Socialistët ‘harrojnë’ Spitalin Ushtarak!

477
Sigal

Pse heshtin dhe ç’interesa kanë sot Rama, ministra e deputetë për denoncimet dhe premtimet kur ishin në opozitë?

Krenaria e mjekësisë shqiptare ose sikurse njihet në gjuhën e përditshme Spitali Ushtarak ka mbetur në mëshirë të fatit. Deklaratat e bujshme, konferencat e shtypit, zërat e trashë dhe të hollë të deputetëve dhe ish-deputetëve të opozitës së djeshme, sot partia në pushtet, u harruan. Çuditërisht, këta deputetë që përbetoheshin se sapo të largonin qeverinë “Berisha” do të çmontohej edhe lidhja  klienteliste, e Spitalit Ushtarak do kthehej në identitet.  Histori a e shkatërrimit të Spitalit Ushtarak ka filluar gjatë kohës që në pushtet ishte qeveria e djathtë dhe se Spitalit Ushtarak iu morë një pjesë e godinës dhe e ambienteve të shërbimit. Më vonë këto ambiente nuk mjaftonin sepse fitimet ishin rritur, klientela e spitalit po mbushte shtretërit dhe për këtë shkak, u pa e arsyeshme zgjerimi i tij. Ky zgjerim erdhi duke shkatërruar ORL-në e Spitalit Ushtarak dhe nëpërmjet tunelit ajror, u bë lidhja me godinën qendrore dhe përfundimisht, i ashtuquajturi ‘Amerikan prej Turqie’ futi këmbë e duar në ikonën e mjekësisë shqiptare. Ambientet e humanizmit dhe profesionalizmit të qindra mjekëve dhe profesorëve të mjekësisë u zëvendësuan me bizneset dhe çmimet e kripura të atyre që u favorizuan nga shteti. Po ku e gjetën të drejtën ata ministra të pafytyrë që firmosën një urdhër antikombëtar?  A e di ministri i Mbrojtjes se në spitalin e “GATES” në Ankara, jo ambiente të spitalit, por edhe njerëzit kontrollohen me detektorë dhe nuk futet dot as miu. Atëherë, cilat janë qëllimet që shkatërruat këtë emblemë të mjekësisë sonë? Kush u ndy dhe u nxi nga kjo maskaradë e paprecedentë? Përse zoti ministër ndërmori këtë iniciativë dhe pse e lejoi Presidenti i Republikës, njëkohësisht Komandanti  Bamir Topi t’i grabitet prona e Forcave të Armatosura dhe një nga objektet më strategjike të tij!?  Sigurisht, kjo është një nga veprimet më të turpshme dhe më kriminale të bëra ndaj interesave të ushtrisë kombëtare. Ushtarakët dhe familjarët e tyre, punonjësit e rendit, shërbimeve të inteligjencës dhe të tjera reparte të ngjashme me ‘to, sot janë në mëshirë të fatit, pasi shteti dhe matrapazët e qeverisë kanë uzurpuar pasurinë kombëtare. Është turp dhe skandal i paimagjinueshëm që në spitalin më të madh dhe të vetëm sikurse është Spitali Ushtarak nuk ka rezonancë manjetike. Ky është kulmi i papërgjegjshmërisë dhe i maskaradës që mund t’i bëhet një institucioni, duke e vënë atë në shërbime dhe interesa të ulëta dhe  të dëmshme për ushtarakët. Sot, në ish-Spitalin Ushtarak futet “derri dhe dosa”. Kjo është kaq e vërtetë, sa mjafton të përmendim grabitjet me armë të parave të shërbimeve brenda spitalit para pak muajsh. Ushtarakët shqiptarë kanë një status, i cili u garanton shërbimet mjekësore si gjatë kohës që janë në shërbimin aktiv ashtu edhe kur janë në rezervë apo në pension. Ne do të merremi dhe do shqyrtojmë pas investigimeve që kemi bërë për të gjitha rastet skandaloze të pagesave që shteti i bënë eko-ve, skanerave si dhe dializës. Kjo është detyra dhe detyrimi ynë, por ajo që duhet të alarmojë shqiptarët dhe një milion Rilindësit, ka të bëjë me faktin se, përse e kanë mbyllur gojën deputetët dhe pushtetarët. Socialistët premtuan se do e rikthejmë Spitalin Ushtarak ashtu sikurse ishte dikur sapo të marrim pushtetin. Ushtarakët dhe familjarët që kanë besuar dhe votuar tek Edi Rama presin që ky premtim të bëhet realitet. Deputetët e maxhorancës së sotme si Braçe dhe ministrja Kodheli, ata të ish- Komisionit të Sigurisë Kombëtare Qefalia, Çuko, Luto dhe të tjerë duhet të mos tolerojnë dhe t’u tregojnë vendin të gjithë atyre që po luajnë me dinjitetin dhe jetën e ushtarakeve shqiptarë dhe familjeve të tyre. Kush fshihet pas të ashtuquajtur Spitali Amerikan?  Si dhe kush i solli në Shqipëri? A kanë lidhje këta me vizitën e fundit të Kryeministrit turk Erdogan në Tiranë? A kanë denoncime të qytetarëve për këtë shërbim si në prokurori ashtu edhe në vetë qendrën spitalore? Për këto dhe të tjera ne do japim përgjigje duke u zbardhur edhe debatet e bëra nga deputetët socialistë në Komisionin e Sigurisë, Shëndetësisë si dhe në mediat elektronike dhe të shkruara.