Refleksion/ PS-ja, po u tërhoq nga Qarku i Fierit, t’i harrojë zgjedhjet e 2013-s!

485
Sigal

Krejt papritur erdhi propozimi i Edi Ramës, për ftesë partive politike parlamentare që të uleshin në tryezë bisedimi e të zgjidhnin problemin e Fierit. Kjo ftesë e Ramës, pikërisht 2 ditë para nga seanca plenare e Kuvendit, dëshmon për panikun, pasigurinë politike të Kryetarit të PS-së, për qëndrimin e mbajtur deri tani për qarkun e Fierit. Çfarë kërkon të zgjidhë Kryetari i PS-së, Edi Rama me bisedime me partitë parlamentare për qarkun e Fierit? Kur, dihet shumë mirë, që të gjitha vendimet e gjykatave, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë e të Apelit, u japin të drejtë anëtarëve që janë votuar nga zgjedhësit. Edi Rama, kërkon që të anashkalojë vendimet e Gjykatave, duke dëshmuar që e ka të pamundur politikisht, që të imponojë zbatimin e vendimeve të këtyre gjykatave? Në këto bisedime, me partitë politike, Edi Rama, do të japë diçka, për të arritur kompromisin politik. Dhe çfarë ka për të dhënë Edi Rama, që të përfitojë atë që kërkon? Ka për të dhënë, votën e fituar të socialistëve? I ka të tepërta? Deri tani, Edi Rama ka bërë shumë lëshime politike, për hir që të dëftohet te ndërkombëtarët si tolerant, si bashkëpunues. Por, që në të vërtetë, ashtu siç u rrodhën ngjarjet, dëshmuan që nuk ishin thjesht lëshime politike, për hir të tolerancës e bashkëpunimit, por ishin humbjet politike të Edi Ramës, për shkak të mungesës së strategjisë politike. Edi Rama, startin e humbjeve të mëdha politike e filloi me ndryshimet kushtetuese, të 2008-s, duke menduar se si fitues i ardhshëm, do të përqendronte në pushtetin e tij, gjithçka. Procedura e zgjedhjes së Presidentit, ishte dëshmia e humbjeve politike. Edi Rama u tërhoq në kompromiset për reformën zgjedhore, aq sa rikompozimi i KQZ-së u reduktua në zgjedhjen e Kryetares së re të miratuar vetëm nga maxhoranca. Ndonëse mbajti një qëndrim të caktuar, politik në reformën e kufizimit të imuniteteve, për një kohë të gjatë, në fund, u tërhoq nga të gjitha kërkesat e tij, duke votuar pa kushte. Edhe tani, derisa propozon kompromise në tavolinë për qarkun e Fierit, Edi Rama dëshmon që nuk ka besim te politika që ndjek dhe në panikun e minutave të fundit, kërkon pazare politike. Mirëpo, siç thonë vetë socialistët e Qarkut të Fierit, në qoftë se Edi Rama tërhiqet nga zgjidhja ligjore e çështjes së qarkut të Fierit dhe pranon zgjidhje kompromisi, pazaresh politike, PS-ja të harrojë zgjedhjet e ardhshme, sepse Edi Rama, duhet të kuptojë, që duke humbur zgjidhjen ligjore të Qarkut të Fierit, do të dëshmojë që PS-ja politikisht nuk mundet dot të mbrojë votat e fituara nga elektorati i saj.