Vlahutin: Transparencë dhe mbrojtje sociale për shtresat në nevojë

455
Konferenca vjetore e Avokatit të Popullit “Pushteti vendor dhe të drejtat e njeriut”, ka mbledhur në një tryezë përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri. Ambasadorja e delegacionit të BE-së, Romana Vlahutin theksoi se mbrojtja sociale duhet koordinuar, si dhe një element i rëndësishëm është transparenca. “Mbrojta sociale duhet koordinuar me reformën administrative, e cilat sjell përgjegjësi të reja për qeverisjet lokale. Duhet të menaxhojnë më mirë shpenzime si dhe të tërheqin investime. Një element i rëndësishëm është transparenca”, theksoi ajo.
Veç kësaj ajo nënvizoi se duhet më shumë vëmendje ndaj shtresave në nevojë duke bërë thirrje që gratë të përfshihen në tregun e punës. “Sa i përket të drejtave të përbashkëta, gratë duhet të përfshihen në tregun e punës. Gjithashtu të mbrohen viktimat e dhunë familjare. Ato duhet t’a dinë se nuk janë vetëm dhe ka ndihmë për ta. Ka mungesë të buxhetit dhe standardit për të mbrojtur fëmijët sidomos në zonat rurale. Problem mbeten personat me aftësi të kufizuara si për punësim ashtu edhe për shkollim”, deklaroi Vlahutin.
Ndërsa kreu i prezencës së OSBE Florian Raunig tha se qeverisja vendore është pika e parë e kontaktit me qytetarët. Sipas tij Avokati i Popullit ka rol kyç në demokraci. Raunig deklaroi se qeverisja vendore duhet më e plotë, më e efektshme dhe duhet të ketë burime që të plotësojnë nevojat. “Qeverisja e mirë vendore është mjet dhe qëllim. Mjet për ta pasur shërbime më të mira dhe qëllim, sepse udhëhiqen nga parimet e të drejtat e njeriut’, tha ai.
Avokati i Popullit Igli Totozani ka theksuar se tashmë qeverisja vendore ka më shumë të drejta dhe duhet të marrë masa për të përmirësuar jetën e njerëzve në nevojë. Gjithashtu ai sqaroi se ka nisur një rekomandim për pushtetin vendor dhe shpreson që të ketë reflektim. “Avokati i Popullit miraton dhe u nis të gjithë bashkive një rekomandim për të marrë masat për të trajtuar njerëzit që gjenden në vështirësi, si të pastrehët, ata që nuk kanë mbrojtje dhe u mungon ndihma ekonomike. Këta kryetarë bashkie duhet të mundohet që t’ua bëjnë jetën më të lehtë atyre. Një pjesë do na përgjigjen që nuk kanë mjete për ta bërë e di këtë, por të paktën të jemi të dhembshur dhe të kujdesemi për këta njerëz. Jemi në prag të një dimri të vështirë dhe ata kanë nevojë për vëmendjen tuaj”, tha Totozani.
Sigal