Lulëzime Duka: Skandal! Po shiten në treg të lirë trofetë dhe fotot e legjendave të Dinamos

1380
Nga Agron KAJA
DEKLARATA/ Pas prishjes së Kompleksit Sportiv “Dinamo”, të gjitha trofetë dhe orenditë që strehoheshin aty, kanë marrë “arratinë”
Kur e dëgjon nga afër shqetësimin e një Mjeshtreje Sporti, në këtë rast të Lulëzime Dukës, radhët e gazetës “Telegraf” vijnë natyrshëm në logjikën e problematikës, të cilën ajo me qetësinë e dinjitetin e saj e quajti, skandal. Sepse dje, në tregun e lirë të Tiranës, janë parë të shiten nga tregtarët ambulantë portretet e ish-legjendave të sporteve të Dinamos. Janë shitur ato që janë të denja për muzetë, mes të cilave brezat mësojnë për arritjet e sukseset në sportet e këtij klubi të madh, por që sot është katandisur nga më të vegjlit. Kjo ka ndodhur pas prishjes së ish-Kompleksit “Dinamo”, dhe këtë shqetësim e bëri prezent dje në gazetën “Telegraf”, Mjeshtrja e Merituar e Sportit, ish-volejbollistja e Dinamos, Lulëzime Duka. “Mua po më flet shpirti në këtë momente, dhe jam shumë e shqetësuar. Është një skandal ky që po ndodh me këto portrete. Mirë që nuk na ndihmojnë me më minimalet, po na fyejnë dinjitetin tonë me këtë rast kaq flagrant”, kështu deklaroi dje mes emocioneve Mjeshtrja Duka, e cila më pas e pranon aktualitetin e këtij kompleksi, por nuk pranon që gjithçka që ka qenë pjesë e tij të dalë kësisoj. “A e dini se ish-volejbollisti i madh i Dinamos dhe i Kombëtares sonë, Shaban Uka, ka blerë këto ditë në treg fotot e tij! Natyrisht që evoluimi i jetës sociale e asaj sportive e priste një situatë të prishjes së Kompleksit “Dinamo”, dhe ne këtë si qytetarë e kuptojmë në të mirën e sporteve. Dhe jo, se jemi nostalgjikë për kohën tonë, por se në ato pjesë të muzeut që përfaqësonin epokën e Dinamos në vite, të ishin prezent diku, sepse Dinamo e ka merituar vendin e saj në elitën në sportet shqiptare. Emri i saj do të mbetet i skalitur, edhe pse sot ky klub po lëngon. Por jo si rezultat i mungesës së talenteve, veçse nga politika e ditës në Shqipëri me sportet”. Ky shqetësim i figurave të mëdha të sportit shqiptar në vite, sot nuk duhet të bjerë në vesh të e shurdhër. Duhet të gjëmojë deri në instancat më të larta, pse jo, së pari në atë të Ministrisë që e ka “nën sqetull” sportin, të Ministrisë që përfaqëson kulturën shqiptare, e më tej. “Me këtë gjest, më shqetëson fakti se çfarë do t’i flasim ne brezit të ri për këtë Dinamo, për volejbollin e fermave e të meshkujve që ka arritur deri në elitën e Evropës. Po kështu ka ndodhur edhe me sportet e tjera, por që sot po shitemi për 300 lekë të reja në tregun e lirë. Sa turp! Duhet të ndërhyjnë pushtetarët, të mos na lenë që të denigrohemi më shumë”, kështu e mbylli shqetësimin e saj Lulzime Duka, e cila tha se nuk do të qëndronte indiferente përballë këtij skandali.
Me këtë gjest, veç të tjerave më shqetëson fakti, se çfarë do t’i flasim ne brezit të ri për këtë Dinamo, për volejbollin e fermave e të meshkujve që ka arritur deri në elitën e Evropës. Po kështu ka ndodhur edhe me sportet e tjera, por që sot po shitemi për 300 lekë të reja në tregun e lirë. Sa turp! Duhet të ndërhyjnë pushtetarët, të mos na lenë që të denigrohemi më shumë
Historia e Dinamos
Klubi Sportiv “Dinamo” u themelua në vitin 1950, si një klub sportiv nën vartësinë e ish-Ministrisë së Brendshme. Edhe pse ishte një emër i huazuar nga ish-vendet e Evropës Lindore, me të cilat ish-sistemi komunist në Shqipëri kërkonte të bënte fotokopje edhe në sport, Dinamo u përfaqësua me dinjitet në të gjitha sportet. Natyrisht që veçohet shkolla e volejbollit të Dinamos, me meshkujt më parë e më pas me Legjendat e ekipit të femrave, të cilat edhe sot mbeten si të gjalla në historinë e volejbollit tonë. Ndërkohë që futbolli i këtij klubi, ka nxjerrë emra të mëdhenj që përfaqësuan Dinamon e Kombëtaren, dhe bënë emër në gjithë Evropën. Të flasësh për Dinamon e të paktën deri 10 apo 15 vite më parë, do të duheshin shumë radhë, sepse e tillë është historia e saj, por që ta mbrosh këtë histori edhe me kaq, është një detyrim fisnik, që në gazetën “Telegraf” nuk do të mbyllet me këto radhë.
UEFA vjen në Tiranë, zgjedhjet-çështja e “nxehtë”
Këtë javë pritet që UEFA të thotë fjalën e saj, sa i përket fushatës zgjedhore për President në FSHF, njëherësh edhe për anëtarë në Komitetin Ekzekutiv të saj. Kjo edhe për të treguar se FSHF-ja nuk është “zi” sikundër edhe akuzohet, por edhe për të sjellë reagimin e UEFA-s, e cila duke e quajtur këtë proces si një çështje të nxehtë edhe në Evropë, do të zbarkojë në Tiranë me zëvendëspresidentin e saj, Grikori Surkis. Ai do të ketë takime me presidentin Ilir Meta, si dhe me kryeministrin Edi Rama, ku në faqen zyrtare të UEFA-s theksohet mes të tjerave, se në këtë ardhje në Tiranë, Surkis si temë kryesore do të ketë përfshirjen e politikës në sport, më konkretisht në futboll. Gjithsesi, ardhja e tij pritet që të zbardhë edhe ndonjë detaj të pa mësuar deri më sot, në këto ditë ‘të hallakatura’ të fushatës.


Sigal