Sherri ne Gjirokastër, krerët e PS-së fshehin ngjarjen dhe mbyllin telefonat

523
Sigal

Kryetari i PS-së të Qarkut të Gjirokastrës u fsheh nga socialistët e Cepos, ndërsa ka kurajon  të përgënjeshtrojë

Kupola e PS-së në Gjirokastër është përfshirë në disa raunde boksi, por krerët e saj, në vend që të reflektojnë për defektet e rënda të punës së tyre, ata kërkojnë t’ua hedhin fajin të tjerëve. Në këtë mënyrë, dega e PS-së, në qytetin jugor ka treguar javën e kaluar plasaritje të rënda në drejtimin dhe organizimin e punës së vet. Në vend, që të shpërndajnë platformën, ata i kanë drejtuar grushtet njëri-tjetrin, duke i kthyer mbledhjet e partisë, në seanca boksi. Pas përleshjes, disa prej të pranishëmve kanë pësuar dëmtime të rënda, por kryesia e partisë përpiqet të mbajë sekrete, ngjarjen, duke e shpërndarë përgjegjësinë.

Gazeta “Telegraf” dje botoi reportazhin “ Armë dhe dhunë fizike në sherrin që gatoi Anastas Angjeli me socialistët e Gjirokastrës”. Përshkroi, me saktësi të dhënat e dëshmitarëve gjithë sherrin dhe dhunën fizike midis grupeve rivale të socialistëve, deri në nxjerrjen e pistoletave nga Policia Bashkiake e Gjirokastrës, që përbënte eskortën e Kryetarit të Bashkisë, Flamur Bime. Madje, për të zbatuar dhe parimin e barazisë e të drejtën e shprehjes të të gjitha palëve, u mundua të kontaktonte edhe me zotin Anastas Angjeli, por zoti Angjeli nuk deshi të përgjigjej. Dhe e kuptojmë, derisa të vërtetën nuk mund ta përballojë, detyrimisht, që do të heshtë. Mirëpo, Kryetari i PS-së për Qarkun e Gjirokastrës, Florian Hysi, ka shkruar në profilin e vet në Facebook, këto rreshta. “Sa keq kur shpifin dhe thonë të pavërteta . Turp dhe turp dhe shumë turp për këdo që paska marrë përsipër të bëjë lajm duke shpifur! Mirënjohje dhe falënderim për ata qindra socialistë të komunës Cepo për mbështetjen dhe pjesëmarrjen e jashtëzakonshme në takim. Turp për këdo që shpif, gjithsesi nuk janë shumë ditë, janë shumë pak! Do jemi sërish në Cepo për pak ditë dhe le të vinë dhe ata gazetarë që prodhojnë shpifje. Po janë guximtarë për të thënë të vërtetën le të vijnë!”. Gazeta  kontaktoi me zotin Flamur Bime, por ai iu shmang pyetjeve tona direkte, duke mbyllur telefonin.  Ndërkaq, nga komunikimi me zotin Florian Hysi, mësuam se e gjithë kupola rozë në Gjirokastër është krejtësisht e pasinqertë, duke mohuar ngjarjen dhe sidomos, goditjet me grushte. Por dëshmitarët thonë të kundërtën. Frederik Saraçi, një socialist nga Picari, ka dëshmuar se, Kryetari i PS-së për Qarkun e Gjirokastrës, Florian Hysi nuk guxoi të vinte në mbledhjen e Cepos, sepse u tremb të konfrontohej, pasi e dinte që socialistët e Cepos, nuk pranonin intrigat e Flamur Bimes, duke shkarkuar me sms Kryetarin e  PS-së, Hodo Canin dhe emëroi njeriun e tij”, Shpëtim Novin. Kur e pyetëm për këtë, Kryetarin Florian Hysi, nuk guxoi të jepte përgjigje, sepse nuk mund ballafaqohet me të vërtetën. Ju, zoti Hysi, thatë gjysmën e së vërtetës, kur i pohuat “Telegraf” se, Anastas Angjeli vajti në Cepo si i deleguar i Asamblesë Kombëtare të PS-së. Por, kur herë tjetër, ndonjë i deleguar i Asamblesë Kombëtare të PS-së, ka vajtur i deleguar në ndonjë komunë? Ju gënjeni, zoti Hysi, kur mundoheni të fshihni realitetin që ju vetë gatuani, duke prezantuar kudo Anastas Angjelin si kandidatin për deputet, ndërkohë, kur PS-ja nuk ka asnjë listë të tillë. A nuk ishit edhe ju i pranishëm, në takimin e Angjelit me studentët në Gjirokastër, në prezantimin e librit të tij dhe ku Angjeli u (vet)prezantua si kandidat për deputet dhe madje, si i pari i listës? Edhe në Cepo, Angjeli u prezantua si kandidati për deputet, por, ju, zoti Hysi, nuk keni kurajo të pranoni të vërtetat, ndërkohë kur shkruani për shpifje, për ata që guxojnë e thonë të vërtetat. Cili është misioni juaj, zoti Kryetari i PS-së i Qarkut të Gjirokastrës? Të bëheni marionetë e prapaskenave të Anastas Angjelit dhe të futni në sherr socialistët e vërtetë? Ja dëshmia e Frederik Saraçit, dëshmitar i sherreve të socialistëve në Cepo. “Plani i Flamurit dhe i Anastas Angjelit, krijoi gjithë sherrin e socialistëve në Cepo. Flamuri donte që me çdo kusht të diktonte mbledhjen, ndaj solli 20 policë bashkiakë me në krye vëllanë e tij, Ziniun. Policët bashkiakë rrethuan  godinën, ku do të zhvillohej mbledhja e socialistëve në Cepo për 3 orë. Flamuri kudo që shkon, thotë që urdhrat do t’i merrni vetëm nga unë, se vetëm unë komunikoj me deputetët dhe me Kryetarin e PS-së. Florian Hysi, si kryetari i PS-së të Qarkut të Gjirokastrës nuk erdhi fare, sepse u tremb që të konfrontohej. Anastas Angjeli u shpall që është kandidat, i pari në listë, dhe i dyti, siç thotë Flamuri, është vetë ai. Dhunën e ushtruan vetë policët bashkiakë të Flamurit, mbi socialistët që nuk pranuan të merrte pjesë në mbledhje Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime.” Ata nxorën edhe pistoletat, për të trembur socialistët që kundërshtonin, se asnjë tjetër, nuk kishte armë.