Ultimatum deputetëve/Edi Rama:Po humbasim pushtetin,jeni shkëputur nga elektorati,afroni njerëz me influencë në parti

431
Sigal

Kryeministri Rama mesazh deputetëve: Po humbim pushtetin. Do të shkarkoheni!

Kryeministri Rama e ka kuptuar që reputacioni i qeverisë së tij ka rënë, besueshmëria e qytetarëve është minimale, gjë që u shpreh qartas edhe në pjesëmarrjen shumë të ulët në votimet e 30 qershorit. Prandaj, dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, Kryeministri Rama i ka paralajmëruar deputetët, që të tregojnë përkushtim maksimal në zonat tuaja ndaj qytetarëve, ose konsideroni kërkesën për dorëheqje nga ky grup parlamentar. Kështu mësohet t’i jetë drejtuar Kryetari i PS-së, Edi Rama, njëherazi edhe kryeministër, ka kërkuar nga ligjvënësit të takojnë elektoratin, të dëgjojnë problemet dhe jo të ndërhyjnë për ndarjen e posteve apo të ushtrojnë presione për emërime drejtorësh. Burime nga PS bëjnë të ditur se Rama ka qenë i prerë ndaj deputetëve duke u kërkuar takime të përjavshme me drejtuesit e organizatave socialiste, sikundër duhet të garantojnë ofrimin e çdo burimi njerëzor me influencë dhe integritet në strukturat e partisë. Mësohet se Rama ka kërkuar nga deputetët që të përcjellin çdo javë te ministrat e linjës problemet që raportohen ose ngrihen nga qytetarët. Burimet theksojnë se kryeministri Rama u ka kujtuar ligjvënësve shumë nga denoncimet që i bëhen atij apo përmes portalit për bashkëqeverisje nga qytetarë lidhur me sorollatjen nëpër zyra, apo mungesën e kontakteve dhe takimeve me deputetët e zonës, pasi ju s’shkoni të takoheni. “Po humbim pushtetin nëse vazhdoni me sjelljet e deritanishme, ku interesoheni vetëm për emërime drejtorësh, ndërsa nuk informoni qoftë edhe një rast të vetëm për atë se çka ndodh në zyrat e shtetit. Përcillni shqetësimet e qytetarëve, pasi nuk mund të shkojmë në fushatë dhe t’i themi prapë qytetarëve ato që i kemi thënë e stërthënë, nuk mund të justifikohemi më me ato që s’kemi bërë”, – mësohet të ketë deklaruar Rama.

Qeveria merr në dorë arin e vendit, rrëzohet dekreti i Metës

Komisioni i Sigurisë ka rrëzuar dekretin e kreut të shtetit “Për rezervat materiale të shtetit”. Pak javë më parë, Presidenti Meta ktheu në Kuvend për rishqyrtim ligjin në fjalë, që i heq Këshillit të Ministrave rolin vendimmarrës, duke ia deleguar kryeministrit. Kjo nismë u konsiderua si një iniciativë e kreut të qeverisë Edi Rama, për të marrë në dorë rezervat e arit në vendin tonë. Në arsyet e kthimit të ligjit, Presidenti Meta deklaronte se ndryshimi i bërë nga qeveria është i pajustifikuar ligjërisht dhe për më tepër, kjo mënyrë e re e lëvrimit të mallrave, pjesë e rezervës shtetërore nëpërmjet “Urdhrit të Kryeministrit”, nuk garanton plotësisht mbrojtjen e interesit publik në procedurat e administrimit dhe lëvrimit të mallrave me vlerë që përbëjnë grupin kryesor të mallrave të rezervave të shtetit. Ligji e ndryshonte të drejtën për lëvrimin e mallrave rezervë të shtetit që bëjnë pjesë në grupin A, duke e zëvendësuar miratimin e lëvrimit të tyre nga “me vendim të Këshillit të Ministrave” siç parashikon aktualisht ligji në fuqi, me një akt individual, “Urdhër të Kryeministrit”.