Tahiri dhe korrupsioni, Bushati “gozhdohet” në Uashington. Shtëpia e Bardhë flet për krimin e korrupsionin

165
Tahiri dhe korrupsioni, Bushati “gozhdohet” në Uashington
Ministri i Jashtëm shqiptar, në vështirësi për t’iu përgjigjur interesimit pas skandalit të drogës dhe kërkesës për investime
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, gjatë qëndrimit në Uashington, është ndodhur në vështirësi për t’iu përgjigjur interesimit të medias lidhur me skandalin “Tahiri” dhe korrupsionin. Kryediplomati është pyetur nga “Zëri i Amerikës” për ndikimin e rastit “Tahiri” dhe trafikut të drogës në sasi të mëdha në imazhin e Shqipërisë, ndërsa ka deklaruar se ky është një problem i drejtësisë. Gjithashtu, e vështirë ka qenë përgjigjja e ministrit të Jashtëm edhe për korrupsionin dhe problemet me pronat, që pengojnë ardhjen e investitorëve të huaj. 

Zëri i Amerikës: Shqipëria thotë se pret në pranverën e vitit të ardhshëm një ftesë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Zyrtarë të lartë evropianë, kam parasysh Komisionerin Hahn, këmbëngulin në nevojën e realizimit të disa objektivave para fillimit të bisedimeve, siç janë rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, apo lufta kundër krimit të organizuar. Duke pasur parasysh korrupsionin në vend dhe që reforma në drejtësi është ende në fillim të saj, a jeni ju optimist se Shqipëria do të marrë një ftesë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian këtë pranverë?

“Ne presim që 2018-a të jetë një vit përcaktues për sa i përket perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe të kurorëzohet, natyrisht, me një vendimmarrje nga ana e vendeve anëtare të BE-së për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. Natyrisht, reforma në drejtësi, ligji i vetingut dhe mënyra se si do të zbatohet ligji i vetingut, është përparësia e përparësive, por ne jemi të fokusuar gjithashtu në zbatimin e prioriteteve kyçe, që në fakt nuk kanë lidhje thjesht me ecurinë e vendit drejt Bashkimit Evropian, por edhe me procesin e demokratizimit dhe këtu dua të nënvizoj luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit konsolidimin e arritjeve në administratën publike dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Ne presim që me fillimin e punës që po bëhet nga ana e institucioneve të vetingut, në fillim të pranverës të kemi rezultate të prekshme, për sa i përket niveleve të larta të gjyqësorit dhe të prokurorisë; shpresojmë shumë që kjo punë të shërbejë si një bazë e mirë edhe për nivelet e tjera të gjyqësorit dhe prokurorisë. Pra, besoj se është krejt e mundshme që 2018-a të kurorëzohet me këtë vendimmarrje dhe në tryezën e bisedimeve Shqipëria të shkojë me disa frute që vijnë nga reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Zëri i Amerikës: Duke qëndruar tek lufta kundër krimit të organizuar, ky vit ka shënuar një pakësim të sipërfaqeve të mbjella me kanabis, ndërkohë që këtë vit janë sekuestruar me tonelata me marijuanë nga policia shqiptare dhe ajo italiane. Së fundmi është rasti i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri i cili dyshohet për lidhje me një nga grupet e narkotrafikut, si dhe nivele të larta të policisë që janë nën hetim. Sa e dëmtojnë këto imazhin e Shqipërisë?

“Në radhë të parë, në rast se një akuzë, është prokuroria ajo që duhet të vërtetojë akuzën në institucionet e drejtësisë, pranë gjykatave dhe besoj se këtu matet vullneti politik i forcës qeverisëse, në rastin konkret, familjes sonë politike, për krijimin e kushteve të duhura, për sa i përket organeve të drejtësisë për të dhënë fjalën e tyre për këtë çështje dhe deri në këtë pikë nuk ka asnjë gjë që mund të ketë lidhje me imazhin e vendit, për sa kohë, si në çdo sistem demokratik, akuzat ngrihen nga organi i akuzës dhe më pas është gjykata që duhet të thotë fjalën e saj. Tani ne duhet të fokusohemi fort tek elementët që kanë lidhje me trafikimin, jo thjesht me kultivimin dhe tek ofrimi i një perspektive më të qartë ekonomike, sidomos për ato zona rurale, nga të cilat ky fenomen ka qenë më i dallueshëm”.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, të flasim pak për diplomacinë ekonomike. Në kushtet kur në Shqipëri ka korrupsion, nuk është zgjidhur ende çështja e pronës, çfarë masash mund të merren për të tërhequr investitorë dhe madje dhe për t’i mbajtur ata, se ka shumë raste kur investitorët vijnë për të investuar në Shqipëri, por ata largohen pikërisht sepse hasen me këto pengesa të pazgjidhura ende.

“E para, nuk është qëllimi im për të ofruar një realitet që nuk ekziston, por më duhet të them, që korrupsioni nuk është një fenomen thjesht dhe vetëm i shoqërive në tranzicion, siç është shoqëria shqiptare, dhe vendet maten me mënyrën se si e luftojnë atë. Ka tregues, një është transparenca ndërkombëtare, në të cilën Shqipëria ka shënuar progres vitet e fundit; një tjetër matës i vlerësimit për klimën e biznesit është Banka Botërore me raportin “Doing Business”, me të cilin Shqipëria gjithashtu ka shënuar progres vitet e fundit. A është ky realiteti me të cilin ne do të donim të ishim dhe a jemi të kënaqur ne me këtë gjë? Natyrisht që nuk jemi të kënaqur; por mund t’ju them që në Shqipëri ka njerëz që vijnë të investojnë, ka shqiptarë të diasporës që kthehen dhe investojnë kursimet e tyre dhe sjellin një kulturë të re sipërmarrjeje, sikundër mund të ketë pasur raste, ku njerëzit ndeshen me pengesa, apo me burokraci, apo me raste të korrupsionit; dhe kjo është arsyeja që pse shqiptarët në qershor të këtij viti na kanë dhënë një mandat të qartë për të luftuar këto fenomene më me vendosmëri”.