Bogdani: “Duhet një ndeshje e madhe kundër Norvegjisë”

428
Sigal

Golashënuesi më i mirë i Kombëtares: “Na nënvlerësuan në Oslo, prandaj dhe norvegjezët humbën”

Golashënuesi më i mirë i Kombëtares, Erjon Bogdani (19 gola),  e vlerëson në maksimum ndeshjen e radhës ndaj Norvegjisë (7 qershor, në “Qemal Stafa”), por dhe sulmuesi, ashtu si trajneri Xhani De Biazi, kërkon të ulë presionin ndaj shokëve të skuadrës. Bogdani, lojtari i tretë me më shumë ndeshje me Kombëtaren (76), vetëm tri më pak se rekordmeni Altin Lala (79) dhe Klodian Duro (78), falë eksperiencës së madhe në ndeshje të këtij niveli, “bomberi” kuqezi kërkon të mbajë me këmbë në tokë grupin, ndërsa shton se pavarësisht aktivizimit të pakët, po gëzon një formë të mirë. 36-vjeçari nuk e komentoi gjatë të ardhmen e tij, duke theksuar se në këto momente vëmendja e tij është përqendruar vetëm te përballja me Norvegjinë. “Kjo ndeshje është shumë më e vështirë se ajo që luajtëm në Oslo. Norvegjia këtë herë do të vij me ide të qarta, pasi e njeh mirë forcën tonë”, – tha sulmuesi i Sienës, në lidhje me fitoren 1-0 të Shqipërisë në “Uleval”, falë atij golit të mrekullueshëm të Hamdi Salihit, që e çoi Shqipërinë në vendin e dytë, me pikë të barabarta me Islandën (të dyja nga 9). “Ata u surprizuan nga ndeshja e parë, duke na nënvlerësuar, prandaj dhe humbën”, – shtoi Bogu, i cili ka shënuar së fundi atë gol të jashtëzakonshëm në fitoren 3-1 ndaj Qipros, në ndeshjen hapëse të eliminatoreve të Botërorit. “Unë kam bindjen se norvegjezët do të përgatiten për një ndeshje të madhe kundër nesh. Në këto kushte, ne duhet të bëjmë më shumë se sa bëmë në takimin e shkuar”, – theksoi sulmuesi veteran. Për Norvegjinë, ndeshja në “Qemal Stafa” ështe jetike për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në finalet e Brazilit, pasi për momentin ndodhen në vendin e katërt me shtatë pikë, dy më pak se Shqipëria dhe katër më pak se Zvicra e vendit të parë (11). Bogdani nuk nguroi të japë edhe recetën e suksesit aq shumë të pritur nga tifozeria kuqezi. “Duhet të jemi më të organizuar dhe më të përqendruar në fushë, duke dhënë maksimumin gjatë 90-minutëshit”. Pas pesë ndeshjeve të para, Shqipëria ka fituar tre nga pesë takimet, ndërkohë që tri ndeshjet në “Qemal Stafa”, ajo ka realizuar dy fitore (ndaj Qipros dhe Sllovenisë) dhe një humbje (ndaj Islandës).

 LILAJ

Në konferencën e zakonshme për shtyp u shfaq edhe mesfushori i Skënderbeut, Sabian Lilaj, një lojtar vazhdimisht nga trajneri Xhani De Biazi. “Kemi treguar që kemi një skuadër të mirë, e cila kohët e fundit ka bërë paraqitje dinjitoze dhe ka marr rezultate pozitive. Mendoj se me këtë formë që po kalon ekipi kam besim se do t’ia dalim edhe këtë radhë ndaj Norvegjisë”, – tha kampioni i freskët e Shqipërisë. “Ne jemi koshient që përball do të kemi një kundërshtar më të përqendruar se ai që pamë në Oslo, prandaj edhe ne duhet të bëjmë më shumë se sa bëmë në ndeshjen e vajtjes për të siguruar një rezultat pozitiv. Kemi disa mungesa të rëndësishme dhe në këtë pikë nuk është se ndihemi mirë, gjithsesi kemi besim të plotë tek të gjithë lopatarët që janë pjesë e ekipit kombëtar se do të futen në fushë me qëllimin për të dhënë maksimumin e tyre dhe për të ndihmuar skuadrën të hedh një hap drejt qëllimit të saj, që është ëndrra drejt Brazilit”, – përfundoi ish-lojtari i Tiranës, me një të kaluar edhe në Kroaci.

De Biazi “burgos” Kombëtaren

 Trajneri Xhani De Biazi është duke e përgatitur Kombëtaren në mënyrë hermetike, madje duke u shndërruar në një “xhelat” të medias. Tekniku italian po vazhdon me intensitet punën me grupin kuqezi, duke studiuar dhe testuar lojtarët që planifikon të aktivizojë titullarë në mbrëmjen e 7 qershorit në “Qemal Stafa“. Duke ditur rëndësinë e kësaj përballjeje, De Biazi nuk lejoi praninë e mediave në stërvitje, për të ruajtur përqëndrimin në grup. De Biazi deklaroi edhe gjatë konferencës për shtyp se, ai dëshironte të punontë në qetësi, duke e konsideruar atë si faktorin vendimtar për të pasur një ekip të karikuar. Trajneri italian është hera e parë që vendos këtë lloj “shtetrrethimi” ndaj mediave.

10 mijë flamuj kuqezi

 Dhjetë mijë flamuj do të shpërndahen falas për të gjithë tifozët që do të vendosen në tribunën kryesore dhe atë përkarshi, në ndeshjen Shqipëri-Norvegji (7 qershor). Familja Nuri ka vendosur të bëjë një sponsorizim të tillë, duke ndihmuar FSHF-në (kujtojmë se Lutfi Nuri është zëvëndespresidenti i FSHF-së). Veç dekorit që kanë përgatitur tifozët kuqezi, apo edhe grupimet nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, familja Nuri ka menduar ta bëjë ndeshjen me Norvegjinë të paharrueshme për të gjithë shqiptarët që do ta ndjekin atë nga shkallët e stadiumit. Ambienti në “Qemal Stafa” pritet t’i ngjajë dekorit të Shqipëri-Greqi, kur fituam 2-1 në vitin 2004, ndaj skuadrës që ishte shpallur vetëm dy muaj më parë Kampione e Europës.

Portieri shqiptar mund të kthehet te klubi siçilian, nën urdhrat e Xhenaro Gatuzos. Një vit më parë nuk la shije të mirë

 Ëndrra e Ujkanit: “Kthehem te Palermo dhe e çoj në Serinë A”

 Pas dy sezoneve të trazuara (rënia me Novarën dhe një sezon pak pozitiv te Palermo dhe te Kievo), portieri shqiptar i Palermos, Samir Ujkani, ka një ëndërr pas përfundimi të huazimit te klubit të Kampedelit (Kievos): dëshiron të kthehet në bluzën rozezëzë për të qenë protagonist në ringritjen e klubit të Zamparinit (Palermos) në Serinë A. “Nuk e di ende se ku do të luaj sezonin e ardhshëmm, – tha Ujkani për ‘Itasportpress.it’. – Po pres të flas me klubin e Palermos për të parë se çfarë do të vendosim të bëjmë. Unë dhe Palermo kemi qenë shumë mirë edhe pse aventura ime zgjati shumë pak këtë vit”. Në fakt, portieri i Kombëtares shqiptar nuk është se la ndonjë kujtim të bukur te tifozët e Palermos, pasi bëri shumë gafa që i kushtuan jo pak pikë skuadrës. Gjithsesi, edhe një portier me eksperiencë si Sorrentino (zëvendësoi Ujkanin), nuk është se ia doli të shmangë rënies e Palermos në Serinë B. Por, a është Ujkani portieri i duhur për të ringritur ekipin në Serinë A? “Më erdhi keq që, skuadra ra, – shton Ujkani, – por tani ne duhet të shohim përpara për të bërë gjithçka për ta çuar Palermon në Serinë A, atje ku meriton të jetë. Nëse do të isha portieri titullar do të isha i lumtur, por ajo varet nga shumë gjëra edhe nga trajenri i ardhshëm rozezi”. Trajneri i ri i Palermos është ish-legjenda e Milanit dhe e Kombëtares italiane, Xhenaro Gattuzo. Disa muaj më parë, presidenti i Palermos, Mauricio Zamparini, e konsideroi Ujkanin gjatë një konference shtypi, si “një nga portierët më të mirë emergjentë të Europës”. Gjithsesi, në Itali nuk mungojnë lajmet se, Samir Ujkani mund të jetë sërish në Serinë A. Bëhet fjalë për Torinon e Migjen Bashës, që duket se ka nisur të interesohet për portierin tonë. Ish-portieri i Novaras dhe Anderlehtit, disa ditë më parë kishte bërë të ditur se deri më tani, në adresë të tij nuk kishte arritur asnjë ofertë konkrete nga klube të tjera. Por pikërisht kur pritej rikthimi në Palermo, Ujkani mund të ndryshojë destinacion për të përfunduar në Torino, që po kërkon me ngulm një portier. Aktualisht, Ujkani ndodhet në grumbullim me Kombëtaren shqiptare, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Norvegjisë.

 Lacio e Tares ngulmon për Elseid Hysajn

 Elseid Hysaj vazhdon të jetë i kërkuar nga Lacio, fituesja e Kupës së Italisë. Mediat italiane shkruanin dje se, mesfushori me tipare mbrojtëse i Empolit të Serisë B është në planet e afërta të lacialëve, duke përmendur edhe disa argumente. Te Lacio lidhjet shqiptare janë të dukshme dhe të forta. Drejtor sportiv është Igli Tare, i cili vlerësohet me respekt në ambientin futbollistik italian. Te Lacio luan kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, i cili bëri një pjesë të dytë të sezonit të jashtëzakonshme, duke qenë titullar i padiskutueshëm. Me ekipin e parë po grumbullohet vazhdimisht, Thoma Strakosha (i thirrur së fundi si portier i Kombëtares U-21). Nga ana tjetër, Hysaj, i cili bëri një performancë të jashtëzakonshme me Empolin në Serinë B, duke fituar edhe një vend në Kombëtaren A, kërkohet edhe nga Fiorentina e Viçemco Montelës. Por, për të siç raportojnë gazetat në Itali interesohen edhe Xhenoa, Kievo, Udineze dhe Katania.

 Deputët duan të bëjnë “ambasador” Shaqiri

 Shtatëdhjetë e pesë deputetë të parlamentit të Kosovës kanë nënshkruar një kërkesë, ku i propozohet presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga që të jap dekoratën “Ambasador Nderi i sportit kosovar”, futbollistit të njohur, Xherdan Shaqiri.

Kjo nismë ka ardhur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci, ndërsa këtë e kanë përkrahur edhe 74 deputetët të tjerë. Sukseset e Xherdani me Baselin dhe me Kombëtaren e Zvicrës, e bënë atë shumë shpejt lojtarin, me prejardhje nga Kosova, futbollistin më të kërkuar në Europë. Me Bajernin e Munihut ai fitoi Ligën e Kampioneve, duke festuar në fusnd të ndeshjes me flamurin e Kosovës, çka bëri bujë ndërkombëtare, pasi u ndoq direkt nga miliona shikues në të gjithë botën. Shaqiri fitoi këtë vit titullin e kampionit të Gjermanisë, pastaj Ligën e Kampionëve dhe është në prag të fitores edhe të Kupës së Gjermanisë.