Suplementi Pena Shqiptare/ Naxhi Kasoruho: Haxhi Dalipi “Kalorësi i Polifonisë” me librin “duke përjetuar këngën labe”

Nga Naxhi Kasoruho, Mjeshtër i Madh

 

Sigal

Kam ardhur sot në Gjirokastrën tonë të dashur, të mençur dhe të bukur me dëshirë dhe i nderuar në këtë promovim të librit “Duke përjetuar këngën labe” të gjirokastritit fisnik, dirigjentit, kompozitorit, muzikologut dhe studiuesit të spikatur të paharruarit Haxhi Dalipi. E kam lexuar me vëmendje dhe emocion këtë libër që si shok, koleg dhe gjirokastrit që e kam njohur që kur ishim nxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë këtu e 62 vjet më parë më 1951, të shpreh konsideratën time më të lartë, vlerësimet për këtë vepër që shpreh dhe promovon vlerat e polifonisë dhe këngës labe në veçanti. Kur flasim për polifoninë dhe veçanërisht për këngën labe të trevave të rrethit të Vlorës në gjithë hapësirën dhe dimensionin e saj, që vjen nga thellësia e mileniumeve dhe hapësirave gjeografike në 5 rrethe deri në ditët tona, padyshim Haxhi Dalipi mbetet muzikologu dhe studiuesi më i spikatur dhe personalitet në kulturën tonë kombëtare. Mjafton të lexosh parathënien e librit të shkruar me kompetencë të lartë profesionale nga Prof. Dr. Spiro Shtuni në Universitetin Winthrop në SHBA, i cili si ish student me Haxhi Dalipin nga viti 1973 në Institutin e Lartë të Arteve, koleg dhe bashkëpunëtor në studimin e këngës labe për të kuptuar vlerat dhe kontributin e këtij libri, që është një studim shkencor i veçantë i kësaj pasurie dhe vlere në kulturën tonë, që tashmë është pjesë e pasurisë botërore që mbrohet nga UNESCO nga viti 2005.

Haxhi Dalipi i lindur në një familje autoktone në Gjirokastër është mëkuar dhe ka përvetësuar në gjithë thellësinë e saj trashëgiminë folklorike të qytetit të gurtë, këngën polifonike dhe ndonëse u largua nga vendlindja në moshë të vogël ai e mori me vete atë perlë të polifonisë shqiptare si pjesë të gjenit dhe trashëgimisë nga të parët dhe me kalimin e viteve e dekadave ta bëjë pjesë të studimeve të tij në qytetin e Vlorës si kryeqendër të polifonisë labe. Me këtë ndjesi që i buron shpirti artist me një formim muzikor të nivelit të lartë edukuar në shkollat artistike në Tiranë, me dashuri për trashëgiminë folklorike aq të pasur, të veçantë, unikale të rrethit të Vlorës, ndryshe me trevat e tjera të vendit, Haxhi Dalipi tregoi interes dhe përkushtim të veçantë e studioi deri në imtësi nga struktura tonale, veçoritë, kontrastet dhe bashkëjetesën me motivet e këngëve akapela të zonave përreth. Libri ishte konceptuar i ndarë në kapituj e paragrafë që promovojnë trashëgiminë e shkëlqyer labe jo vetëm në përgjithësi por të ndarë në zona të etno- folkut rajonal dhe në fshatra të veçanta duke sjellë bartës autoktonë e korifenj virtuozë që në vëmendjen e autorit nga vijnë si një kujtim i largët për të përshkruar me penelata të forta në larmi të shumta të luleve shumëngjyrëshe të maleve dhe livadheve dhe në pasqyrimin e kaltërsisë së detit, kënga labe të prezantohet në tërë forcën emocionuese të varianteve liriko- optimiste deri tek epika historiko- legjendare.

Paragrafët në librin e Haxhiut janë si postulate në formën e një citati ku ai ka sjellë të sintetizuara melodi, mënyra e stile këndimi, interpretues virtuozë, festival e koncerte folklorike në një formë të lartë profesionale të veçantë dhe unikale në llojin e vet. Haxhi Dalipi është ndalur në të gjithë ciklin e studimeve të tij duke vëzhguar me ndërgjegjen e lartë të një muzikologu duke na shpalosur gjithë botëkuptimin artistik për të na dhënë sa më reale, të qartë dhe autentike të veçantën e këngës labe se nga vjen, kush e ka krijuar dhe si është trashëguar në breza, kush janë korifenjtë e bartësit, cila është veshja tradicionale e vajzave dhe burrave të kësaj treve dhe të këtij fshati. Nëse do të njihesh më hollësisht me këngën smokthinjote në tërë hapësirën dhe dimensionin e saj hape librin dhe në se je dashamirës i këngës labe, apo studiues a muzikolog do të gjesh aty nga shpjegimi i thjeshtë i saktë dhe me vlerë në kulturën tonë kombëtare ku Prof.

Haxhi Dalipi ky kalorës i polifonisë labe, udhëtoi gjithë trevat e jugut me pasionin e shpirtit dhe integritetin e lartë profesional e mblodhi me merak nektarin e këngës labe dhe në rolin e udhëheqësit artistik të këtij qyteti përzgjodhi, seleksionoi dhe përgatiti koncertin e Vlorës në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, duke sjellë perla të rralla dhe bashkëkohore në interpretime virtuoze të artistëve. Vlonjatët bënë që të buçasin bedenat e kalasë historike të qytetit të gurtë dhe publiku të ngrihej në këmbë e të duartrokiste përzemërsisht. Libri “Duke përjetuar këngën labe” i Haxhi Dalipit është një mini enciklopedi, për madhështinë e këngës labe, që përmbledh me simbolikën e saj një pjesë të vogël por të rëndësishme të organizimit dhe përbërjen e shumëzërëshit të trevave të jugut si trevë e gjerë e shtrirë në 3 qarqe duke u kthyer në majën e Olimpit të polifonisë tonë. Kush më mirë se Haxhi Dalipi që i ka gjezdisur këto treva duke u ndaluar, vëzhguar, prekur e ndjerë, kënduar e studiuar këtë perlë të folklorit tonë, që ai e barti në gjenet e tij dhe që pastaj e shndërroi në një uragan shpërthyes duke e udhëhequr dhe promovuar në dimensione dhe lartësi të reja si amanet i të parëve tanë dhe që kontribuoi për ta përcjellë si një vlerë të rrallë: “Këngën polifonike” të pastër, unikale e të pa influencuar nga ndërhyrjet, si vlerë dhe pasuri e pa tjetërsueshme e kulturës tonë kombëtare ku në këtë panteon qëndron edhe kontributi me vlerë i muzikologut e studiuesit të spikatur “Artisti i Merituar”, Mjeshtër i Madh” Haxhi Dalipi. Në këtë ceremoni Bashkia Gjirokastër i dha z. Haxhi Dalipi titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës. Këtë titull znj. Zamira Rami ia dorëzoi z. Arlind Dalipi , djalit të muzikologut Haxhi Dalipi.