Një komb i sharë dhe i vrarë, europianisht

679
Sigal

Ndjesa e Borchardt me gjestin e tij aspak etik e bëri edhe më të turpshëm reagimin e një ambasadori evropian për shqiptarët 

Një komb i sharë dhe i vrarë, europianisht

 Nga Hyqmet Zane

 Shkas për këtë shkrim vërtet u bë ambasadori i OSBE në Tiranë, Berndt Borchardt me gjestin e tij aspak etik për të dhënë përgjigje protestuesve të Astirit. Mandej edhe ndjesa e tij që e bëri edhe më të turpshëm reagimin e një ambasadori evropian për shqiptarët, si të thuash “edhe ju shaj, edhe ju rrah, edhe ju vras, por edhe ju kërkoj ndjesë!” që në një farë a në një tjetër është një trajektore shekullore që na kanë bërë evropianët ne shqiptarëve. Kësaj i thonë “Më fal se të vrava!” .

Por Berndt Borchardt nuk është i vetmi i huaj që ka bërë gjeste të tilla që me të vërtet do e falja, por kur mendoj se një evropian na vjen për të na ndihmuar e jo për të na futur gishtin në b…., një gjest i tillë ishte përtej sjelljes për të kërkuar ndjesë. Se po t’i kthehemi viteve të shkuara në një shekull të tërë e më tej, do të shohim se kombi shqiptar është sharë e vrarë europianisht dhe asnjëherë nuk na është kërkuar falje, asnjëherë nuk kemi ndjerë dorën e ndihmës së vërtetë dhe të sinqertë.

Kemi pasur edhe shumë e shumë fjalë të bukura evropiane nga personalitete të vendeve të ndryshme, por vepra të bukura, vepra në shërbim të këtij kombi kemi pak ose shumë pak. Po ta shtrish kujtesën në thellësi të viteve, do të ndjesh ende se sa dhëmbin veprat e këqija dhe sharëse, se sa na dhembin ndarjet territoriale të asaj që quhet Shqipëria e vërtetë natyrale, vazhdojnë të na dhembin edhe vrasjet gjenoicidiste si komb. Thuaj një vend të këtij kombi dhe nuk do kujtosh bëmat e fqinjëve tanë serbë dhe grekë që, me mbështetje evropiane, na kanë gjymtuar dhe masakruar, na kanë sharë dhe fyer sa nuk mban më qypi i padrejtësive.

Ka një fjalë që e thoshte shpesh im atë “Gjalmi e di se çfarë mban thesi brenda”, çka mund ta përkthesh me shumë fjalë, por ta thuash shkurt do të thotë “ne shqiptarët si komb e dimë se çfarë na mban thesi i halleve tona që nuk kanë të rrëfyer se janë aq shumë sa se janë aq shumë sa ç’janë të pa rrëfyera mynxyrat në emër të Evropës dhe që na kanë dhembur shumë”. Por evropianët edhe thesin nga e kanë sharë se ata e njohin mirë sharjen e kombeve të vegjël se i kanë copëtuar, i kanë lënë t’i masakrojnë dhe Berndt Borchardt ndoshta është i fundit në radhën e atyre që na kanë bërë, e çfarë nuk na kanë bërë.

Përkundër dhe në sinkron me Borchardt kanë qenë edhe kryeministri ynë aktual që nuk linte fjalë të ndyrë pa u thënë pas krahëve deputetëve të opozitës kur dilnin në poltronin e folësit në Parlament. Kanë qenë fjalë të turpshme sa edhe media e ka fiksuar se çfarë fjalësh ka thënë ky soj kryeministri që kur ishte kryetar bashkie nuk linte femër gazetare pa e fyer dhe pa e sharë mbarë e prapë.

Kështu shante edhe Enver Hoxha shokët e vet të Luftës sa mbahet mend se çfarë tha për Beqir Ballukun në mbledhjen e byrosë politike aq sa është jashtë çdo etike të një udhëheqësi. Ka edhe shumë e shumë raste të tjera kur politikanë evropianë të sotëm dhe të djeshëm që kanë fyer kombin shqiptar me fjalë të rënda dhe krahasime barbarësh.

Dhe, nëse kemi mbetur në këto kushte ku ndodhet sot Shqipëria, nuk është thjesht papërgjegjshmëri e politikanëve tanë që kanë mbetur në atë stad, që të vjen turp të mendosh se i kemi në krye të vendit. Mes tyre ata flasin fjalë nga më të pistat dhe më fyeset, përdorin shprehje që përdorin vetëm rrugaçët, kanë thënë e çfarë nuk kanë thënë në tel njërit apo tjetrit. Janë një model i paparë në sharje dhe fyerje të politikanëve dhe pushtetarëve ndaj kolegëve të tyre si në pozitë edhe në opozitë.

Në këtë mënyrë edhe politikanët e huaj apo ata që vijnë dhe ikin, kanë mësuar ca fjalë dhe kanë marrë ca modele, si për të thënë që ky popull i merituaka të gjitha fyerjet e sharjet dhe në mënyrën e tyre i përdorin si Borchardt para ca ditësh. Se nuk janë vetëm këto që na ka mësuar Evropa dhe na kanë implementuar si frute të këqija të europianizimit, sa Fan S Noli ka shkruar vargjet e famshme

“Pranë detit i palarë

Pranë sofrës i pa ngrënë

pranë dritës i paparë

pranë dijes i panxënë?.

Këtu kemi qenë në brigjet e Evropës që nga lashtësia dhe Evropa na ka pasur si fqinjë, por jo me dëshirën e mirë dhe respektin e treguar nga shqiptarët, nga kjo Evropë mësuam gjithçka që ne shqiptarët e quajmë “na hëngri në besë”. A nuk ka ndodhur kështu në Konferencën e Londrës më 1913?! A nuk u planifikua kështu në traktatin e fshehtë të Londrës?! A nuk u mendua kështu në Lozanë dhe Versajë, në Berlin dhe në Paris, në Vatikan dhe në Moskë, në Athinë dhe në Beograd? Po kështu ka ndodhur më të vërtetë, jemi sharë dhe vrarë për hir të padrejtësive të Evropës, ndaj Berndt Borchardt e gjeti më të udhës të na shante në formën e tij, se siç duket qenkemi bërë për t’u sharë e për t’u rrahur, po aq sa po na vrasin dhe po na fusin në sherre të njëpasnjëshme.

Ne kemi sharë njeri-tjetrin shqiptarisht, ndërsa nga Evropa të dërguarit e saj na kanë sharë europianisht. E meritojmë apo nuk e meritojmë, kjo është tjetër gjë, por sot në shekullin XXI ne jemi të sharë e të vrarë si komb dhe si territor. E kemi merituar apo jo, këtë nuk di ta them, por një gjë është e saktë, sa Faik Konica e ka thënë “Shqipëri të kam dhj…, s’të mora vesh një herë”.

Ne shqiptarët i kemi dëgjuar me veshët tanë fyerjet dhe sharjet e grekëve dhe serbëve, greqisht dhe serbisht, në sheshe ushtarake dhe në stadiume dhe Evropa i ka dëgjuar, por për fat të keq ka heshtur. Siç duket edhe Evropës i pëlqen dhe kënaqet kur na shajnë ne shqiptarëve, edhe pse Evropën e kemi kaq pranë, e kemi ndihmuar aq shumë dhe për nder të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, që u bë parzmore e qytetërimit evropian, ndaj dhe ka buste, memoriale dhe sheshe me emrin e tij. Mos ndoshta ka pasur të drejtë Gjergj Fishta kur i bëri një etiketim kësaj Evrope me vargjet

“Uh ! Evropë, ti kurva e motit

Që i re mohit, besës së Zotit

Po, a ky asht sheji i qytetnisë ?”.