
1 Skënderbeu 20 +15 41
2 Laçi 20 +4 31
3 Partizani 20 +4 31
4 Kukësi 20 +0 30
5 Teuta 20 +3 29
6 Besa 20 +1 28
7 Flamurtari 20 +0 26
8 Vllaznia 20 -1 23
9 Bylis 20 -1 23
10 Tirana 20 -8 22
11 Lushnja 20 -10 22
12 Kastrioti 20 -7 21
Titulli vendoset në Korçë
Edhe pse duhen edhe dy ndeshje nga përfundimi i fazës së dytë dhe përcaktimit të pozicionimit të skuadrave, sipas renditjes përfundimtare në përfundim të dy fazave, të paktën një gjë është e sigurt, se Skënderbeu është numri 1 për hedhjen e shortit të fazës së tretë. Korçarët, me 41 pikë pas 20 javëve, kanë aktualisht +10 pikë nga vendi i dytë, që aktualisht mbahet nga Laçi e Partizani, secili nga 31 pikë. Kështu, që ndeshja e javës së fundit, ajo e javës së 33-të, do të luhet në Korçë, pasi sipas skemës së paracaktuar, luajnë ekipet që renditen në vendet 1-2 në përfundim të fazës së dytë.
Ergys Kaçe shënon për PAOK-un
Ergys Kaçe shënoi një gol të bukur në fitoren 3-0 të PAOK-ut ndaj Panthraikosit në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të të kampionatit grek. Mesfushori i Kombëtares shqiptare realizoi në minutën e 62-të, përpara se Vukiç të realizonte një dopjetë brenda dy minutash: 85’ dhe 86’. Me këtë fitore, PAOK-u konsolidoi vendin e dytë me 54 pikë, 20 më pak se Olimpiakosi i Pireut që mban vendin e parë.


















