Suplementi Pena Shqiptare/ Ismail Xhaferri: Vjeshtë

Po bien gjethe vjeshte,
Drejt tyre vështrova dhe heshta,
Si një i dehur po eci rrugëve
Sepse të deh dhe të çmend vjeshta.

S’kam pirë  asgjë këtë mbrëmje,
S’kam pirë as dje dhe as sot,
Vetëm një gotë ëndrrash trazuar si gjethe
Dhe hënën e plotë.

Sigal

Të çmend kjo hënë e plot e tetorit,
Ky ftua me degët mbi gjerdhe,
Ky muzg me yjet  e brishtë mbi gjoks
Kjo grua që ecën mbi gjethe.

Të deh kjo zonjë me buzën si shegë,
Tek kalon çdo ditë para nesh
Drenushë e dalë prej një ëndrre,
Me flokët e lidhura me fjongo resh.

Një tufë dallëndyshesh po ikin,
Dhe humbin ngadalë nëpër re,
Ca pendë të buta dhe dhimbjen e ndarjes,
I lanë në fole.

Po bien gjethe vjeshte,
Drejt tyre vështrova dhe heshta,
Si një i dehur po eci rrugëve
Të deh dhe të çmend vjeshta.