Bashkim Aliraj/ Shkolla, bazë për zhvillimin masiv e cilësor të sportit

83

Ka ardhur koha që edhe noti të futet në programin e edukimit fizik të detyrueshëm

*Trajner noti,

Shoqata “Jon” Vlorë

  Krijimi i kushteve sa më të mira në shkollë për zhvillimin e orës së mësimit të edukimit fizik dhe veprimtarive sportive, përbën një bazë të shëndoshë për zhvillimin e sportit. Vazhdimisht është folur e shkruar për këtë problem, po në praktike shihet se ka nënvlerësim e njëanshmëri. Reforma në sport mendoj se, në radhë të parë duhet të filloj në shkolla, sidomos në ciklin e ulët dhe parashkollorët. Që aty hidhen bazat e shëndosha për t’u marrë rregullisht me fizkulturë e sport dhe për të krijuar shprehitë e domosdoshme për jetën.

Por, si është gjendja sot në shkolla?

Në këtë drejtim punohet dobët. Lënda e edukimit fizik në shkolla nënvlerësohet akoma. Në mjaft raste ajo zhvillohet me nivel të ulët ose nuk zhvillohet fare, sidomos në ciklin e ulët. Ka shkolla që lëndën e edukimit fizik e japin mësues të letërsisë , matematikës ose gjuhëve të huaja për të plotësuar normën mësimore. Ose ka mësues që japin fizkulturë pse kane luajtur dikur pak futboll e si militantë të ish-partisë në pushtet janë punësuar. Është e papranueshme që, sot disa kuadro të mire fizkulture në Vlorë me I.K.F “Vojo Kushi”, mjeshtër sporti e kampione si I.Çela, T.Aleksi, A.Brati dhe në Durrës trajneri i notit, Sh.Damini qëndrojnë pa punë. Prandaj, në këtë drejtim Drejtorive Arsimore të rretheve u del detyrë të marrin masa të shpejta për t’i rregulluar në punë. Baza materiale sportive në shkolla mungon dhe është e dobët. Ajo nuk i përgjigjet nivelit dhe kërkesave të kohës. Një shkollë me 1000-1200 nxënës me një fushë basketbolli e volejbolli, me 2-3 topa nuk mund të zhvillohej mësim me nivel dhe aktivitete sportive të larmishme.  Mjaft terrene sportive, pista vrapimi e palestra u shkatërruan dhe vendin e tyre e zunë godinat shumëkatëshe dhe kjo sepse organet e pushtetit lokal e qendror qëndruan indiferent. Në të ardhmen duhet të merren masa që, terrenet sportive të kthehen në gjendjen e dikurshme dhe të përmirësohen më tej. Ajo duhet të jetë e gjithanshme dhe e pasur në shkolla, me qellim që nxënësit të ushtrohen me të gjitha sportet e në mënyrë të larmishme. Kjo do të bëjë që ata të argëtohen më shumë e të zhvillohen me mirë fizikisht. Mendoj se, ka ardhur koha që noti të futet në programin e edukimit fizik i detyrueshëm, për t’u mësuar notin të rinjve pasi shumë vende të botës, fëmijë 3-4 vjeç i çojnë nëpër pishina për të mësuar notin. Ndërsa tek ne, fatkeqësisht ka akoma mjaft të rinj e të reja 17, 18-20 vjeç që nuk dinë notin. Në shkolla nuk zhvillohen veprimtari sportive sistematike e të gjithanshme. Shpesh aktivitetet zhvillohen njëherë në vit, ndonjë kampionat futbolli ose basketbolli e çdo gjë merr fund. Shkollat i kane mundësitë që një herë në muaj apo në çdo 2–3 muaj të zhvillojnë një kros masiv apo ngjitje alpinistike, etj..

 * * *

 Ka mbi 20 vjet që, në qytetin e Vlorës nuk zhvillohet asnjë kampionat atletike midis shkollave të mesme apo 8-vjeçare, një festival i lojërave popullore midis zonave, etj.. Vite të shkuara me studentët organizoheshin universiada dhe spartakiada të ndryshme. Tani ka një ditë olimpike sportive në shkolla por që, në fakt nuk ndihet fare. Në këtë ditë shkolla duhet të gumëzhijë e të ketë gjallëri nga aktivitetet. Ka pasur një eksperiencë shumë të mirë në mjaft shkolla. Kishte ekipe sportive me nivel si në: futboll, basketboll, volejboll, etj.. Por jo, siç ndodh tani në disa raste që nxënësit e tyre stërviten privatisht në palestra private, kurse palestrat e shkollës jepen me qira. Kjo nuk është e drejte. Mendoj se, është detyre e drejtorive te shkollave që të ndihmojnë mësuesit e edukimit fizik për lëndën e Edukimit Fizik dhe në bashkëpunim me këshillat sportive dhe senatin të organizojnë veprimtari të vazhdueshme nëpërmjet një programi sportiv të detajuar. Po të vesh re me kujdes si rezultat i obezitetit të fëmijëve (dhjamosjes së tyre) e shtimit në peshë, cilësitë fizike të tyre kanë një rënie. Në shkollat sidomos ato private prindërit interesohen më shumë për notën 9 apo 10, sesa për gjendjen shëndetësore të tyre apo mos pjesëmarrjen e tyre rregullisht në orën e mësimit dhe veprimtaritë sportive. Mësuesi në vijimësinë e mësimit me nxënës që kanë dëshirë e pasion të ushtrojnë sportin 2-3 herë në javë e për të rritur cilësitë fizike dhe aftësitë lëvizore. Duhet të bëhet kujdes nga ana e mësuesve dhe drejtorive të shkollave me nxënësit e sëmurë e aftësi të kufizuar. Mbi bazën e një programi minimal aq sa lejon edhe zhvillimi i pakët të bëhet dhe aktivizimi i tyre. Mësuesit e edukimit fizik për orët shtesë, përveç normës mësimore dhe stërvitjes së ekipeve sportive në shkolla duhet të shpërblehen ose t’iu ulet norma mësimore. Mendoj që, një nga zëvendësdrejtorët e shkollave në ato sportive nëse do të ngrihen të jetë një specialist i edukimit fizik, për të ndihmuar e kontrolluar nga afër e më mirë lëndën e fizkulturës, klasa sportive dhe veprimtaritë sportive jashtë shkollore. Shkolla nuk duhet të konsiderohet vetëm katër muret, godina e saj, por janë të gjitha ambientet e sallat sportive, terrenet jashtë saj, të domosdoshme që shërbejnë për mësimin, edukimin dhe argëtimin e të rinjve. Ka ardhur koha që ato të bëhen modern, sepse aty fëmijët tanë kalojnë pjesën më të mirë të kohës së lirë. Natyrisht, kjo punë për Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve nuk është e lehtë, sepse gjendja në mjaft shkolla është e keqe, por mendoj se gradualisht ajo duhet përmirësuar në disa shkolla e qytete e me vonë ajo të shtrihet në të gjithë vendin. Shkolla është institucioni me i rëndësishëm prandaj le të mos kursejmë për të se, është në dobi të fëmijëve e të vendit.

Gjermani, Presidenti i Bajernit dënohet me burg

 Gjykata e Munihut në Gjermani ka dënuar me 3 vjet e 6 muaj burg presidentin e Bajernit, Uli Hënesin, i akuzuar për evazion fiskal. Maksimumi i dënimit për evazion të madh taksash sipas ligjit gjerman është dhjetë vjet burg. Mesfushori i Bajenit, Frenk Riberi tha: “Ju nuk mund imagjinoni Bajernin pas Hënesin. Ne kemi nevojë për të”. Avokatët mbrojtës të padronit të klubit bavarez pranuan evazionin e kryer prej tij që arrin shifrën e 27 milionë eurove. Ish-kampioni i botës, aktualisht 62 vjeç, i kishte mbajtur kapitalet e tij në një llogari sekrete bankare në Zvicër. Mbrojtja dhe akuza tani kanë një javë kohë për të apeluar vendimin. Prokurorët kishin kërkuar fillimisht 5 vjet e gjashtë muaj burg, por që u ul me 2 vjet. Fillimisht Hënes u akuzua për 3.5 milionë euro evazion në taksa, por më vonë ai pranoi se kishte shmangur detyrimet edhe për 15 milionë të tjera, që më vonë, me nisjen e procesit arritën në 27.2 milionë. Hënes, që ndihmoi Gjermaninë të fitonte Europianin 1972 dhe dy vjet më vonë Botërorin, e zbuloi ekzistencën e llogarisë sekrete vitin e kaluar, pasi plotësoi një normativë për kthimin e taksave, me shpresën se në këmbim do të fitonte amnistinë për to.

 Barazim për Gjasulën

 Liteks Loveç i Jurgen Gjasulës barazoi pa gola me Çerno Moren në kampionatin bullgar. Takimi ishte i vlefshëm për javën e parë të ndeshjeve të grupit për titullin kampion. Mesfushori Gjasula u aktivizua gjatë gjithë ndeshjes, ndërkohë që mungoi sulmuesi Armando Vajushi.

  Real Madrid, 96 mln Euro për Luis Suarez

 Reali i Madridit sërish në merkato për një emër me peshë. Bëhet fjalë për sulmuesin e Liverpulit, Luis Suarez, i cili vazhdon të kryesojë listën e Florentino Perez, edhe pse pak muaj më parë uruguaiani rinovoi kontratën me “The Reds” duke u shprehur se, dëshiron të luajë për një kohë të gjatë në “Anfield Road”. Por sipas zërave që vijnë nga ishulli, Reali i Madridit nuk heq dorë lehtë duke formuluar një ofertë që vështirë se mund të refuzohet nga drejtuesit e Liverpoolit. Plot 96 milionë euro kërkon të propozojë Perez, një shifër që vështirë se mund ta detyrojë Liverpulin të thotë “Jo”. “El Mundo Deportivo” shkruan se Reali i Madridit mund ta mbyllë këtë operacion përpara Kupës së Botës 2014.