25 vjeçare Borëbardha Sulaj, “magazina” e trofeve

780
Nga Preng GJIKOLA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” karateistja lezhjane: Për herë të parë është shpallur kampione kombëtare në moshën 12 vjeçare në kampionatin për fëmijë që është zhvilluar në Tiranë me 9 mars 2004
Besëlidhja si një klub shumë sportesh vijon ta ruajë këtë traditë ndonëse me vështirësi shumë të mëdha, pasi përveç futbollit sportet e tjera nuk kanë mbështetje nga Bashkia, apo ndonjë donator. Shumë nga disiplinat sportive kanë një begraund mjaft të suksesshëm duke marrë trofe kombëtarë dhe ndërkombëtarë, kryesisht nga sporet marciale. Një sportiste që ka marrë shumë medalje dhe trofe është edhe karateistja lezhjane 25 vjeçare Borëbardha Sulaj, gjë e cila ka 14 vjet që është protagoniste në këtë disiplinë sportive nën siglën e Besëlidhjes, por vetëm me shpenzimet e saja. Për herë të parë është shpallur kampione kombëtare në moshën 12 vjeçare në kampionatin për fëmijë që është zhvilluar në Tiranë me 9 mars 2004. Kampione kombëtare për fëmijë në kampionatin e vitit 2005 që është zhvilluar në Tiranë me datën 23 prill 2005. Kampione kombëtare për fëmijë zhvilluar në Tiranë me 25 qershor 2006. Kampionati “Balkan children Karate” që është zhvilluar në Veria të Greqisë në vitin 2006, shpallur nën kampione Ballkani. Kampione kombëtare në kampionatin për fëmijë zhvilluar në Tiranë me 26 maj 2007. Kampione në turneun e 8-të mbarëkombëtarë zhvilluar në Tiranë me 25 nëntor 2007. Kampione mbarëkombëtare në kampionatin mbarëkombëtarë, turneu i V-të memorial “Zahir Pajaziti” zhvilluar në Orllan të Kosovës. Fituese e kupës në turneun e Karatesë “Elbasan Open 2010”. Kampione kombëtare ne kampionatin e zhvilluar në Vlorë me 13 qershor 2010. Kampione kombëtare për të rritura, që është zhvilluar në Tiranë me 14 tetor 2012. Kampione kombëtare në kampionatin e 20-të kombëtarë zhvilluar në Tiranë me 20 tetor 2013. Kampione kombëtare në kampionatin e 21-të kombëtarë zhvilluar në Tiranë me 25 tetor 2014. Kampione në kampionatin e 22-të kombëtarë zhvilluar në Tiranë me 16 shkurt 2015. Kampione në turneun “Kamza Open 2017” zhvilluar në Kamzë me 30 prill 2017. Për të mësuar më shumë për këtë sportiste të talentuar, biseduam për karrierën e sajë, kushtet stërvitjes, mbështetësit e saja, planet dhe ambiciet e saja për të ardhmen dhe për jetën e sajë private. 

Si ju lindi dëshira për këtë sport? 
Me thënë të drejtën që shumë e vogël më pëlqenin lojëra të tilla nëpër filma dhe më vonë nisa që të ndjek këtë sport edhe në ekranin e televizionit. Duke shfrytëzuar të qenit e kushëririt tim Dritan Sulaj sportist i shumë disiplinave përfshi dhe Karatenë dhe që është shpallur “Mjeshtër Sporti”, që e vogël nisa stërvitjen me ndihmën e Dritanit dhe ja dola shumë shpejt që ta përvetësoja këtë sport nga të gjitha pikëpamjet, përfshi edhe anën psikologjike që është edhe kryesorja në këtë disiplinë sportive. 

Kur keni garuar për herë të parë, a keni pasur frikë? “Jo vetëm që nuk kam pasur frikë, por përkundrazi e kam prit me padurim sfidën e parë dhe ja dola me sukses, pasi përveç përgatitjes fizike, një rëndësi të veçantë ja kam kushtuar edhe anës psikologjike, pasi që këtu nis sfida ndaj kundërshtarit”. 

Në ç’moshë keni garuar për herë të parë në një kompeticion kombëtar? 
Për herë të parë kam garuar në moshën 11 vjeçare në vitin 2003 në kampionatin kombëtarë të karatesë jam shpallur kampione kombëtare në moshën dhe peshën time. Pas kësaj pjesëmarrje, kam marr pjesë në të gjitha kompeticinet kombëtare dhe mbarëkombëtare dhe ja kam dal që të shpallem kampione në të gjitha”. 

Sa herë je shpallur kampione kombëtare dhe a ke marrë ndonjë trofe ndërkombëtarë? “Unë jam shpallur 14 herë kampione kombëtare, kam fituar vend të parë edhe në kompeticionet e kupave në këtë disiplinë, po ashtu kam zënë vend të parë edhe në veprimtari mbarëkombëtare që organizohen për çdo vit, në tetor të këtij viti kemi të radhës. Në vitin 2007 jam shpallur kampione e Ballkanit që u organizua në Greqi, po atë vit jam shpallur edhe kampione mbarëkombëtare. Për herë të fundit jam shpallur kampione me 30 prill të vitit në vazhdim në aktivitetin ndërkombëtarë “Kamza Karate Open 2017” me pjesëmarrjen e 470 sportistëve”.

Si jeni ndierë me gjithë koto trofe të fituara? “Me thënë të drejtën jam ndierë mjaft e lumtur dhe e gëzuar, pasi nuk e kam shpërdoruar mundin dhe sakrificën në stërvitje dhe pjesëmarrje, po ashtu dhe sakrificën e prindërve. Jam krenare që ja kam dal që ta promovoj qytetin tim të dashur Lezhën ashtu siç e ka në traditë sportin e të të gjitha disiplinave, kulturën, historinë e shumë vlera të tjera, por nga qeveria vendore e këtij qyteti nuk kam pasur as më të voglën mbështetje, gjithsesi shpresa vdes e fundit. Lezha si një qytet dhe trevë turistike, trofetë sportive janë reklamimi më i mirë që mund t’iu bëhen këtyre resurseve të pashembullta që ia ka falur Zoti kësaj treve”. 

A i kushtoni shumë kohë stërvitjes dhe në ç’kushte stërviteni? “Unë stërvitem 4 orë në ditë individualisht në kushtet e shtëpisë, por ja kam dal që ti plotësoj kushtet teknike për stërvitje me ndihmën e prindërve dhe timen, pasioni ishte shumë më i fuqishëm se sa e kam pas menduar në fillimet e mija dhe kjo më ka stimuluar, pasi nuk kam pasur tjetër stimul. Stimujt e mi kanë qenë dhe deri tani janë vetëm medaljet dhe certifikatat që kam marrë nëpër aktivitete kombëtare, mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare, pasi nuk kam pasur asnjë mbështetje sado të vogël nga klubi, ndonëse garoj nën siglën e Besëlidhjes”. 

Planet tuaja për të ardhmen? “Jam duke u përgatitur për të garuar në kampionatin Evropian dhe atë botërorë dhe jo vetëm që shpresoj, por jam e bindur se do të mbetem në zonën e medaljeve”. 

Përveç sportit, çfarë ju pëlqen më shumë nga bota femërore? “Më pëlqejnë të gjitha dhe mundohem që ti shijoj aq sa ma premton koha”.

Kohën e lirë ndonëse e keni të kufizuar për shkak të stërvitjes, angazhimeve të përditshme etj, si e organizoni?“Ashtu siç e thatë edhe ju kam pak kohë të lirë, kësisoj jam e detyruar që ta planifikoj me kujdes që të mund të përmbush sado pak tekat e moshës dhe të hobive të mia përveç portit”

Së fundi, pak nga jeta juaj private, si shkollimi, puna, stërvitja etj? “Kam mbaruar gjimnazin “Hydajet Lezha” këtu në Lezhë, me pas fakultetin e Filologjisë dega Histori në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, por aktualisht jam pa punë. Një pjesë të kohës ja kushtoj stërvitjes, ashtu siç e theksova dhe më lart 4 orë në ditë dhe pjesën tjetër me aktivitete të ndryshme. Për mua sporti i karatesë është primari dhe po punoj intensivisht për të arritur objektivat e mia që janë trofetë Evropiane dhe botërore dhe shpresoj se do ja arrij. Kam marrë edhe dy licenca, një për gjyqtare karateje, “JB Kumite/JB Kata” që e kam marr me 28 mars 2015, po ashtu kam marr edhe licencë për mësimdhënie Karateje në vitin 2016. Po ashtu kam marrë edhe “Brezin e Zi” 1 Dan “Bleck Beld” në dhjetor 2010”. 

Ju faleminderit dhe ju uroj suksese! 
Sigal