Mesi: “Integrimi Dixhital, Detyrim dhe Angazhim për Qytetarët tanë dhe Brezat e Ardhshëm”

602
Shkup/Samiti i 1-rë i Dixhitalizimit të Ballkanit Perëndimor – Mesi: “Integrimi Dixhital, Detyrim dhe Angazhim për Qytetarët tanë dhe Brezat e Ardhshëm”
Mes datave 18-19 Prill në Shkup, Maqedonia mirëpret organizimin e Samitit të Dixhitalizimit të Ballkanit Perëndimor, i cili mbledh Krerët e Qeverive nga rajoni, përfaqësues të rëndësishëm nga bizneset, organizatat rajonale, rinia, akademia dhe shoqëria civile e Ballkanit Perëndimor. Objektivi kryesor i këtij samiti është ngritja e një platforme dixhitale për shkëmbimin e ideve dhe propozimeve brenda Ballkanit Perëndimor. 
Në ditën e parë të këtij samiti ishte e pranishme ZëvendësKryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi, e cila mori pjesë në panelin me temë “Integrimi i Vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tregun Dixhital Pan-Evropian” së bashku me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev, Presidentin e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Denis Zvizdić, Kryeministrin e Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj dhe Ministren e Ekonomisë së Malit të Zi Dragica Sekulić.
Në fjalën e saj, ZëvendësKryeministrja Mesi, duke shprehur angazhimin e plotë të Shqipërisë drejt integrimit dixhital të rajonit brenda tregut dixhital pan-evropian, shprehu bindjen se ky integrim mund të jetë një realitet dhe se ai përbën një detyrim dhe angazhim për qytetarët tanë dhe brezat e ardhshëm. “Si rajon, jemi plotësisht të angazhuar për të zhvilluar më tej axhendën dixhitale nëpërmjet projekteve konkrete dhe iniciativave të përbashkëta. Përshtatja e strategjive të aftësisë dixhitale në linjë me modelin e BE-së, domosdoshmëri për të gjithë rajonin”, shtoi Znj. Mesi. 
Në lidhje me politikat e koordinuara të ‘Roaming’, ZëvendësKryeministrja Mesi nënvizoi gatishmërinë dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për t’ju bashkuar marrëveshjes rajonale të Roaming. “Politikat e koordinuara Roaming drejt një rajoni me Roaming të lirë janë pjesë e angazhimit tonë. Jemi plotësisht të përkushtuar të punojmë së bashku në krijimin e një zone të lirë roaming, e cila do ta çojë më tej bashkëpunimin tonë në rajon”, u shpreh ajo. 
Gjatë panelit, Znj. Mesi duke u ndalur tek progresi i dukshëm që ka bërë Shqipëria për sa i përket dixhitalizimit të administratës publike dhe shërbimeve publike ku Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) është tashmë pjesë e të gjitha fushave në sektorin publik, shprehu gjithashtu angazhimin e vendit tonë për të mirëpritur Samitin e Dixhitalizimit të Ballkanit Perëndimor në vitin 2020-të. 
Sigal