Pas garave, bënim dush me gjithë biçikletë, edhe ajo kishte nevojë!

900
Nga Prof. Dr. Lluka HEQIMI
DOSSIER/ Kur ndeshesh me histori të tilla sportive, natyrisht që Ruzhdi Çerma e sjell të kaluarën si një realitet
Vijon nga numri i kaluar
Sigurisht që, ardhja deri këtu ka pasur një “area”, një farë paralajmërimi që çdo sport mundohet ti sjellë individit që e pëlqen. Ruzhdiu çdo të diel shkonte me shokët në Currila me biçikletë. “Merrnin shokët ndonjë turr, por unë shpejt i arrija dhe i tejkaloja. Kur unë merrja turr, gara ishte ndezur e se kush do ta fitonte dihej, dhe finishin atje buzë detit ishte radha ime që të tjerët të më shikonin numrin. Këto ishin lojërat me një fare krenarie rinore. Kjo është rruga që kalojnë të gjithë në këtë moshë”, kujton sot me nostalgji Ruzhdi Çerma.

Rrethi i parë i vitit 1947, Ruzhdiu renditet në vendin e 5-të, ku përfaqësoi SK”Tiranën”
Ky rreth kishte 900 km. Për herë të parë njeriu ndjen më mirë se kurrë pasionet e moshës. Më të vjetrit i dukeshin “përbindësha”, por ai e kishte planin e sfidës. “Nuk do ti ndahesh atyre. Rrugët tërë gurë, dhe ky ishte një shans për Ruzhdiun, nga që të rriturit më me përvojë nuk mund të ecnin shpejt. Ruzhdiu bashkohej me grupet dhe shpesh ata me taktikat e tyre e ndanin. Ai përsëri me sedrën e një të riu luftonte pa pushim. Zuri vendin e 5-të dhe ngeli i kënaqur. Të shikojmë xhiron tjetër mendoi me siguri do të shkojë më mirë”.

1947, Turneu i parë ndërkombëtar në Bullgari
Në këtë turne të vështirë, nga konkurrimi merrnin pjesë krahas bullgarëve dhe shqiptarët, jugosllavët, rumunët e hungarezët, si dhe një ekip nga Triesta. Ekipi shqiptar përfaqësohej nga P. Angjeli, M. Cico. N. Kote, G. Lacej, R .Çerma dhe D. Murthi. Në vitin 1947, Ruzhdi Çerma u thirr për herë të parë në përfaqësimin e atdheut, dhe kjo ju duk një përgjegjësi e madhe. Ai e ndjeu këtë aktivitet me një dashuri të madhe dhe beri çmos të jetë ndër të mirët. Në Ballkan ne ishim të dytët për nga fillimi i çiklizmit amator, pas bullgarëve, por tani ata kishin ecur shumë më përpara se ne. Që t’i arrije, duhej një punë organizative dhe një përkrahje shtetërore të madhe. Sporti i çiklizmit kërkon para, biçikleta si të gjithë, mjete shkëmbimi dhe rrugë të mira.

1948, në Hungari, Kampionati Ballkanik dhe i Evropës Qendrore
Shqipëria në këtë vit konfirmon anëtarësimin në Federatën Botërore të Çiklizmit. Kjo mund të konsiderohet një nga sukseset e çiklizmit tonë. Në këtë kohë, çiklistët hungarezë ishin në nivele evropiane. Skuadra shqiptare kishte kryesisht të njëjtën përbërje, por pa P. Angjelin, i cili ishte me provime. Ekipi u përpoq të ishte me më të mirët, por kjo ishte shumë e vështirë të arrihej. Grupi shqiptar u përshtat në kushtet që edhe u dilnin, dhe bënë improvizimet e rastit.

Viti 1949, çiklist i Partizanit
Ruzhdi Çerma thirret ushtar dhe stërvitet në klubin e madh ushtarak, që ishte një përvojë e madhe sportive. Ai vuri re se klubi ushtarak, i kishte të gjitha mundësitë për të qenë në krye. Biçikletat nuk mungonin, madje edhe sipas antropometrisë, edhe veshjet. Mjetet motorike të shoqërimit, klubi ushtarak i kishte të mjaftueshme. Çerma u caktua te kazermat e Ali Rizait, pastaj në Shkollën e Bashkuar, më vonë në një klub pas “Hotel Vollgës”, një barakë e gjerë ku strehoheshin sportistët. Më vonë, Ministria e Luftës do të mendohej që klubi të kishte një ambient më të mirë e më të përshtatshëm. Në klub, Ruzhdiu takoi shokët, të cilët ishin në të njëjta kushte, ushtarë, si N. Koten dhe M. Cicon. Rezultatet më të mira të arritura, Ruzhdi Çerma i pati me klubin Partizani, ku qëndroi më shumë se koha e ushtrisë. Dhe sot ai të flet edhe për një ngjarje të rëndësishme. Ai gjen në një dyqan një djalë të vogël në trup, i cili punonte si ndreqës biçikletash me të vëllain. Ky ishte Bilal Agalliu, të cilit Ruzhdiu i sugjeron çiklizmin, një sport që do ti përshtatej mjaft mirë. Kështu ndodhi, dhe kjo është krenari për të.

Garat e Paqes. Pragë-Berlin-Varshavë
Ruzhdiu aktivizohet me ekipin përfaqësues edhe ne garat e Paqes që u zhvilloheshin çdo vit. Ekip shqiptar nuk kishte mundësi të konkurronte si duhej në këtë aktivitet për shumë arsye, por do të përfitonte nga nivelet e çiklizmit evropian. Gara quhej e “Paqes” dhe përfshinte shumicën e kryeqyteteve të Evropës. Nga Varshava, çiklistët shkonin në Berlin, dhe pastaj në Pragë. Gjatë viteve 1949, 1950 dhe 1954, Çerma është në Garat e Paqes, ku do të kalonte me biçikletë 18 shtete të Europës. Udhëtimin e çiklistëve të garës së vitit 1955, e përshkruan gazeta “Sporti” e datës 4 maj 1955, nga Praga me telefon. “Çiklistët arritën në Pragë me tren nga Budapesti. Për dy ditë para garës, ata zhvilluan stërvitje të rregullt me biçikletat e reja që ju dhuruan nga Komiteti i Kulturës Fizike dhe Sporteve të Çekosllovakisë. Në dispozicion të ekipit u vunë një teknik çekosllovak dhe një mjek masazhist gjerman. Në 2 maj, para 35 mijë spektatorëve në stadiumin e Pragës, fillon “Gara e Paqes”, me parakalimin solemn të çiklistëve shqiptarë, Albania. Marrin pjesë 106 çiklistë. Një nga etapat e gjata të vitit 1955 pati këto rezultate: Fadil Muriqi zuri vendin e 87-të me 3 orë 42 min 2 sek, pas tij Bilal Agalliu me 3.56.13, Eqerem Shaba 3.58.40, Piro Angjeli 4.05.42 dhe Ruzhdi Çerma 4.06.45. Me rrugët që kishim, me mjetet që disponoheshin, me varfërinë dhe pa mundësinë e trajtimeve, çiklistët tanë shkuan në këto gara për të konkurruar, por më shumë për të mësuar.
Ruzhdiu ishte një mekanik i përkryer. Një ditë prej ditësh, ai i propozon Byrosë Teknike të projektojë një biçikletë për fëmijë. Biçikletën që e kishte ëndërr, mendonte se mund ta prodhonte për fëmijët. I kujtohej fëmijëria e tij pa biçikletë. Kemi dëgjuar të flenë fëmijët me topin, këpucët, fanellat, por Ruzhdi Çerma fëmijë do të kishte futur në shtratin e tij edhe biçikletën e vogël, nëse do ta kishte atëherë
Viti 1956, ndarja me çiklizmin
Ruzhdiu u nda nga çiklizmi garues ne vitin 1956. E dinte se çfarë do e priste pas kësaj. Vuri pak shëndet por filloj përsëri aktivitetin si mekanik, kryemekanik, gjyqtar, kryegjyqtar dhe me inteligjencën e thirren edhe ne leksionet e ndryshme te çiklizmit. Ruzhdiu i perballoi me sukses të gjitha detyrat. Një gjuhë e butë e thënë me shembuj praktikë i bënte çiklistet ta dëgjonin me vëmendje. – Atë kampionin e madh, Dashamir Rama, e kam gjetur te rrëzuar në një grumbull zhavorri në një ditë të ftohtë me erë. Megjithëse ishte mbledhur e tkurrur ky çiklist kishte nevojë për një fjalë të mirë inkurajuese. U nis përsëri dhe kapi shokët. Çiklizmi bëhet nëpër vështirësi dhe suksesi është një “mund” që edhe nuk mund të tregohet.

Pasioni nuk njeh kufi
Menjëherë pas çlirimit, populli kishte shumë nevoja për të zgjidhur, dhe rrugëve nuk u kishte ardhur akoma radha. Ato ishin shumë pak të shtruara, por dhe kjo ishte realizuar pa finesë dhe pa normat e duhura, ku pjesa më e madhe e rrugëve ishte ende e pa shtruar, madje edhe makinat ndalonin të hiqnin nga rrugët gurë që binin ose shtyheshin nga goditjet e rrotave të makinave të tjera. Ja si tregon Ruzhdiu: “Nuk ishin rrugët ato që do të na largonin pasionin, sepse ai që ka pasion do të kalojë çdo vështirësi që mund të paraqitet. Nuk mund ta shikonim veten në pasqyrë kur përfundonim garën. Ishim bërë të gjithë njësoj, ku balta e rrotës së prapme të kundërshtarit ciklonte në fytyrë, por edhe ti me gomën e mbrapme nuk i lije gjë shokut nga pas. Nuk ka sport në botë që ta çojë në dush sportistin me të gjithë pajimet sportive. Kështu bënim dush, madje me gjithë biçikletë, sepse dhe ajo kishte nevojë për dush. Po me biçikletën jemi larë dhe në disa raste në verë, edhe me zorrë uji direkt në publik. Tani, t’i gëzohemi rrugëve. Me shpirtin sportiv që ka shqiptari, çiklizmi është një sport që do të kryhet me shumë sukses. Çiklizmit shqiptar që lindi rrugëve të prishura të vitit 1925, kur u krye xhiroja e parë e Shqipërisë dhe e viteve pas shkatërrimit të Luftës së Dytë Botërore, i ka ardhur dita më e bukur. Sportistët tanë po marrin pjesë në xhirot e shteteve me një çiklizëm shumë të përparuar. Kësaj i them sukses, por do të ketë edhe më shumë se kaq”. 
KANË THËNË PËR RUZHDI ÇERMËN
Roland Hofer/ Sekretar i përgjithshëm i Unionin Evropian
“Ky është një rast që duhet respektuar. Njerëz të tillë e nderojnë dhe e ndihmojnë sportin”.
Kastriot Amati/ Gazetar
“Emri i Ruzhdi Çermës është i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me historinë e çiklizmit shqiptar”.
Xhavit Gazheli/ Mjeshtri i Merituar i Çiklizmit
“Miku ynë i përbashkët, pa ngjyrë ekipesh, i kudondodhur, i ndershëm, punëtor. Kishe qejf ta shikoje kur rregullonte biçikletën, ne në atë moment mezi merrnim frymë dhe kërkonim një çlodhje. Jam krenar që kam një mik si Ruzhdi Çerma”.
Dashamir Rama/ Fitues i rrethit çiklistik, 1969/ Trajner Kombëtar
“Garat çiklistike kanë nevojë edhe për një baba, veçanërisht kur çiklistët janë të rinj. Ruzhdi Çerma ishte babai ynë, që na inkurajonte e na donte aq shumë. Ai gëzon respektin e të gjithë çiklizmit”.
Sigal