Zamira Çavo:“Parlamenti i ri është Kuvend interesash individuale dhe aspak demokratik”

548
Sigal

Nuk ka më politikë. Ka vetëm personalizim. Nuk ka as programe, as ideologji e as filozofi, ka vetëm interesa personale!

 Zamira Çavo, në intervistën për “Telegraf”, analizon përshtypjet  e para, pas publikimit të listave për kandidatët deputetë, duke theksuar se, “ky Parlament është Kuvend interesash individuale dhe aspak demokratik”, derisa kandidatët përzgjidhen sipas dëshirës së kryetarëve, duke shpërfillë plotësisht mendimin e votuesve. Madje, zonja Çavo pohon se, politikanët e trajtojnë popullin si “qen të rrahur”.

– Zonja Çavo, cila është përshtypja e parë që perceptoni nga publikimi i listave për kandidatë për deputetë?

– Përshtypja e parë? Më duhet të them se sikur populli ta dinte se çfarë force ka, me siguri bota do ishte ndryshe!  Por, fatkeqësisht, për njëmijë arsye, populli vazhdon të sillet si dikur, kur Sokrati i madh e quante; “qen të rrahur” nga politikanët!  Sot, ndoshta më shumë se kurrë popullit i duhet kujtuar forca e tij, i duhet kujtuar historia dhe mbi të gjitha i duhet kujtuar  xhepi. Sepse nesër,  kur ta kuptojë se  politika, me të cilën ai merret kaq shumë, do t’i ketë kthyer krahët, do jetë vonë për të.

– Kjo sa e dëmton shprehjen e demokracisë?

– Nuk besoj se bëhet fjalë për demokraci, madje as për politikë, të paktën ashtu si ajo duhet kuptuar!

– Shumë nga emrat, të cilët gëzojnë reputacion dhe kanë një integritet politik, kanë mbetur jashtë listave. Këto përjashtime mund të vlerësohen si hop i domosdoshëm i rinovimit?

–  Mendoj pak më ndryshe. Me se duhet ta matim integritetin politik dhe reputacionin e individit? Sepse jam e bindur se dhe Islami dikur quhej me integritet politik, por sot kandidon në listat e PD-së.  Nëse për 20 vite elektorati i majtë ka votuar për  Islamin, tani do votojë për të, elektorati i djathtë! Ky shtrembërim i politikës është një mostër e pjellë nga një politikë që është dëmtuar shumë rëndë. Ka humbur sensi i qëllimit të votimit. Nuk bën më asnjë sens, riciklimi në politikë i figurave të tilla si: Xhuveli, Selami, Angjeli, etj.. Nëse këta individë koha i nxori jashtë, për arsye të ndryshme, rikthimi i tyre është as më shumë e as më pak, por një  mostër tjetër e pjellë nga një politikë e sëmurë. Problemi është më i thellë;  Është problem i standardeve që nuk ekzistojnë në partitë politike shqiptare.

Akuza të thëna nga politikanët  socialistë ndaj Kryetarit të PS-së, për mosvënien në listë të tyre, a kanë vlerën e kritikës, kur ata kanë heshtur dhe nuk kanë kritikuar për gabimet politike që janë në dëm të interesit të përgjithshëm?

– Pse kaq shumë luftë për të hyrë në listë? Pse kaq shumë mllef, nëse nuk je në listë? Si ka mundësi, që për hatër të një individi, si z.Malaj, një lider historik, si z.Nano, të përfshihet nga mllefet personale dhe të bëjë deklarata pa sens politik? Pse kjo hakmarrje primitive politike? Sepse politika shqiptare është me një këmbë në varr! Dhe nga një i gjysmë i kallur në dhe, nuk mund të presësh lindje të shëndetshme! Unë besoj shumë në reputacionin dhe profesionalizmin e z.Malaj, por nuk është e thënë që duhet detyrimisht të jetë në listë. Nëse e zbresim në plan krahasues, do t’i rikthehesha asaj që thashë më parë; mungesës së standardeve për kandidim. Loja e listave  tregoi se, askush nuk pyet për parime dhe se ne votojmë atë çka vendosin liderët e partive të mëdha!  Është e kuptueshme që çdo lider të ngrejë ekipin e tij, por partia është organizatë me program dhe me bindje e vullnet të lirë dhe jo pronë private e cilitdo qoftë ai. Në fund të fundit, secila prej tyre merr nga taksat tona! Pra, lideri afron një skuadër të tijën, por që partia duhet ta ketë mbështetur më parë. Ndaj funksionon demokracia në Amerikë! Partia është ajo që vendos mbi propozimet e liderit. Por tek ne Lideri nuk pyet për askënd. Ndaj dhe partia nuk e luan më rolin e saj. Ne duhet ta kuptojmë këtë. Nuk ka pse të përkushtohemi më pas partive, që realisht janë shndërruar në kopshte private të Njëshave!

– A do të jetë ky Kuvend i ri që pritet të dalë nga votimet një Kuvend në funksion të demokracisë e procesit të integrimit të zhvillimit të vendit, apo sërish, do të kemi prodhim konfliktesh e bojkote politike?

–  Mendoj se Parlamenti i ardhshëm është Parlament interesash individuale dhe aspak demokratik.

– Çfarë shprese kanë shqiptarët nga këto zgjedhje dhe cili duhet të jetë motivi i tyre për të votuar?

– Nga një politikë e tillë nuk mund të presim një të ardhme më të mirë. Fakti që kërkojnë me “patjetër” të bëhen deputetë individë me biznese të mëdha, individë që kanë bërë miliarda me mënyra të dyshimta, fakti që kërkojnë të bëhen deputetë pronarë mediash e miliarderë ndërtimesh, duhet të na bëjë të mendojmë se ligjet që do prodhojë Parlamenti ynë i ardhshëm do t’i shërbejnë kësaj pjelle që ne vetë do votojmë. Sa për popullin, askush nuk do t’ja dijë. Është një betejë e paskrupullt kjo që po jetojmë.
– Meqë jemi në fushatë elektorale, forcat politike a ofrojnë alternativa për të bërë diçka më të mirë në qeverisjen e pas 23 Qershorit?

 – Kam frikë se askush nuk po pyet më për alternativa, por secili kërkon të përfitojë maksimalisht nga situata.

A mund të reformohet së brendshmi ky sistem politik, ekonomik, shoqëror dhe kjo kastë politike 20- vjeçare, e cila është ndërtuesja e interpretuesja e këtij sistemi?

 – Një miku im më tha sot se kësaj dige, që po pengon zhvillimin e demokracisë, i duhen hapur disa vrima, sepse sikundër është ngritur e tillë, zor se rrëzohet. Ndaj, unë besoj se po punohet për një reformim, por jo nga kjo kastë politikanësh primitivë.

– Mendoni se jemi në rrugën e mbarë të demokratizimit të ideve, mentaliteteve dhe politikës për të bërë hopin cilësor e të anëtarësohemi në Familjen Europiane?

–  Eh, Europa do na anëtarësojë dhe pse ne nuk kemi asgjë të përbashkët me të, përveçse gjeografinë politike.
– Përse ia vlen që të ushqejmë optimizmin e ndryshimeve në të mirën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë?

 – Sepse duhet ushqyer dhe sepse shpresa vdes e fundit!

Klasa politike shqiptare duket ka mbetur në primitivitetin e saj

 – A mund të quhet Kuvendi, përfaqësi e popullit, kur ai nuk ka asnjë mundësi të votojë cilin përfaqësues do, por  zgjedhja i diktohet nga kryetarët e partive?

–  Nga ajo çka po ndodh në vendin tonë këto ditët e fundit, nuk mund të mos shikosh me keqardhje, se çfarë po prodhon kjo situatë politike. Sigurisht, normat morale, as në minimumin e tyre, nuk gjenden më, por  ka humbur çdo lloj procesi politik. Nuk ka më politikë, pasi politika është detyrimisht pjesëmarrje. Ka vetëm personalizim. Nuk ka as programe, as ideologji e as filozofi, ka vetëm interesa personale! Dhe kjo nuk është politikë, e aq më pak demokraci!  Klasa politike shqiptare duket ka mbetur në primitivitetin e saj, aq sa nuk  meriton të quhet klasë. Por ne të gjithë duhet të bindemi për këtë.  Lufta e listave tregon edhe njëherë qartazi se, kjo specie politikanësh, pa as më të voglin sens politik, nuk do t’ja dijë fare për programe, nuk do t’ja dijë fare për politika, nuk do t’ja dijë fare për popullin. Secili kërkon të jetë deputetë me çdo kusht, pavarësisht se, cili e kandidon, se kujt do t’ja kërkojë votat! Atëherë ne, populli , duhet të pyesim veten:  për cilin deputet do të shpenzojmë kohën dhe cilit deputet do t’i besojmë të ardhmen tonë?

– Faleminderit!