Lubjana flet shqip

529
Sigal

Mijëra tifozë shqiptarë ishin të pranishëm në stadiumin “Stozice” të Lubjanës, por fundi ishte i hidhur

 Mijëra tifozë kuqezinj ndezën dje sheshet kryesore dhe rrugët që të çonin në stadiumin “Stozice Stadium” të Lubjanës, kryeqytetit Sllovenisë, atje ku për 90 minuta nuk pushuan thirrjet “Shqipëri! Shqipëri!”. Të ardhur nga çdo cep i Europës, tifozët shqiptare i shtuan ngjyrat kuq e zi dekorit të Lubjanjës, duke krijuar një atmosferë të këndshme. Madje duke qenë dukshëm më të shumtë në numër në “Stozice”. Të veshur, të lyer, të vizatuar me ngjyrat e simbolet kombëtare, tifozët treguan se Shqipëria po krijon një identitet të ri, një fe të re: futbollin. Dhe kur bëhet fjalë për Kombëtaren Etnike, qindrat dhe mijërat e kilometrave të përshkuara, lodhja në makinë apo autobusë, nuk llogaritet. Në Lubjanë kishte tifozë nga Tirana, Shkodra, Prishtina, Ulqini, Tetova, Vjena, Parisi, Praga, Berlini, Roma, Milano, Gjeneva, Rijeka, Zagrebi, Bazeli, Munihu, Brukseli. Një Europë e vogël me shqiptarë në zemër të Sllovenisë.

 Një minutë zi për Artan Bushatin

 Para fillimit të ndeshjes, me miratimin e FIFA-s dhe në marrëveshje mes dy federatave të futbollit, të Sllovenisë dhe Shqipërisë, u mbajt një minutë heshtje në respekt të ish-trajnerit të Kombëtares U-21, të Vllaznisë dhe Elbasanit, Artan Bushati, të ndarë nga jeta vetëm disa ditë më parë nga një sëmundje e rëndë. Kujtimi i tij u përcoll me respekt në stadiumin “Stoziçe”, ndërsa lojtarët tanë luajtën me shirit të zi në krah.

Një dorë ndihmë edhe nga FIFA

 FIFA hapi dje dritën jeshile të aktivizimit me Shqipërinë të tre lojtarëve me potencial si Vullnet Basha, vëllai i Migjen Bashës, që aktivizohet në Zvicër me Sion, Amir Abrashi, që luan me Grasshopersin në Zvicër, dhe Agon Mehmeti, i cili thirret për herë të parë me kuqezinjtë dhe është pjesë e Olhanense në Portugali. Dy të parët luajnë në rolin e mesfushorit, ndërsa i treti bën sulmuesin. Dje luajtën sulmuesi Mehemeti dhe mesfushori Abrashi.

Kapiteni i Shqipërisë ka zhvilluar 25 ndeshje, po aq sa Igli Tare. Vata, i dyti me 26

 Lorik Cana, tri ndeshje larg Ervin Skelës

  Nga Enver Tonuzi

 Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, vazhdon të marrë kreun e listave statistikore në kombëtaren tonë. Po i  referohemi  aktualisht vetëm eliminatoreve të botërorëve.  Të paktën dhe 3 ndeshje i kanë mbetur Kombëtares së Shqipërisë deri në fund të eliminatoreve të Botërorit të 20-të. 3 ndeshje me shumë se Cana ka luajtur në eliminatoret e botërorëve Ervin Skela i cili udhëheq këtë listë me 28 ndeshje. Cana ka deri tani 25…dhe mund ta barazojë ish shokun e ekipit deri në fund të ndeshjeve në grupe… ndoshta dhe e kalon! Cana është lojtari pjasëmarrës që ka grumbulluar më shumë në këto eliminatore – 25 pikë në 24 ndeshje të deritanishme. Ai ndiqet nga Erjon Bogdani me 22 pikë në 23 ndeshje dhe Ervin Skela me 20 pikë në 28 ndeshje. Lorik Cana ka “në dorë” dhe rekordin e  minutave të luajtura si  kuqezi. Deri edhe pas ndeshjes ndaj Sllovenisë, futbollisti me më shumë minuta të luajtura do të jetë kapiteni legjenda kuqezi, Rudi Vata i cili ka luajtur për Shqipërinë në botërorët 2282 minuta. Ndërkohë që Cana ka luajtur 2250 minuta.

MË SHUMË NDESHJE

28   Ervin Skela

26   Rudi Vata

25   Igli Tare

25   Lorik Cana

24   Foto Strakosha

23   Erjon Bogdani

23   Altin Haxhi

22   Altin Lala

20   Alban Bushi

 Foto Lajm

Një flamur i Partizanit në Rusi-Luksemburg

 Një tifoz i thekur i Partizanit ka publikuar një foto interesante në rrjetin social “Facebook”, duke mbajtur një flamur të Partizanit gjatë ndeshjes ndërkombëtare Rusi-Luksemburg (4-1), të zhvilluar dje në stadiumin “Stadiumin Qëndror Kazan” (30 mijë vende), në Kazan të Rusisë. Më parë ai quhej “Vladimir Iliç Lenin”. Në këtë stadium i luan ndeshjet Rubin Kazani. Takimi ishte i vlefshëm për kualifikueset e Botërorit 2014. Fotoja bëri xhiron në rrjetin social.

   Kukësi, 37 mijë euro gjobë nga UEFA

 Pas gjobës 27 mijë eurosh, Kukësi merr nga UEFA edhe një tjetër për 10 mijë euro për përdorim të lazerave nga tifozët ndaj Flora Talinit, në ndeshjen e turi të parë të Ligës së Europës. Pra, 37 mijë euro gjobë në total. Para disa ditësh, Komisioni i Disiplinës dhe Integritetit ka shokuar klubin e Kukësit me gjobat e “majme” që ka vendosur në adresë të tyre për dy ndeshjet kualifikuese të turit të dytë dhe të tretë në “Qemal Stafa”, ndaj Sarajevos dhe Metalurgut. Për takimin e 22 gushtit ndaj Sarajevos, ky komision e ka gjobitur Kukësin me 14 mijë euro, gjobë që është vulosur nga kryetari i këtij komisioni, Emilio Gracia. Si shkelje të sjelljes së tifozëve, janë renditur laseri dhe hedhja në fushë e tri shisheve plastike nga ata. Nëse pala ndëshkuese nuk apelon vendimin, atëherë gjoba duhet paguar brenda 90 ditëve. Ndërsa me Metalurgun thuajse janë përsëritur të njëjtat gjëra, veçse është shtuar një tymuese dhe për këtë gjoba ka qenë 13 mijë euro.

 Trajnerët: “Merkato të mbyllet, më 15 gusht”

 Në forumin dyditor që u organizua nga UEFA në Nion të Zvicrës, trajnerët më të mirë të kontinentit kanë përfituar nga rasti dhe kanë propozuar një ide që do t’u shkonte për shtat kolegëve të tyre. Bëhet fjalë për merkaton, më saktë për afatet kur ajo duhet të mbyllet. Teknikët kanë qenë të gjithë njëzëri kur kanë kërkuar që transfertat e futbollistëve të bëhen deri më datë 15 gusht. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Duke qenë se kampionatet fillojnë pak më para, atëherë teknikët duan që t’i përgatisin skuadrat e tyre me lojtarët të qetë dhe të bindur në zgjedhjet që kanë bërë. Gjatë këtij forumi UEFA vlerësoi disa prej trajnerëve që, sipas Platinisë, “kanë dhënë një kontribut të madh në futboll”. Ata janë Ferguson, Venger dhe Ançeloti. Respektivisht këta trajnerë kanë qenë pjesë e Ligës së Kampioneve me 202, 152 dhe 117 takime.