Simon Mirakaj: Ligji për hapjen e dosjeve me mangësi, politikanët të përjashtuar nga kontrolli

Alma Çuka

Autoriteti për hapjen e dosjeve të sigurimit ende pa bërë veprimet e para. Ka struktura të paplotësuara. Ligji nuk detyron administratën të kalojë në sitën tonë

Debati për hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit nga 30 nëntori i vitit 1944 deri në 2 korrik 1991, vazhdon të qëndroi thjeshtë në letër. Autoritteti i ngritur posaçërisht për këtë pjesë të historisë së errët të vendit, ende nuk ka hapur këto dosje. Kryetari i këtij autoriteti, Simon Mirakaj në një intervistë për gazetën “Telegraf”, shpjegon arsyet. Sipas tij ligji ka mangësi, të cilët janë të domosdoshme të rregullohen sa më shpejt. Ndërkohë në këtë intervistë ai flet edhe për një tjetër mangësi të ligjit, që sipas tij ka lënë jashtë kontrollit të gjithë strukturat e larta të shtetit. Mirakaj shprehet se ligji parashikon që duhet të verifikohet pastërtia e figurës e gjithë administratës së lartë duke filluar nga Presidenti i Republikës deri tek shefat e komisariateve por nuk i detyron ato. Ndërkohë nismën e Partisë Demokratike për të ashpërsuar ligjin për personat që mbajnë simbole të komunizmit, Simon Mirakaj e konsideron të drejtë. 

Zoti Mirakaj. Jeni në krye të një institucioni ku prej kohësh pritet të hapet e shkuara. Shumë flasin dhe e konsiderojnë një praktikë nga e cila nuk do të mund të mësohet kurrë e vërteta. Ju si e mendoni?
Autoriteti për Informim i Dosjeve të Sigurimit të Shtetit nga 30 nëntori 1944 deri në 2 korrik të 1991, përbëhet nga 5 anëtarë të zgjedhur nga parlamenti dhe një nga ata jam edhe unë. Gjatë 27 vjetëve ka pasur diskutime dhe këndvështrime të ndryshme, për sa i përket ligjit të hapjes të dosjeve. Ka pasur përpjekje për transparencë të hapjes të dosjeve nëpërmjet dy komisioneve të quajtura komisioni Mezini në vitin 1995 dhe komisioni Bezhani i vitit 2001. Këto komisione nuk e dërguan deri në fund misionin e tyre për shkaqe të ndryshme. Në vitin 2014 shoqëria civile paraqiti në Kuvend një projekt ligj për hapjen e dosjeve dhe në të njëjtën kohë qeveria paraqiti projektligjin e saj. Në prill 2015 parlamenti votoi projektligjin e paraqitur nga qeveria. Institucioni i Autoritetit filloi funksionimin e tij në nëntor 2016. Në bazë të ligjit të hapjes së dosjeve dhe vendimeve të Këshillit te Ministrave i gjithë dokumentacioni që ka të bëjë me sigurimin e shtetit është në dispozicion të Autoritetit për të kryer funksionin e tij sipas ligjit. Sigurisht jemi në fillimet e organizimit të punës me gjithë mangësitë që ka ligji apo edhe struktura ende e pa plotësuar shpresojmë që e vërteta mbi të kaluarën do të zbardhet. 

Mendon se pas 27 viteve dosjet mund të jenë pastruar?
Gjatë këtyre 27 viteve ka pasur diskutime të tilla të cilat vazhdojnë edhe sot, unë nuk paragjykoj dhe gjithmonë them që të jesh i besueshëm për atë që thua duhet t’iu referohesh fakteve të cilat deri në këto momente nuk kemi gjetur urdhra apo dokumente që të vërtetojnë pastrimin e tyre.

A kanë kaluar nga institucioni juaj në sitë të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit? Nëse po, a ka ndonjë gjë të dyshimtë?
Ligji parashikon që duhet të verifikojnë pastërtinë e figurës e gjithë administrata e lartë duke filluar nga Presidenti i Republikës deri tek shefat e komisariateve por nuk i detyron ato. Ne do të kërkojmë që ligji të përmirësohet në mënyrë që për administratën e lartë ligji të jetë detyrues, megjithatë duhet thënë se disa institucione kanë paraqitur kërkesat e tyre për verifikim po ashtu edhe deputetë të veçantë të cilët kanë marrë përgjigje sipas ligjit qofshin këto pozitive apo negative.

Cilët janë kategoria e zyrtarëve që kalojnë për verifikim nga institucioni juaj? 
Ligji parashikon që gjithë administrata e lartë duhet të kalojë për verifikim për pastërtinë e figurës.

A keni pasur presione nga politika për emra deputetësh apo zyrtarësh të tjerë të lartë?
Deri tani nuk kemi pasur asnjë ndërhyrje nga deputetë apo zyrtarë të lartë për diferencime në pastërtinë e figurës.

Sa dosje presin për t’u hapur dhe pse nuk është arritur deri tani një gjë e tillë?
Dosjet hapen sipas kërkesave të institucioneve, individëve dhe studiuesve gjithmonë të mbështetur në ligj. Dosjet për studiuesit vihen në dispozicion sipas temave deri aty ku nuk cenohet siguria kombëtare. Deri tani i jemi përgjigjur kërkesave nga disa institucione si nga Presidenca, nga Kuvendi, Rektorati, Avokati i Popullit dhe shumë individëve të tjerë.

Jeni dakord me nismën e fundit të PD-së për të dënuar këdo që mban simbolet e komunizmit?
Unë e kam thënë dhe po e përsëris që diktatura komuniste duhet të shihet si një e keqe e përbashkët nga gjithë spektri politik. Ballafaqimi me të kaluarën komuniste dhe dënimi i saj është një domosdoshmëri për të pasur një të ardhme të sigurt drejt Evropës të Bashkuar. Çdo nisëm për të ndaluar simbolet e komunizmit, mendoj se i shërben të ardhmes i shërben demokracisë.

Besoni se procesi i hapjes së dosjeve do të pastrojë të kaluarën e errët, në të gjitha institucionet shtetërore, përfshi këtu edhe kuvendin?
Janë ligjet dhe jo dëshirat ato që pastrojnë të gjitha institucionet nga njerëzit e implikuar me të kaluarën komuniste.