Dje shoqata atdhetare-kulturore “Mallakastra” organizoi në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar një mbledhje përkujtimore me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Mehmet Shehut. Në mbledhje morën pjesë ish-partizanë të Brigadës së Parë Sulmuese, veteranë të Luftës Antifashiste, ushtarakë etj. Ndodheshin ish-ministrat e Mbrojtjes Kiço Mustaqi dhe Sabit Brokaj, Kryetari i Komitëtit Kombëtar të Veteranëve të Luftës, Rustem Peçi, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi e të tjerë. Oratorët që e morën fjalën si Xhevdet Shehu, Av. Idajet Beqiri, Qani Duraj, Prof. Dr. Fatos Klosi, Artisti i Popullit Luftar Pajo, Prof. Dr. Shahin Leka, Jonuz Begaj, Xhaferr Peçi, Kiço Mustaqi e të tjerë vunë në dukje meritat dhe kontributin e Mehmet Shehut si luftëtar i Spanjës, udhëheqës i Luftës Antifashiste dhe si burrë shteti. Mehmet Shehu ka qenë Kryeministri më jetëgjatë në detyrë I historisë së shtetit shqiptar për 27 vjet me radhë. Oratorët vunë në dukje se Mallakastra është një krahinë me kontribut të spikatur në historinë e luftrave për liri e pavarësi si dhe në shtetformimin dhe ndërtimin e shtëtit shqiptar që nga Rrapo Hekali e deri tek Kolonel Myslim Pasha. Në këtë kuadër nderuan dje një bir të Mallakastrës, një vullnetar të madh të luftës së Spanjës, një udhëheqës të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe heroin e Luftës së Dytë Botërore, Gjeneralin e famshëm dhe Kryeministrin Mehmet Shehun. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me nostalgji për një kohë të caktuar, por për një shikim realist të historisë dhe personaliteve të saj. Ne vërtetë jetojmë në një kohë tranzicioni dhe paradoksesh dhe shumë gjëra ende nuk janë në vendin e duhur. Për shembull, e ashtuquajtura Tablo Sinoptike e Enver Hoxhës pas vrasjes së Mehmetit, sot vërtet i ngjet një përralle që nuk e beson kurrëkush. Oratorët theksuan se në të vërtetë ajo tablo nuk u besua as kur ishte gjallë Enveri, por faktet që kanë dalë më pas i kanë rrëzuar të gjitha hipotezat dhe akuzat që i bëri Enveri pas eliminimit krahut të djathtë të tij dhe numrit dy të shtetit. Koha ka vërtetuar se Mehmet Shehu ka qenë dhe mbetet një nga figurat e mëdha të historisë sonë kombëtare gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, ai ka kontributin e tij të pamohueshëm në luftën për çlirim dhe si burrë shteti. Si të tillë jemi mbledhur ta nderojmë sot. Oratorët thanë se Mehmet Shehun mund ta nderojmë si heroin e Luftës së Spanjës, dhe kjo do të ishte plotësisht e mjaftueshme. Mund ta nderojmë si ushtarakun më të lavdishëm të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si komandantin e Brigadës së Parë dhe gjeneralin që udhëhoqi çlirimin e kryeqytetit dhe kjo sërish do të ishte plotësisht e mjaftueshme. Por dje u nderua edhe burri i shtetit dhe Kryeministri për 27 vjet i Shqipërisë dhe kjo është sërish një arsye më shumë për mbledhjen e djeshme përkujtimore. Mehmet Shehu u nda nga jeta 31 vjet më parë, më 17 dhjetor 1981. E vërteta vazhdon të mbetet e mistershme, e kyçur pas labirintheve misterioze të diktaturës. Por sot nuk ka asnjë dyshim se fundi i Mehmetit ishte i panatyrshëm, ishte në skenarin e njohur të tragjedive antike që çuditërisht funksionojnë edhe në shoqëritë moderne. Në mbledhjen e djeshme u recituan nga Xhelil Aliu fragmente nga poema e Mehmet Shehut për Luftën e Spanjës “Adelante Kamaradas” si dhe u dha një koncert me këngë polifonike nga grupi i Mallakastrës. Në emër të familjes, përshëndeti dhe falënderoi për veprimtarinë Skënder Shehu, djali i ish-Kryeministrit Mehmet Shehu.
Nga komentet e djeshme në Facebook pas aktivitetit për ditëlindjen e Mehmet Shehut
Sot mbushen 100 vjet nga lindja e Mehmet Shehut, këtij luftëtari të lavdishëm dhe tragjik. Ai i dha atdheut gjithçka mundi dhe e ngriti historinë me supet e tija dhe jo me tavolinat e kafeneve luksoze. Luftetar i luftes se Spanjes në Brigadën “Garibaldi”, komandanti i lavdishem i Brigadës së Pare heroike. Per 30 vjete ai drejtoi si kryeminister Shqipërinë. Dhe pati nje fund tragjik. Vëllezër shqiptare, kur bie lisi themi ne nga kurveleshi nuk bëhen degë. Përuluni para ketij mali të Shqipërisë, ai nuk qe nga Mallakastra apo Toskëria, ai qe Shqiptar.
Petrit Menaj: Mehmet Shehu dhe shumë komandantë të tjerë të luftes nacionale -çlirimtare do të kujtohen vërtet si legjendë për guximin, trimerinë dhe atdhetarizmin e treguar. Pavarësisht nga mënyra se si Mehmet Shehu e mbylli jetën, koha do të tregojë ate qe sot po vuajnë shqiptarët: përçarja dhe armiqësia që fusin armiqtë tanë për të na parë keshtu si jemi copë – copë.
Kopi Kyçyku: Në vitin 1959, në Kinemanë “17 Nëntori” të kryeqytetit, u mbajt Konferenca Kombëtare për Problemet e Kulturës. Aty foli Liri Belishova. Atëkohë sapo kisha mbaruar vitin e tretë të Gjimnazit “Reshit Çollaku, në Pogradec dhe më morën me vete pedagogu i gjuhës e i letërsisë Nesti Bellovoda dhe drejtoresha e Shtëpisë së Kulturës të Pogradecit, Fillareta Jovani – Shkurti, e cila më pas do të bëhej pedagoge e anglishtes në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Para fillimit të punimeve të konferencës së lartpërmendur, pjesëmarrësit u grumbulluan në Teatrin Popullor (kështu quhej atëhere). Në hollin e tij rastësisht dëgjova një bisedë që po zhvillonin të ndjerët Mitrush Kuteli, Zihni Sako dhe Sotir Andoni. Kolosi Mitrush tha, pak a shumë, se, po t’i përkushtohej letërsisë artistike, Mehmet Shehu mbase do të bëhej prozatori më i shquar shqiptar (pa e kufizuar në kohë!). Të dy bashkëkuvenduesit e tij u shfaqën të një mendjeje. Më kujtohet se Mitrushi citoi rreshta të tërë nga një prozë e Mehmet Shehut, që fillonin kështu: “Jemi në Kapinovë të Beratit. Suferina…”.

















