Veliaj drejt karriges së kryebashkiakut, betohet para Këshillit

424
Paraditen e sotme do të mblidhet për herë të parë Këshilli i ri i Bashkisë së Tiranës. Me ndarjen e re territoriale, Këshilli Bashkiak i Tiranës përbëhet nga më shumë këshilltarë, pasi nga 55 këshilltarë tashmë do të ketë 61 të tillë, pra i janë shtuar 6 anëtarë këshilli. Kryetari i zgjedhur, Erion Veliaj do të përshkojë më këmbë rrugën nga Selia e Partisë Socialiste drejt Bashkisë së Tiranës. Në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak që pritet të zgjasë 2 deri në 3 orë do të jenë të pranishëm edhe 5 klerikë.
Mbledhja e parë, e cila nis sot në orën 10:00, do të drejtohet nga këshilltari më i madh në moshë, i cili për këtë këshill është këshilltari i Partisë Demokratike Njazi Kosovrasti, i cili u shpreh për “GSH” se: “Duke qenë se jam këshilltari më i madh në moshë, do drejtoj pjesën e parë të mbledhjes së këshillit, ku përfshihen 4 pikat e para të rendit të ditës: zgjedhja e Komisionit të Mandateve; shqyrtimi dhe miratimi i raportit të Komisionit të Mandateve; betimi i Këshilltarëve si dhe zgjedhja e Kryetarit të Këshillit Bashkiak. Më pas, pikat e tjera do të drejtohen nga kryetari i zgjedhur i këshillit, ku përfshihet edhe shpallja e vlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe betimi. Ndihem mirë, shumë mirë që do drejtoj këtë mbledhje të parë”.
Nga zgjedhjet vendore të 21 qershorit, koalicioni i majtë Aleanca për Shqipërinë Europiane fitoi 42 mandate, ndërsa Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet 19 mandate.
Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk do të pritet nga ish-kryebashkiaku Lulzim Basha, por do të jetë nënkryetari i bashkisë, Enno Bozdo që do t’i dorëzojë kryetarit të ri të bashkisë të gjithë dokumentacionin, informacionin dhe dosjet e përgatitura për punën e bashkisë. Sipas informacioneve, pritet që po ditën e sotme kryetari i ri pas marrjes së mandatit të zyrtarizojë edhe administratorët e rinj të 24 njësive administrative që janë pjesë e Tiranës.
Sigal