LUFTËRAT E QARKUT TË VLORËS PËR LIRI E PAVARËSI NË KËNGËT E POPULLIT

745
Sigal

ESSE/Luftërat janë ngjarje nga më të rëndësishmet në historinë e një kombi

LUFTËRAT E QARKUT TË VLORËS PËR LIRI E PAVARËSI NË KËNGËT E POPULLIT

Nga Mato KOLLOZI, Seit JONUZAJ, Albert HABAZAJ,

Sikurse mbarë populli shqiptar, edhe populli i qarkut të Vlorës ka luftuar si ai për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, hipotekën e të cilit e kemi trashëgim nga të parët, se është vulosur me gjakun dhe eshtrat e tyre, që për ne janë të shenjta.

Edhe luftërat e qarkut të Vlorës janë përjetësuar në vargjet e kulluara të gurrës popullore: “Kemi derdhur gjak me okë” shkroi vjershëtori i talentuar i Pilurit, Himarës, Labërisë, Vlorës dhe Shqipërisë mbarë, Mjeshtri i Madh Lefter Çipa. “Shqipëria, shkëmb e gur/ kështu ka qenë qëkur:/ vrite, prite për Flamur,/ bota hiq e ti-në vur’,/ Evropa lësho e zur’/ ca bejler’ e ca barunë” (të pasur, shën. im A.H) – këndonte xha Selimi i Madh i Bratit, që e pa me sy zjarrin e luftës, u hodh në flakët e Lirisë dhe u kthye me shqiponjat partizane, me lirinë shkruar në ballë, i bukur si liria, i qeshur si ajo; saqë dhe Hiton, djalin e tij e bëri sakrificë sublime, se duhej për idealin e lirisë.

***

Po ç’janë luftërat?

Luftërat janë ashpërsim në kulm i kontradiktave, konflikteve midis palëve , që nuk zgjidhen dot me drejtësi e qetësi, por me ashpërsi; as me marrëveshje por vetëm me forcë, me ndeshje. Ato janë dy lloje: 1- të drejta, kur luftohet të triumfojë e vërteta dhe 2- të padrejta, kur vepron hileja, e pavërteta. Janë frontale, si LANÇ dhe lokale, siç ishin provokacionet e gushtit 1949, në kufirin politiko – shtetëror me Greqinë (jo etnik, se kartërat flasin ndryshe). Gjithmonë, imediatikisht, më i forti fiton. Por shpejt a vonë, koha i shoshit dhe drejtësia gjen të zonë (të zotin): guri atje ku ka vendin qëndron.

Luftërat janë ngjarje nga më të rëndësishmet në historinë e një kombi, se kanë të bëjnë me ekzistencën e vetë kombit, me vitalitetin e dinjitetin e jetës së tij. Ndaj nuk i lë pa regjistruar historia e letërsia, kënga e poezia. Memoria e popullit kurrë s’i harron. Edhe kur kthehen në legjendë i kujton. Po, po i kujton, kënga popullore po se po; polifonike e qytetare, por edhe ajo e muzikës së lehtë, operistike e klasike. Çdo zhanër s’e harron. Të keqen e fshikullon, të mirën e skalit, në piedestal e çon, atje ku e meriton. Kënga është sinteza e një informacioni publik, që jepet për luftërat e zhvilluara, e hapët e me guxim, me zë të lartë e me shije estetike e artistike; gëzueshëm, por edhe me urrejtje, nga cilido pa frikë, për të mirë e për të lig;që kalon gojë më gojë, ngulitet thellë në mendjet e njerëzve, që çdo brez ta përjetojë e mos t’i harrojë, në do që jetën dhe atë që i takon ta gëzojë. Edhe populli i qarkut të Vlorës, si pjesë e së tërës së kombit shqiptar, ka qenë kurdoherë prezent në të gjitha llojet e luftërave të zhvilluara: politike, ideologjike e fizike, qysh nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme. Madje, në momente të caktuara ka qenë përcaktues për fatet e vendit e kombit tonë, siç është ngritja e Flamurit shqiptar në vitin 1912 me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Këngët e qarkut të Vlorës, i cili sot ka një sipërfaqe 2 706 km² dhe një popullsi të regjistruar 175 640 banorë (sipas botimit “Censusi i popullsisë dhe banesave” ; 2011, f.133) me rrethet Vlorë, Sarandë e Delvinë janë një yjësi e ndritshme në kozmosin yjor, ku magjia brilante e folklorit shpërthen denjësisht e krenarisht për ngjarje e data, për dëshmorë e heronj, për heroina me lavdimbuluar emrin e tyre. Në një kumtesë apo dhe shkrim, botuar te “Kushtrim brezash”, vetëm sa mund të ravijëzojmë disa elemente historike të këngës për këtë ngjarje madhore, më e lavdishmja në historinë e kombit tonë mijëravjeçar, siç është Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ) e popullit shqiptar, dhe, si pjesë e së tërës, dhe e popullit liridashës e atdhetar të Vlorës.

Epika historike e LANÇ është zhvilluar sipas tre cikleve kryesore:

 

Cikli i këngëve për 7 prillin; cikli i këngëve për formacionet dhe aksionet partizane, i cili dallohet për numrin e madh të krijimeve poetike gojore, për motivet e ndryshme dhe shtrirjen  e gjerë tematike si për Brigadën e Pestë Sulmuese Heroinë e Popullit, Luftën e Gjormit, të Qafës së Pëllumbit, epopenë e Drashovicës e plot beteja të shkruara me gjak e mbushur me lapidarë. “Kur ndodhej vendi në flakë/ Trima lule, partizanë/ Ngjeshët  radhët në Brigatë/ bijat tona- djemtë tanë./ U bë shamikuqe/ Bramyshnja lëndinë/ 700 copa shkëmbi/ Maleve kur zbrinë” “Shqipe rreth e qark/ Besnik Komisarit/ Liria u ndriste/ Mbi yllin e ballit” se “Gjurmë të kuqe borës latë/ Lule yje- zemra jonë/ Nga Bramyshnja në Sanxhak/ Lule yje- jeta jonë” këndon pena madhështore e dragoit të këngës labe, viganit Kujtim Mici, Mjeshtër i Madh. Gjurmë të kuqe lanë mbi borë nga Bramyshnja në Kosovë, për liri, për Shqipëri. Cikli  i tretë është cikli i këngëve për dëshmorët, mbushur me heroikën e stuhishme të luftës,  shprehur me emocion të thellë e krenari të ligjshme për ata që falën më të shtrenjtën gjë në botë – jetën e tyre, që të jetojë Vlora dhe Shqipëria.

Heroika dhe elementi tragjik në këto këngë shkrihen në një ndjenjë të vetme, në të madhërishmen, si për të gjithë bijtë e nënave. “28 mijë yje/ Në gjoks i mban këjo tokë” “Nga kjo balt’ e kësaj toke/ Merr një grusht e shtrydhe fort:/ Pika gjaku do kullojë/ Luftën e madhe tregon”. E për këtë madhështi dëshmorët afrohen, edhe pse vitet largohen, ndërkohë që në vatrat tona ATA si dikur po ngrohen…Dhe ne, duke ndier në folklorin e popullit tonë epikën e këngëve të Kurveleshit të Sipërm dhe lirizmin e hollë të këngëve himariote, epiko – lirikën e luginës së Mesaplikut, të krahinës së Dukat –Tragjas e Radhimë, të Kudhës – Grehotit,  të Topalltisë e Myzeqesë së Vogël të Vlorës, të Delvinës së Lejla Malos dhe krejt këngëve të qarkut tonë, nëpërmjet vargjeve të lidhura në këngët e ngritura nga Mato e Selim Hasani, Xhebro Gjika e Perlat Hasani, Xhemil Duka e Sinan Mullahu, Rebi Alikaj e Nënë Duzja, Dule Havari e Hamdi Pulo, Kujtim Mici e Lefter Çipa, Llambro Hysi e Pelivan Bajrami, Nertesi Asllani e Meleq Kapllani, Muhamet Tartari e Feti Brahimi, Kristo Çipa e Felek Bleta, si dhe gjithë krijuesve të tjerë popullorë e këngëtorëve tanë me emër fisnik, përulemi para gjakut të heronjve të Vlorës me nderim, dhembje, krenari e reflektim. Përulemi para kujtimit të dëshmorëve të Vlorës dhe t’i vëmë gishtin kokës, të orientohemi në bashkësi dhe në bashkëkohësi, që ATË, të cilën ata e përmbushën me jetë e nder, ne ta mbajmë e ta çojmë më përpara me punë, aftësi e vizion të kthjellët qytetar.

Vetëm kështu nderojmë 4 Heronjtë e Topanasë:

Hajredin Bylyshin, Mumin Selamin, Bajram Tushin dhe Hiqmet Buzin e vogël,  nderojmë Perlat Rexhepin, Zonja Çurren, Zaho Kokën, Hysen Çinon, Vasil Laçin, Bulen e Persefonin, Memo Meton, Lefin e Mitatin, Tazen e Anifenë, Shyqyri Alimerkon e Shaban Seferin, Loni Monen e Hasan Mëhillin, Laze Nuron e Haki Bylyshin, Kastriot Muçon e Resul Veliun, Sofo Meksin e  Fejzi Hysen Micolin,  Mico Eminin e Riza Salatin, Cano Gjik’ e Asllan Gjikën, Bako Tafilin e Mitro Xhanin, Qeriba Derrin e Shaqo Derrin, respektojmë Ervehe Gorishtin, legjendën e gjallë, që, për sa luftoi, derdhi gjak e rrojti, e meritoi emrin e nderuar, me të cilën e thirrën në zjarrin e luftës shokët partizanë: LILO LABJA.  Në kujtim dhe respekt ndaj LANÇ, gjatë të cilës qarku i Vlorës mbajti mbi supet e tij një peshë të madhe, duke u bërë një nga vatrat më të zjarrta të Luftës së Madhe – vetëm kështu nderojmë tërë ato bija e bija nënash, që u bënë e u përjetësuan lule të lirisë; vetëm kështu na ka hije e nur të këndojmë: YJE TË PASHUAR/ S’JU KEMI PËR TË HARRUAR!