Tronditjet e fundit në Shkodër, Ardi Veliu “shkund” policinë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka lëshuar kritika për policinë vendore të Shkodrës në analizën një vjeçare të 2018-ës. Viti që lëmë pas ishte ndër më të vështirët për policinë e Shkodrës sepse u shënuan disa vrasje të bujshme të njëpasnjëshme që erdhën pas një riaktivizimi të botës së krimit. Ngjarjet e vitit të kaluar me vrasje dhe zhdukje personash kanë bërë që drejtori Veliu të jetë kritik në analizë. Pas analizës që zgjati për rreth 3 orë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk preferoi që të japë asnjë deklaratë pavarësisht këmbënguljes së mediave.

“Më mirëkuptoni unë nuk isha përgatitur për një prononcim për mediat”, ka thënë shkurt ai.

Sigal

Kritikat e kreut të policisë Veliu i pranoi edhe vetë drejtori i policisë vendore në Shkodër, Vehbi Bushati i cili tha se Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar punë nga policia e Shkodrës që nënkupton një luftë më të madhe ndaj krimit dhe çdo aspekti tjetër.

Mbaruam analizën 1 vjetore. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit bëri vlerësime bëri edhe kritika, por ashtu la edhe detyra. Viti që vjen do të jetë një vit akoma më i angazhuar për policinë për t’ju sjellë rend dhe qetësi në funksion të qytetarëve të Shkodrës dhe njëkohësisht ne do fitojmë besimin e tyre për të qenë më afër tyre dhe për të zgjidhur problemin e tyre. Ai kërkoi punë dhe rezultate konkrete në goditen e elementëve kriminalë në Shkodër”,- tha Bushati.

I pyetur nëse është kërkuar zbardhja e ngjarjeve kriminale të ndodhura në 2018-ën në Shkodër drejtori Bushati tha se nuk kishte një koment tjetër për të bërë. “No koment”,- u përgjigj ai për gazetarët.

Në analizën njëvjeçare fillimisht drejtori i policisë Shkodër Vehbi Bushati ka lexuar një material të gjatë dhe më pas fjalën e ka marrë Drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu duke kërkuar më shumë rigorozitet nga efektivët si dhe në fokus sipas tij, duhet të jetë lufta ndaj krimit të organizuar, rikthimi i besimit tek qytetarët si dhe një efiçencë më e madhe e policisë.