INTERVISTA/ Daniel Xhafaj: Në futbollin shqiptar është koha për ndryshime të reja, këtë e bëjnë ekipet elitare

534
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-kryegolashënuesi i Kategorisë Superiore, nga Amerika tregon interesin për futbollin shqiptar, ja sugjerimet
Nuk mund t’i shpëtonte Daniel Xhafaj fokusit të tij në Kategorinë Superiore, dhe më e veçantë është, se ai ndodhet në Amerikë së bashku me familjen, por që Kategorinë Superiore e ndjek periodikisht. Në intervistën për gazetën “Telegraf”, dje Xhafaj theksoi, midis të tjerave, se në Superiore është koha për ndryshime, për ide të reja, sepse po dështohet vit pas viti dhe kostot i marrin lojtarët me trajnerët. “E di që, Disiplina në FSHF ka dhënë disa vendime për drejtues e trajnerë, për çka ndodhi pas ndeshjes me Vllazninë. Unë mendoj se ka edhe një zgjidhje përpos vendimeve dhe palët duhet të ulen për ta stabilizuar këtë situatë, e cila për mua si shkak kryesor ka vendimet e arbitrave”, kështu theksoi mes të tjerash Xhafaj në këtë intervistë.
Nga Amerika ju deklaroni se e ndiqni periodikisht Kategorinë Superiore në Shqipëri, si e mundësoni këtë?
Pasioni për futbollin e, natyrisht, për atë futboll, ku unë u rrita, u formova dhe u largova vetëm fizikisht prej tij, të bën të kërkosh e për pasojë, gjendet mundësia. Televizioni ma bën edhe më të afërt Kategorinë Superiore, pasi në ditët e ndeshjeve aty, më duhet që të ndryshoj shumë gjëra në jetën time të përditshme.

Ju me çfarë jeni duke u marrë aktualisht, me sport, me futboll apo jashtë tyre?
Nuk mund ta mendoj veten ndryshe edhe këtu në Amerikë. Unë prej dy vitesh jam pjesë e akademisë “Celtic”, në Clearuoter të Floridas, në rolin e drejtorit për moshat nga 15 deri në 19 vjeç, djem dhe vajza. Ndërkohë që jam edhe trajner me ekipin e datëlindjes 2002, për djem.

Në këto dy vite larguar nga Shqipëria, çfarë ndryshime konstatoni në futbollin e Kategorisë Superiore?
Një vit pasi unë kisha ardhur këtu në Florida, Tirana zbriti për herë të parë në Kategorinë e Parë, dhe së bashku me Dinamon, ishin dy mungesa të mëdha dhe një humbje për Superioren, për cilësinë dhe vlerat që kanë këto ekipe. Futbollin e madh e bëjnë ekipet elitare, që këtë sezon munguan.

Në këtë këndvështrim, keni ndonjë sugjerim se si mund të ndryshojë kjo situatë?
Së pari, mendoj se duhen njerëz me ide të reja në futbollin shqiptar, duhet një organizim i ri që t’i shërbejë sa më mirë progresit. Duke e parë në disa tregues, shohim se ka dështime, dhe për këtë situatë, fajin e kanë ata që e drejtojnë futbollin, dhe jo lojtarët apo trajnerët e tyre.

Për rreth 20 vite karrierë, ju keni luajtur me 7 skuadra në kohë të ndryshme, sa jeni në dijeni për situatën në skuadrën “mëmë” (Flamurtarin),?
E di që, Disiplina në FSHF ka dhënë disa vendime për drejtues e trajnerë, për çka ndodhi pas ndeshjes me Vllazninë. Unë mendoj se ka edhe një zgjidhje përpos vendimeve, dhe palët duhet të ulen për ta stabilizuar këtë situatë, e cila për mua si shkak kryesor ka vendimet e arbitrave.

Sa ka ndikuar situata e Skënderbeut në vazhdimësinë e garës në Kategorinë Superiore?
Në gjykimin tim, nuk duhet të ndodhte kjo situatë, e duke qenë se është në proces gjykimi në shkallë të tjera, shpresoj të zgjidhet në favor të Skënderbeut. Nga ana tjetër, kjo situatë nuk ka pse të ndikojë negativisht te skuadrat e tjera, sepse Skënderbeu po na përfaqëson denjësisht në Evropë.

Janë disa skuadra të mëdha në futbollin tonë që diskutojnë mbijetesën, ju si e mendoni ecurinë e tyre?
Nëse është fjala për Vllazninë e Teutën, edhe unë ndjej një keqardhje për situatën e tyre në zonën e mbijetesës. Me rezultatet që arritën sot (dje)
Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë në Superiore, menaxhimi, drejtimi apo forma e garës?
Unë mendoj se, është koha që të bëhen ndryshime me strukturat e klubeve, por edhe me menaxhimin e tyre. Duke iu referuar Partizanit e Flamurtarit në këtë sezon, domosdoshmëria për një ndryshim mbetet imediate. Të mos presim që fatin e Tiranës e Dinamos, ta kenë edhe skuadra të tjera.
Në Superiore ka ekipe të mira, por ka edhe futbollistë shumë të mirë, ku unë do veçoja; 
Gurin, Abazajn dhe Bregun, por më pëlqen edhe Uzuni i Laçit. Këta duhet të bëhen modeli i progresit për talentet shqiptare, sepse ka shumë të tillë, por që iu mungon menaxhimi
481 ndeshje
Ky është numri i ndeshjeve që Daniel Xhafaj ka luajtur në Kategorinë Superiore, në harkun e viteve 1995-2015
207 gola
Ky është numri i golave që Daniel Xhafaj ka shënuar në Kategorinë Superiore në harkun e viteve 1995-2015
Sigal