Tërhiqet qeveria për qumështin, subvencionon fermerët me 10 lekë për litër

153

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e ditës së sotme vendosi që të japë një financim të dedikuar për fermerët që prodhojnë dhe shesin qumësht. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi bëri me dije gjatë një konference për shtyp vendimin që është marrë gjatë mbledhjes së qeverisë mbi pagesat që do të përfitojnë fermerët për qumështit e forëzuar në pikat e përpunimit.

“Ne e kemi ndjekur me vëmendje shqetësimin real të fermerëve që u prekën nga ndryshimi i skemës së kompensimit të TVSH-së,”- tha ministri gjatë fjalës së tij. Sipas Ministrit vendimi i miratuar sot është dukshëm më i favorshëm për fermerët sesa skema e parë e rimbursimit të TVSH-së 20%. “Praktikisht me këtë vendim fermerët do të marrin më shumë lekë për çdo litër qumështi të shitur,”- shtoi Ministri.

Sipas këtij vendimi fermerët do të përfitojnë një kompensim në vlerën 10 lekë për litër qumështi të shitur. Nuk do të ketë kufizime për numrin minimal të krerëve që mbarështon ferma. Për të përfituar kompensimin fermerëve u mjafton vetëm fatura tatimore.

Aplikimet do të fillojnë prej datës 22 Prill pranë Agropikave dhe zyrave të Bujqësisë në qarqe. Ato do të jenë me kosto zero për fermerët.

“Kjo masë e marrë është një mbështetje e drejtpërdrejtë për fermerët e sektorit të blegtorisë dhe është gjithashtu një reagim në kohën duhur i shqetësimit të tyre pas ndryshimit të skemës së kompensimit të TVSH-së nga 20% në 6%. Po kështu, një masë e tillë do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin dhe formalizimin e sektorit të prodhimit dhe përpunimit të qumështit në vend,”- përfundoi Ministri Çuçi.