Parajsa fshihet nën rason e priftit

480
Sigal

Nga Agron MEMA

Po, është mëse e vërtetë që parajsa fshihet nën rason e priftit. (Ndoshta edhe nën çallmë të hoxhës, por denoncimi na ka ardhur për priftërinj). Ka ndodhur në fshatrat e minortitetit grek në Shqipëri, në bashkinë e Finiqit ky denoncim qytetar, por në këtë shkrim nuk do merremi me emrat. Do të merremi thjeshtë me fenomenin. Këtë popull e rropën nga të gjitha anët, e lanë lakuriq në mes acarit dhe dëborës. Dhe nuk mjaftojnë qeveritarët, institucionet shtetërore e private, por tani dhe shërbestarët e Zotit. Thonë se kur vdes shpirti shkëputet nga trupi dhe fluturon në Parajsë ose Ziftin e zi të Ferrit. Kjo nga sjelljet dhe mëkatet e të ndjerit përsëgjalli. Korrupsion quhet një monedhë sado vlerë të ketë që u merret qytetarëve nga funksionarët e shtetit, madje dhe dënohen kur denoncimi provohet. Po këtë që bëjnë priftërinjtë si t’a quajmë? Ja ç’ka ndodhur për të hyrë në temë. Në një fshat të minoritetit vdiq një njeri. Ndërroi jetë dhe u përcoll për në banesën e fundit pa ceremoni të mëdha nga ligji i Pandemisë. Vetëm dy familjarë e përcollën për në varreza. Por përshpirtjen ja bënë tre priftërinj?!. Më shumë njerëz të Zotit se familjar. U dhanë pas drekës familjarët nga 60 euro secilit për mundimin e përshpirtjes që i ndjeri të prehej në Parajsë. Kaluan ditët dhe sipas zakonit e traditës erdhën përkujtimet e të dyzetave për të ndjerin. Përsëri ceremonia me pak familjarë e më me shumë priftërinj. Erdhën të tre. Në fund kërkuan nga 100 euro secili. Pas debateve, panë ç’panë të afërmit , u dhanë paratë dhe priftërinjtë u larguan duke u dhënë shpresën se tani shpirti i të ndjerit vërtetë do të prehej në Parajsë. Këtë popull e gjeti belaja, hall i gjallë e risk i vdekur për të gjallët. Mesa duket Zoti nuk njeh kufij, raca e kombësi; është një për të gjithë. Ndaj dhe priftërinjtë nuk njohin asnjë monedhë përveç euros, as dollar se ka kurs më të vogël kambizmi. Njerëzit, komuniteti mbarë, nëpërmjet denoncimit të këtij fakti grabitqar, pyesin se a marrin pagë priftërinjtë nga shërbesa që kryejnë, dhe pse paguhen kur i paguan njerëzia? Janë shërbëtor të Zotit apo grabitës në emër të Zotit?!

Apo mbjellin frymën e frikës për përfitime?!

Ndryshe kur t’i japin vet diçka dhuratë nga kënaqësia dhe ndryshe kur fyen, trëm e mallkon për para. A i di këto Fortlumturia e Tij Kryepeshkopi Anastas?. Mund t’u duket si një shkrim ateist, por jo, nuk është i tillë. Madje në respekt të Religjionit për t’a mbrojtur nga këta delenxhinj, matrapazë, hileqar e abuzues me Fjalën e Shenjt. Mjaft ke këto forma manipulimi dhe përfitimi, njerëzit nuk durojnë më.