Silva Caka: Ministrja e Drejtësisë ka mbrojtur me veprime dhe mosveprime aktivitetin korruptiv në Hipotekën e Shkodrës

574
Sigal

Deputetja e LSI-së, Silva Caka ka reaguar përmes një statusi në Facebook pas fjalimit të Ministres së Drejtësisë për arrestimin e Kreut të ZVRPP Shkodër, i akuzuar për korrupsion. Caka shprehet se Ministrja  tjetër bën e tjetër thotë duke i kujtuar rastin e 5 muajve më parë ku Kryeregjistruesi i ZQRPP-së, i ka drejtuar Ministres një kërkesë me shkrim për shkarkimin e kreut të ZVRPP Shkodër dhe ajo nuk ka pranuar ta shkarkojë atë.

Më poshtë statusi i plotë i saj: 

Dje, Ministrja e Drejtësisë, ka mbajtur aktrim-fjalimin e radhës, gjatë të cilit ka falenderuar dhe përshëndetur arrestimin e Kreut të ZVRPP Shkodër, i akuzuar për korrupsion.

E meqënëse ka premtuar që në kuadër të të qenurit transparente me qytetarët, do të aktrojë sot përsëri me një përmbledhje javore të rezultateve të veprimtarisë antikorrupsion, do të doja t’i vija në ndihmë Ministres në misionin e saj “transparent” me një fakt:

5 muaj më parë, konkretisht në prill të këtij viti, Kryeregjistruesi i ZQRPP-së, i ka drejtuar Ministres një kërkesë me shkrim; kërkesë konkrete për shkarkimin e kreut të ZVRPP Shkodër, kërkesë e cila është mbështetur edhe nga kreu i ALUIZNI-t, Z. Artan Lame.

Mirëpo, Ministrja që tjetër bën e tjetër thotë, nuk ka pranuar t’a shkarkojë atë, duke e lejuar me ndërgjegje të plotë edhe për 5 muaj të tjerë zhvillimin e aktivitetit kriminal korruptiv të Kreut të ZVRPP Shkodër.

Prandaj Ministrja bën mirë që sot falenderon Policinë e Shtetit për arrestimin e tij, se të ishte për Ministren, apo edhe për Kryeministrin, që arrestimin e Kreut të ZVRPP Shkodër na e shiti si histori suksesi, banakieri i konvertuar në drejtor rilindas, do vazhdonte i qetë e i paprekur aktivitetin e tij korruptiv, duke rrjepur xhepat e qytetarëve, për llogari të atyre që e emëruan në atë detyrë e që i mbronin edhe shpatullat, kur kundrejt tij kërkohej shkarkimi.

Policinë do të doja t’a falenderoja edhe unë për këtë aksion, por shpresoj shumë që të mos ua çojë Etilda dëm gjithë mundin e përpjekjen, duke ekstraduar edhe Kreun e ZVRPP Shkodër, siç bëri me Nezarin.