Gjeorgjia, eksperimenti i fundit Xhani De Biazit para Norvegjisë

1343
Sigal

 Thirret për herë të parë me Kombëtaren, Elseid Hysaj i Empolit. 11 kampionate në skuadrën kuqezi

Më në fund, dhjetë ditë pasi trajneri i Gjeorgjisë, Temuri Ketsabia kishte shpallur listën e tij, edhe ai i Shqipërisë, Xhani De Biazi, mori “guximin” për të bërë publike emrat e lojtarëve të thirrur për miqësoren e 6 shkurtit. Janë emrat e zakonshëm, me përjashtim të talentit 19-vjeçar Elseid Hysaj, i cili aktivizohet me Empolin në Serinë B italiane. Rikthehen në vëmendjen e italianit Erjon Dushku (Tirana), Erjon Vuçaj (Laçi) dhe Gjergji Muzaka (ky nuk ftohej qysh nga miqësorja me Iranin, në maj), ndërkohë që janë sërish Bekim Balaj dhe Armando Vajushi, të cilët ishin thirrur edhe për testin me Kamerunin. Miqësorja me Gjeorgjinë është testi i fundit, përpara ndeshjes zyrtare me Norvegjinë (22 mars 2013, në Oslo), një takim ky i rëndësishëm, pasi norvegjezët e vendit të dytë kanë vetëm një pikë më shumë se ne. Lojtarët e thirrur nga Xhani De Biazi luajnë në njëmbëdhjetë kampionate të ndryshme: Shqipëri (5: Erjon Dushku, Tefik Osmani, Renato Arapi, Gjergji Muzaka, Erjon Vuçaj); Azerbajxhan (1: Ansi Agolli); Itali (4: Samir Ujkani, Lorik Cana, Erjon Bogdani, Elseid Hysaj); Gjermani (3: Alban Meha, Odise Roshi, Mërgim Mavraj), Ukrainë (1: Elis Bakaj); Suedi (1: Etrit Berisha); Zvicër (1: Armando Sadiku), Greqi (2: Andi Lila, Emiljano Vila); Bullgari (1: Armando Vajushi), Çeki (1: Bekim Balaj) dhe Irani (1: Ervin Bulku). Përpara miqësores së 6 shkurtit, Shqipëria renditet e 63-të në ranglistën botërore të hartuar nga FIFA (e 29-të në UEFA), ndërkohë që Gjeorgjia pozicionohet në vendin e 72-të (e 33-ta në UEFA), pra kemi një diferencë vendesh me gjeorgjianët. Shqipëria dhe Gjeorgjia janë ndeshur 12 herë midis tyre, përfshirë takimet zyrtare dhe miqësore, nga ndeshje e parë, ajo e 14 dhjetorit të vitit 1994, kur humbëm 1-0 në “Qemal Stafa” dhe deri tek e fundit në Tbilisi, kur humbëm 2-1. Tetë ndeshja janë zyrtare, tri miqësore dhe një takim në fushë asnjanëse, në Maltë, për turneun ndërkombëtar “Kupa Rothmans”. Bilanci është negativ: 3 fitore, 2 barazime dhe 7 humbje. Shqipëria zhvilloi vitin e kaluar, jo pak por pesë miqësore: një luks për çdo trajner, për më tepër kur në përfundim të tyre bilanci është plotësisht pozitiv: dy fitore, dy barazime dhe një humbje. Aventura e Kombëtares me De Biazin në bankinë nisi me ndeshjen Gjeorgji-Shqipëri 2-1 (29 shkurt, në Tbilisi), por me portierin Samir Ujkani që priti dy penallti, ndërkohë që Edgar Çani realizoi golin e tij të parë me Kombëtaren, pikërisht në ndeshjen e tij të parë me fanellën kuqezi. Një ndeshje e humbur më shumë si pasojë e gabimeve të gjyqtarit. Më 22 maj, Shqipëria luajti një miqësore të rrallë me Katarin, një takim i zhvilluar në Madrid. Kombëtarja fitoi 2-1 me golat e Elis Bakajt (46’) dhe Erjon Bogdanit (50’). Pesë ditë më pas, më 27 maj, Shqipëria fitoi 1-0 miqësoren me Iranin, në Stamboll, falë një goli të Emiljano Vilës (60’), duke dëshmuar se shpesh herë statistikat e renditjeve në FIFA nuk vlejnë, po të kemi parasysh se iranianët vinin në testin e Stambollit, me plot +33 vende në ranglistën botërore prej 208 shtetesh. Më 15 gusht, Shqipëria bëri një paraqitje të varfër në barazimin 0-0 ndaj një Moldavie, që ndodhet 58 vende më dobët se ne në renditjen e FIFA-s, pikërisht në premierën shqiptare në “Qemal Stafa”, të trajnerit italian. Barazim pa gola pati edhe ndaj Kamerunit të Samuel Etosë, një ndeshje e luajtur në Gjenevë të Zvicrës, më 14 nëntor 2012, por me një paraqitje të mirë të kuqezinjve, pavarësisht se afrikanët goditën një herë shtyllën e portës së mbrojtur nga Etrit Berisha. De Biazi ka një bilanc pozitiv në ndeshjet miqësore: dy fitore, një barazim dhe një humbje.

PRECEDENTËT ME GJEORGJINË

 14.12.1994, zyrtare

Shqipëri-Gjeorgji 0-1

26.04.1995, zyrtare

Gjeorgji-Shqipëri 2-0

08.02.1998, turne nd.

Shqipëri-Gjeorgji 0-1

05.09.1998, zyrtare

Gjeorgji-Shqipëri 2-0

09.10.1999, zyrtare

Shqipëri-Gjeorgji 2-1

06.09.2003, zyrtare

Gjeorgji-Shqipëri 3-0

10.09.2003, zyrtare

Shqipëri-Gjeorgji 3-1

08.09.2004, zyrtare

Gjeorgji-Shqipëri 2-0

04.06.2005, zyrtare

Shqipëri-Gjeorgji 3-2

22.03.2006, miqësore

Shqipëri-Gjeorgji 0-0

10.06.2009, miqësore

Shqipëri-Gjeorgji 1-1

29.02.2012, miqësore

Gjeorgji-Shqipëri 2-1

Bilanci: 12 ndeshje; 3 fitore, 2 barazime dhe 7 humbje

LISTA E LOJTARËVE

Nr Emri Mbiemri            Skuadra

PORTIERË

1 Samir Ujkani       Kievo

2 Etrit Berisha            Kalmar

MBROJTËS

3 Lorik Cana         Lacio

4 Erjon Dushku       Tirana

5 Debatik Curri            Genshlerbirlixhi

6 Andi Lila          PAS Jannina

7 Mërgim Mavraj            Greuther Furth

8 Renato Arapi       Skënderbeu

9 Elseid Hysaj       Empoli

10 Tefik Osmani            Teuta

MESFUSHORË

11 Alban Meha        Paderborn 07

12 Emilian Vila            PAS Jannina

13 Gjergj Muzaka     Flamurtari

14 Ansi Agolli       Karabak

15 Armando Vajushi   Liteks Loveç

16 Ervin Bulku       Sepahan

17 Erjon Vucaj       Laçi

18 Elis Bakaj        Çernomorets

19 Odise Roshi       FSV Frankfurt

20 Armando Sadiku    Lugano

21 Erjon Bodgani     Siena

22 Bekim Balaj       Sparta Praga

  De Biazi, sot para mediave

 Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, do të dalë sot para mediave, për të mbrojtur përzgjedhjet e lojtarëve dhe bashkëbiseduar me gazetarët, në prag të ndeshjes miqësore Shqipëri-Gjeorgji. Konferenca për shtyp do të mbahet në orën 10:30, në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit.

 Nga Gjeorgjia, te Gjeorgjia

 Gjeorgjia lidhet mgushtë me emrin e Xhani De Biazit. Pikërisht, kundër ish-republikës sovjetike debutoi italiani në bankinën e Shqipërisë. Kombëtarja jonë humbi 2-1 në miqësoren e Tbilisit, në shkurt të vitit 2012. Në atë takim, portieri shqiptar Samir Ujkani priti dy penallti. Golin kuqezi e shënoi Edgar Çani.

 Çmime të lira për biletat

 Federata Shqiptare ka vendosur çmime të pranueshme të biletave, për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Gjeorgji (6 shkurt, 19:00). Biletat në tribunat A+B kushtojnë 1500 lekë (kategoria A) dhe 1000 lekë (kategoria B); ato në tribunë D2 kushtojnë 700 lekë, dhe në tribunat D1 dhe D3 nga 400 lekë, C dhe E, nga 200 lekë.

 Shtatë goleadorë në grup

 Nga grupi aktual të thirrur kundër Gjeorgjisë, janë të paktën shtatë lojtare që kanë shënuar të paktën një gol me përfaqësuesen. Erjon Bogdani kryeson me 17 gola. Golashënuesit e tjerë janë Lorik Cana (1), Ervin Bulku (1), Emiljano Vila (2), Armando Sadiku (1), Elis Bakaj (1), Odise Roshi (1).

 Humbje dramatike e Canës, fitore madhështore e Bogdanit

 Lacio e Lorik Canës pësoi në humbje dramatike 3-2 me Xhenoan, pasi goli fitues i gjenovezëve u shënua në minutën e 95-të. Mesfushori shqiptar luajti gjatë gjithë takimit. Ndeshja pati një rrjedhë shumë emocionuese. Borrielo dhe Bertolaçi i dhanë avantazhin e dyfishtë Xhenoas, teksa kishin kaluar vetëm 22 minuta lojë, duke e mbyllur në avantazh 2-0 për ta pjesën e parë. Në fraksionin e dytë, Lacio shpërtheu duke barazuar rezultatin në 2-2, më anë të golave të Flokarit dhe Maurit (me penallti). Golin fitues të ndeshjes e shënoi Rigoni në minutën e 5-të shtesë.

 BOGDANI – Siena e sulmuesit Erjon Bogdani regjistroi një fitore të bukur 3-1 ndaj Interit. Golashënuesi më i mirë i Kombëtares shqiptare u fut në lojë në minutën e 82-të, kur rezultati ishte fiksuar tashmë. Bogdani bëri një paraqitje të mirë.

 UJKANI – Portieri shqiptar i Kievos, Samir Ujkani, ishte në bankinë në humbjen 2-1 me Juventusin. Portier i parë luajti Puxhoni. Ujkani u transferua ditët e fundit nga Palermo dhe ende nuk është ambientuar me skuadrën e tij të re.

 ROSHI – FSV Frankfurt i Odise Roshit humbi 2-0 në shtëpi me Ingolshtadt, në Bundesligën 2. Mesfushori shqiptar e nisi si titullar, por u zëvendësua në minutën e 75-të. Sulmuesi Edmond Kapllani vazhdon fazën e rikuperimit pas dëmtimit.