Nga sporti në politikë, 26 kandidatë për deputet

1326
Sigal

Nga Edi Rama, te Ilir Meta; nga Blendi Nallbani te Armir Grimaj; nga Agustin Kola te Krenar Alimehmeti

Gjatë katër viteve të qeverisë “Berisha 2” , sporti e ndjeu thellësisht mungesën e vëmendjes, dhe për fat të keq, me përjashtim të rrallë (deputetit të PS-së, Fidel Ylli), shumë pak u dëgjua termi “sport” jo vetëm në axhendën e Kuvendit, por dhe në investimet e kryera. Gjithsesi, si në çdo fushatë, politika po përpiqet të shfrytëzojë imazhin e sportistëve apo njerëzve të lidhur direkt apo indirekt me të. Prej ditës së hënë, spektri politik ka zyrtarizuar kandidatët për deputetë për Zgjedhje e Përgjithshme Parlamentare të 23 qershorit, të tetat në vendin tonë që nga viti 1991, me ndryshimin e regjimit, të cilat u pasuan me ato të viteve 1992, 1996, 1997, 2001, 2005 dhe 2009. Pas zyrtarizmit të listave të mbi 60 partive, të shpërndara në dy koalicione të mëdha: “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, të kryesuar nga PS, dhe “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, të kryesuar nga PD, dhe dy partive që garojnë të vetme, si Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit dhe Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut, nuk mund të mungonin kurrsesi, edhe ata që në rininë e tyre kanë pasur një të kaluar sportive, madje kampionë të mirënjohur, futbollistë të ekipit kombëtar apo klubeve më të njohur në vend, si dhe presidentë apo trajnerë klubesh. Kështu, duke u bërë një “skanim” listave, konstatojmë se janë të paktën mbi 20 kandidatë, ku kryesojnë PS-ja dhe LSI-ja, më nga shtatë dhe gjashtë ish-sportistë; PR me katër; PD me dy, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet me dy. Emrat janë të bujshëm nga kryetari i PS-së, Edi Rama, një ish-basketbollist, te ai i LSI-së, Ilir Meta, një ish-peshëngritës, por dhe te emra të futbollistë të Kombëtares, si Agustin Kola apo Blendi Nallbani. Edhe në të parlamentet e kaluara ka pasur sportistë, përfshirë Medin Zhegën e madh, i cili ka qenë deputet i Partinë Socialiste, në vitet 1992-1996 apo dhe Kreshnik Çipin e Partisë Demokratike, ky i fundit në parlamentin aktual. Po, kështu në Parlamentin aktual janë dhe ish-mundësit Fidel Ylli dhe Paulin Stërkaj.

  PARTIA SOCIALISTE

Kjo forcë politike ka numrin më të madh të kandidatëve me të kaluar sportive. Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherësh kreu i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, ka pasur një të kaluar si basketbollist me Dinamon, madje ka qenë edhe anëtar i ekipit Kombëtar. Rama garon si numri 1 në Qarkun e Vlorës. Në Tiranë, me numrin 26, garon Blendi Nallbani, ish-portieri i Partizanit dhe i Tiranës, kampion me këto dy ekipe, por që mban edhe rekordin si portieri më i ri në moshë që ka luajtur në mitikun britanik “Uembli”, vetëm 17 vjeç e 120 ditë. Në Qarkun e Shkodrës janë kandidatë dy ish-mundës, deputeti aktual i PS-së, Paulin Stërkaj, por dhe Sait Fishta, ku i fundit katër vjet më parë garoi nën siglën e LSI-së. Në Qarkun e Beratit kandidat është Fidel Ylli, një ish-mundës, i cili ishte deputet edhe në parlamentin aktual. Ylli kryeson listën e PS-së në atë qark. Ilir Beqaj, ish-basketbollist i Dinamos dhe i ekipit Kombëtar garon në Qarkun e Durrësit, duke pasur numrin 3 në listë, pra një deputet thuajse i sigurt. Po në qarkun e Durrësit garon Sokol Sula, një ish-mundës. Durrësi ka edhe mundësin Shkëlqim Troplini, aktualisht anëtar kryesie i Federatës Shqiptare të Mundjes

 PARTIA DEMOKRATIKE

Nuk mund të mungonin kandidatët me një të kaluar sportive në listën e Partisë Demokratike. Vasil Bici, Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, një trajner që ka drejtuar më shumë se gjysmën e ekipeve elitare në Shqipëri, është kandidat në Qarkun e Lezhës, duke u pozicionuar në vendin e katërt, një pozicion që llogaritet si fitues. Armir Grimaj, ish-portier i shquar i Vllaznisë dhe i Partizanit, tashmë në roline drejtorit sportive është kandidati me numër 11 në listën e qarkut të Shkodrës.

 LSI

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, një ish-peshëngritës në rininë e tij, është numri 1 në listë e Qarkut të Tiranës. Po, në kryeqytet garon me numrin 8, Viron Bezhani, “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe një nga mundësit më të mirë në historinë e këtij sporti. Presidenti i Vllaznisë, Agron Çela, kryeson listën e kandidatëve në Shkodër, ndërkohë që numri 3 në këtë Qark është trajneri i Vllaznisë dhe ish-teknik i Kombëtares, Artan Bushati. Ilir Dashi, një ish-lojtari i Tiranës është kandidati me numër

 PARTIA REPUBLIKANE

Agron Duka, ish-ministri i Bujqësisë dhe me mjë të kaluar si ish-volejbollist, është kryesuesi i listës në Qarkun e Durrësit. Në fakt, PR ka vetëm dy kandidatë në këtë qark, përfshirë edhe Kastriot Radën. Ish-lojtari i Partizanit dhe i Tiranës, por dhe i Kombëtares, Afrim Tola, është në Tiranë, me numrin 4. Ish-sulmuesi i Tiranës dhe i Kombëtares, Agustin Kola është numri 8 në Qarkun e Tiranës për Partinë Republikane. Po, në Tiranë është ish-administratori i bardhebluve, Salih Tagani (i 9-ti). Në Qarkun e Beratit kandidon, Lulzim Sallaku, presidenti aktual i Partizanit.

 PDIU

Listën e Tiranës e kryeson Presidenti i Nderit, Tahir Muhedini, dikur një ish-volejbollist. Me numrin 13, po në kryeqytet është ish-kapiteni dhe ish-trajneri i Tiranës, Krenar Alimehmeti, sot në rolin e administratorit bardheblu. Alimehmeti garoi në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011 si kandidat për Njësinë Bashkiake nr.7, por humbi.

 FRD

Edhe Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit ka në listën e tij dy kandidatë nga bota e sportit: ish-gjyqtarin ndërkombëtar Albano Jankun (në Qarkun e Tiranës) dhe Artim Kovaçin, ish-futbollist i Elbasanit dhe drejtues në atë klub, që garon sigurisht në Qarkun e Elbasanit.

Kandidati            Sporti               Qarku

 PARTIA SOCIALISTE

Edi Rama             Ish-basketbollist    Vlorë

Ilir Beqja           Ish-basketbollist    Durrës

Paulin Stërkaj       Ish-mundës           Shkodër

Sait Fishta          Ish-mundës           Shkodër

Fidel Ylli           Ish-mundës           Berat

Blendi Nallbani      Ish-portier          Tiranë

Sokol Sula           Ish-mundës           Durrës

Shkëlqim Troplini    Ish-mundës           Durrës

PARTIA DEMOKRATIKE

Armir Grimaj         Ish-portier          Shkodër

Vasil Bici           Ish-trajner          Lezhë

Alban Zeneli         Ish-pres.Mundjes           Kukës

LSI

Ilir Meta            Ish-peshëngritës           Tiranë

Viron Bezhani        Ish-mundës           Tiranë

Artan Bushati        Trajner              Shkodër

Parid Xhihani        Futbollist           Kavajë

Agron Çela           Presidenti i Vllaznisë Shkodër

Ilir Dashi           Ish-futbollist       Tiranë

PARTIA REPUBLIKANE

Agron Duka           Ish-volejbollist           Durrës

Agustin Kola         Ish-futbollist       Tiranë

Lulzim Sallaku       Presidenti i Partizanit Berat

Afrim Tole           Ish-futbollist       Tiranë

PDIU

Tahir Muhedini       Ish-volejbollist          Tiranë

Krenar Alimehmeti    Ish-futbollist       Tiranë

FRD

Albano Janku         Ish-gjyqtar          Tiranë

Artim Kovaçi         Ish-futbollist       Elbasan

MANDATET SIPAS QARQEVE

 1. Qarku i Beratit         7

2. Qarku i Dibrës          6

3. Qarku i Durrësi         14

4. Qarku i Elbasani        14

5. Qarku i Fierit          16

6. Qarku i Gjirokastrës    5

7. Qarku i Korçës          11

8. Qarku i Kukësit         4

9. Qarku i Lezhës          7

10.Qarku i Shkodrës        11

11.Qarku i Tiranës         33

12.Qarku i Vlorës          12

Garojnë kundër njëri-tjerit presidenti, trajneri dhe drejtori sportiv i kuqebluve

 Vllaznia, e denjë për rekordet “Guinnes”

  Politika gjithmonë e ka shfrytëzuar sportin, për interesat e saj, duke besuar se popullariteti i sportistëve midis tifozëve që i kanë ndjekur dhe vlerësuar mund t’u afrojë sa më shumë vota. Por, rasti i klubit të futbollit të Vllaznisë, dashur pa dashur ka vendosur një rekord unik dhe të paprecedent në vendin tonë, në të gjithë historinë e zgjedhjeve parlamentare, është i denjë për rekordet “Guinnes”. Janë jo pak, por tre kandidatë për deputetë që vijën nga ky klub për zgjedhjet e 23 qershorit, të cilët përfaqësojnë dy parti që ndodhen në koalicione të ndryshme. Presidenti i Vllaznisë, biznesmeni i njohur Agron Çela dhe trajneri i asaj skuadre, Artan Bushati, përfaqësojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim, që nga a saj bën pjesë në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Agron Çela, duke qenë i pari i LSI-së në listën e Qarkut të Shkodrës ka mundësi reale për të fituar. Për Partinë Demokratike kandidon drejtori sportive i klubit, Armir Grimaj (ish-portier), i cili ndodhet në fakt, në fund të listës, i 11-ti, por reputacioni i tij në qytetin e Shkodrës, e ka bindur PD-në ta vendosë në listë për të thithur sa më shumë vota.

Agron Çela      President       LSI

Artan Bushati   Trajner         LSI

Armir Grimaj    Drejtor Sportiv PD

 Kandidat në Qarkun e Beratit

Lul Sallaku, presidenti i Partizanit

 Presidenti i Partizanit, Lulzim Sallaku, është kandidat i Partisë Republikane në Qarkun e Beratit. Biznesmeni i njohur ka kandiduar më parë në këtë qark, në vitin 2005, ku ai ka marrë rreth 4 mijë vota. Optimizmi i Lulzim Sallakut është i madh në këtë sipërmarrje politike, teksa mendon se mund t’i japë një mandat deputeti Partisë Republikane në Qarkun e Beratit, sepse është i pari në listë. “Nuk është risi kandidimi im në Qarkun e Beratit, kam kandiduar edhe herë tjetër nën siglën e PR-së dhe kam marrë mbi 4 mijë vota në vitin 2005. Nuk janë pak, ndërsa tani mendoj se mund të marr më shumë dhe t’i jap patjetër një mandat partisë që unë përfaqësoj. Unë jam nga Skrapari dhe natyrisht që kam lidhjet e mia me Qarkun e Beratit. Shumë më njohin për korrektësinë”, – ka deklaruar për mediat Sallaku, i cili si president i Partizanit, e ngjiti ekipin më popullor në Superligë.

 Parlamenti i mundësve

 Parlamenti i ardhshëm mund të quhet përveçse i politikanëve të karrierës, biznesmënëve, profesorëve, edhe i ish-mundësve, nëse këtë të fundit do të fitojnë voton popullore dhe do të sigurojnë mandatet. Janë të paktën gjashtë kandidatë që në të kaluarën e tyre kanë ushtruar sportin burrëror të mundjes. Partia Socialiste ka kandiduar pesë të tillë, ndërsa LSI-ja, një. Kështu, Paulin Stërkaj, një kampion i shumëfishtë, kandidon në Shkodër, atje ku garon edhe një mundës i peshave të rënda, Sait Fishta. Në Berat, listën e kryeson Fidel Ylli, i cili garon po në siglën e PS-së. Në Durrës për partinë e Edi Ramës, kandidat është Sokol Sula si dhe Shkëlqim Troplini. Viron Bezhani, një nga emblemat e mundjes shqiptare garon për LSI-në në Tiranë. Ta paktën, Sterkaj dhe Ylli duket se kanë të sigurt mandatin, pasi ata janë deputetë dhe në parlamentin aktual.

 Paulin Stërkaj       PS   Shkodër

Sait Fishta          PS   Shkodër

Fidel Ylli           PS   Berat

Sokol Sula           PS   Durrës

Shkëlqim Troplini    PS   Durrës

Viron Bezhani        LSI  Tiranë