Kupa e Shqipërisë, gafa e Cakës rrëzon Tiranën

447
Sigal

Skënderbeu, Flamurtari e Laçi me një këmbë në turin e tretë. Zhgënjëjnë Kukësi e Teuta

 Rezultatet e ndeshjeve të para të turit të dytë të Edicioni të 62-të Kupës së Shqipërisë favorizuan skuadrat që fituan në transfertë, ndërkohë që Tirana vazhdoi serinë e rezultateve negative. Në tetë stadiume të vendit, Tiranë, Fier, Lushnjë, Kavajë, Berat, Ballsh, Peqin e Mamurras u zhvilluan “aktet” e para. Më të favorizuar nga ndeshjet e tyrit të parë dolën Skënderbeu, Flamurtari e Laçi, të cilët fituan në transfertë. Ndeshjet e kthimit të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë do të luhen më 18 dhjetor.

 GRUPI A

 MAMURRASI-SKËNDERBEU 1-4

Skënderbeu nuk ka pasur mëshirë për Mamurrasin e Kategorisë së Parë, duke fituar 4-1, madje mamurrzakët e realizuan golin e nderit vetëm në fund të takimit, kur Bledar Marashi shënoi në minutën e 87-të. Goleada e kampionëve në fuqi dhe liderit të Kategorisë Superiore nisi në pjesën e dytë me anë të Morinës (58’), dygolëshit të Tahirllarit (66’ e 80’) dhe firmën e Tomiçit (78’). Një kualifikim i pritshëm i katër herë kampionëve në turin e tretë, nisur edhe nga dorëzimi “vullnetar” i Mamurrasit të Ylber Zanit.

 SHKUMBINI-TEUTA 0-0

Teuta vazhdon të zhgënjejë edhe në Kupën e Shqipërisë. Skuadra durrsake në ndeshjen e tretë nën drejtimin e Sorentinos nuk ka arritur të gjejë dot fitoren ndaj Shkumbinit të Kategorisë së Parë. Peqinasit luajtën edhe kësaj here me formacionin e dytë, duke dëshmuar se nuk kanë asnjë pretendim në Kupë, ndaj nuk kanë motiv për t’iu bërë pengesë Teutës në rrugëtimin e saj në kompeticionin e dytë kombëtar për nga rëndësia. Gjithsesi, 90 minutat e kthimit në “Niko Dovana” janë në favorin e Teutës.

 LUSHNJA-TIRANA   1-0

Lushnja-Tirana ishte një “replay” i ndeshjes së katër ditë më parë në “Roza Haxhiu” për kampionat. Në atë ndeshje, Lushnja fitoi 2-1 me Sokol Bulkun në bankinën e Tiranës, ndërkohë që në takimin e kupës në stolin bardheblu ishte trajneri i ri Gugash Magani. Një gabim i pafalsshëm portierit Caka në pjesën e parë i ka dhënë mundësinë Fatjon Topit që të shënojë dhe ta vulosë fatin e duelit në minutën e 17-të. Trajneri peqinasi debutoi me humbje në stolin e Tiranës, me shpresën dhe mundësitë reale për të përmbysur gjithçka pas dy javësh, kur ta presë Lushnjën në kryeqytet.

LAÇI-BESA 0-2

Fitorja 2-0 e Laçit në Kavajë i jep të drejtë skuadrës së Stavri Nicës të ëndërrojë qysh tani turin e tretë. Fitorja 2-0 në Kavajë ia mundëson pa shumë probleme kualifikimin për më tej. Vucaj dhe Ndreca janë autorët e dy golave bardhezinj, që kanë superuar me lehtësi formacionin rezervë të kavajasve. Ky fakt tregon se verdhezinjtë do t’i përqendrojnë forcat në kampionat, ku synojnë mbijetesën, pa shpenzuar energji në Kupën e Shqipërisë. Kjo gjë ia bën më të lehtë misionin fituesit në fuqi të këtij kompeticioni, i cili tenton të shkojë sa më larg në Kupë.

GRUPI B

 PARTIZANI-VLLAZNIA 0-0

Kryesfida e grupit B dhe e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë,  Partizani-Vllaznia, u mbyll në barazim pa gola pavarësisht lojës së fortë dhe dëshirës së madhe të të dyja palëve. Si Partizani, ashtu dhe Vllaznia, shpërdoruan disa raste shënimi, por rastin më të pastër e patën shkodranët. Gjithçka mbetet e hapur në këtë çift, sa i takon skuadrës që do përparojë në turin e tretë. Do të jetë sfida e kthimit në “Loro Boriçi” ajo që do të vensosë, nëse Vllaznia, gjashtë herë fituese e Kupës do të vazhdojë në turin e tretë, apo Partizani që e ka fituar 15 herë kompeticionin.

 

BYLISI-KASTRIOTI 1-1

Në harkun e katër ditëve, Bylisi e Kastrioti sfiduan njëri-tjetrin në kampionat dhe në kupë. Pas humbjes së përfolur 2-1 në kampionat në Krujë (goli i dytë i Shetës vazhdon të jetë nën akuzë), dy skuadrat barazuan 1-1 në “Adush Muça” të Ballshit. Artan Karapici e kaloi në avantazh Kastriotin në minutën e 32-të, me një gjuajtje perfekte nga goditja e dënimit, ndërkohë që pas pesë minutash barazoi Endri Bakiu për Bylisin. Gjithçka është e hapur në kualifikimin në Krujë, aty ku Kastrioti është i favorizuar për shkak të golit në fushën kundërshtare.

APOLONIA-KUKËSI 1-0

Një gol në kohën shtesë i Papës (91’) i dha fitoren Apolonisë në sfidën me Kukësin, duke u prishur disi “humorin” nënkampionëve të vendit, që mbërritën në “Loni Papuçiu” pas katër fitoreve rresht.

Kukësi, pavarësisht kësaj disfate minimale ka potencialin dhe karikimin e duhur për ta kthyer gjithçka në favorin e vet pas dy javësh, kur të luajë në “Zeqir Ymeri”. Referuar situatave të të dyja skuadrave në fjalë, pritshmëritë janë që skuadra e Shensojit të superojë disavantazhin e Fierit dhe të kalojë në turin e tretë të këtij kompeticioni.

 TOMORI-FLAMURTARI 0-2

Flamurtari është më një këmbë në turin e tretë, falë fitores 2-0 me Tomorin në Berat. Golat për vlonjatët u shënuan nga Orjad Beqiri (32’) dhe Ardit Shehaj (45’+2). Beratasit e kishin deklaruar edhe më parë se, nuk kanë asnjë pretendim në këtë kompeticion, ndaj ndeshja e kthimit në Vlorë do të jetë thjesht një formalitet për Gjokën dhe të tijtë, që kësaj here i janë falur golit të Beqirit dhe Ardit Shehajt.

 Kupa e Shqipërisë

Turi i dytë eliminator

Grupi A

MAMURRASI-SKËNDERBEU   1-4

Golat: Marashi 87’ / Morina 58’, Tahirllari 66’, 80’, Tomic 78’

SHKUMBINI-TEUTA   0-0

LUSHNJA-TIRANA   1-0

Golat: Topi 17’

BESA-LAÇI   0-2

Golat: Vucaj 45’, Ndreca 74’

Gjyqtarë: O.Sokoli, N.Bregasi, B.Mesi

Grupi B

APOLONIA-KUKËSI   1-0

Golat: Papa 90+1’

TOMORI-FLAMURTARI   0-2

Golat: Beqiri 32’, A.Shehaj 45+2’

PARTIZANI-VLLAZNIA   0-0

BYLISI-KASTRIOTI   1-1

Golat: Bakiu 37’ / Karapici 32’

 Turi i tretë

 Takimet e turit të tretë do të zhvillohen vitin tjetër më 12 dhe 26 shkurt, teksa për përcaktimin e çifteve gjysmëfinaliste do të hidhet short i lirë ndërmjet 4 ekipeve të kualifikuara në këtë tur. Ndeshjet do të luhen më 26 mars dhe 9 prill 2014. Ndërsa finalja e Kupës së Shqipërisë do të zhvillohet në 17 maj 2014 në një stadium të përcaktuar nga FSHF-ja. Nëse dy ekipet janë nga i njëjti qytet, atëherë ndeshja finale luhet në stadiumin përkatës të atij qyteti. Ekipi pritës për ndeshjen finale do përcaktohet me short të lirë. Trofeu i Kupës së Shqipërisë është i dyti për nga rëndësia në kampionatin shqiptar. Kjo për dy arsye: së pari për financat që të sjell (FSHF-ja jep 50 milionë lekë) dhe, së dyti, për faktin se fituesi merr pjesë në turin e parë të Ligës së Europës (pra merr minimalisht 120 mijë euro, gjithnjë nëse nuk arrin të kualifikohet në turin e dytë, ku shifrat rriten në proporcion).

 Dhjetë fituesit

 Janë dhjetë skuadra të cilat e kanë fituar të paktën nga një herë Kupën e Shqipërisë: Partizani (15), Tirana (15 trofe), Dinamo (13), Vllaznia (6), Flamurtari (3), Teuta (3), Elbasanin (2), Apolonia (1), Besa (1) dhe së fundi Laçi (1). Fituesi i fundit i Kupës është Laçi, që mundi në finale e sezonit të kaluar, Bylisin me rezultatin 1-0.

Gjasula shënon në Bullgari, asist edhe Armando Vajushi

 Jurgen Gjasula shënoi golin e tretë të Liteksit të Loveçit, në fitoren 3-1 ndaj Çernomorc Burgasit në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të të kampionatit bullgar. Gil realizoi dy gola për Liteskin në minutat 6’ e 38’, falë asistëve të Armando Vajushit dhe Jurgen Gjasulës. Pehlivanov të shkurtonte rezultatin në 2-1 në minutën e 67-të. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Jurgen Gjasula, firmosi me penallti golin e tretë në minutën e 76-të. Për tiranasin ky ishte goli i tij i 8-të në sezonin e tij të parë me Liteksin, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të ekipit. Liteksin ndodhet në vendin e dytë.