Sigal

Një lajm aspak i mirë ka ardhur sot për trajnerin e Borussia Dortmund, Lucien Favre, i cili ka mësuar se mbrojtësi 23-vjeçar, Manuel Akanji, rrezikon t’i nënshtrohet operacionit në ditët në vijim. Akanji, i mbërritur te skuadra e Borussia një vit më parë (janar 2018), u dëmtua në ndeshjen e 18 dhjetorit ndaj Fortuna Dusseldorf.

Fillimisht u mendua se dëmtimi ishte i lehtë, por situata nuk po përmirësohet dhe lojtari rrezikon t’i nënshtrohet një operacioni në këmbë, çka do ta linte atë jashtë fushave deri në fund të sezonit. Skuadra ka nisur dje grumbullimin në Spanjë, por lojtari nuk ka udhëtuar me shokët, duke qëndruar në Dortmund në pritje të një vendimi.

Akanji këtë sezon është aktivizuar si titullar te skuadra e Borussia Dortmund, duke luajtur në 18 ndeshje dhe realizuar një gol, duke qenë i rëndësishëm për ecurinë e deritanishme të ekipit, që kryeson Bundesligën. 23-vjeçari i kushtoi ekipit të Borussia 21.5 milionë euro në merkaton e janarit, por tani skuadra është detyruar të gjejë një zëvendësues.