Shqipëria – zhvillimet politike 2018

1449
Prof. Dr. Arben MALAJ
Lektor i Integrimit Evropian 
Viti 2018 nuk pritet të ketë ballafaqime politike për zgjedhje parlamentare ose lokale, por në horizont është shfaqur ideja e një poli politik të tretë, i cili mund të përbëhet nga partitë e vogla të spektrit të majtë, të djathtë dhe të qendrës, parti parlamentare dhe jo parlamentare. Ballafaqimi i tyre i parë politik e publik, mund të jetë për reformën elektorale, duke kërkuar rishikimin e sistemit elektoral në proporcional me lista të hapura ose nga proporcional në mazhoritar. Bazuar në faktin se partitë e mëdha nuk janë dakord për këto propozime, mundësia reale e partive të vogla për këtë objektiv mbetet e vogël.
Zhvillimet politike – gjatë vitit 2018 do të influencohen dhe ndoshta do të dominohen nga agresiviteti politik lidhur me disa nga elementët thelbësorë të reformës gjyqësore. Situata mund të përkeqësohet përkohësisht edhe nga dhënia fund e kulturës së mosdënimit. Agresiviteti politik në përzgjedhjen e Prokurorit së Përgjithshme të Përkohshëm, mund të acarohet më shumë. Opozita mund ta përdorë këtë debat për kushtëzimin e angazhimeve të saj për plotësimin e detyrimeve paraprake për çeljen e negociatave. Agresiviteti politik midis të majtës dhe të djathtës në Shqipëri do tentojë të eksportohet edhe tek institucionet e BE-së, ku dominojnë partitë e spektrit të djathtë, por vendimet e tyre janë jo partiake. Ndoshta opozita nuk e synon dhe nuk mund ta arrijë bllokimin e çeljes së negociatave, por mund të kushtëzojë çeljen e tyre me disa detyrime/reforma specifike për maxhorancën. Sidomos në rastet kur kërkohet shumicë e cilësuar. Lidhur me raportet politike aktuale, maxhoranca mund të qeverisë e vetme. Ajo ka disa aleanca individuale me deputetë të veçantë për rastet kritike të shumicës së thjeshtë. Kjo shumicë hibride bënë të mundur mbijetesën e qeverisë, por nuk arrin shumicën e cilësuar të votave për reformat në gjyqësor dhe reformat elektorale. Lidhur me aleancën opozitare, ajo është më e gjerë në spektrin e saj politik, por vazhdon të mbetet e vogël në peshën e saj parlamentare. Opozita ka probleme të shfaqura herë pas here lidhur me unifikimin e qëndrimeve të gjithë partive opozitare me PD-në. LSI ka një numër mandatesh që u jep peshë zhvillimeve brenda opozitës. Aleanca e opozitës parlamentare ka fuqinë numerike të votave të saj për të bllokuar votimet me shumicë të cilësuar, siç janë ato me 2/3 dhe 3/5, të nevojshme për reformën gjyqësore. Zotërimi i votave kushtëzuese për votimet me shumicë të cilësuar nga opozita mund të imponojë konsensus apo kompromise ndërpartiake gjatë muajve të ardhshëm. Në rastet e mëparshme të qëndrimeve bllokuese, situata është zgjidhur me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, por jo rastësisht pas kapërcimit të situatave bllokuese, kanë lindur kompromise të përkohshme, shpesh jo efektive. Maxhoranca, për zgjidhjen e krizës së zgjedhjeve parlamentare 2017, ofroi disa kompromise në përfshirjen e opozitës në drejtimin e ministrive kryesore, ku mendohej se mundësitë për keqpërdorim elektoral nga maxhoranca për zgjedhjet, ishin të mëdha, prandaj PD-së iu dhanë zv.kryeministria, ministria e rendit, e financave, arsimit, shëndetësisë dhe politikave sociale. Gjatë vitit 2018, sfida për maxhorancën do të jetë më e madhe, edhe sepse detyrimi për gjetjen e një kompromisi ndërpartiak për të mos penalizuar integrimin evropian të Shqipërisë dhe shqiptarëve, është test lidershipi. Viti 2018 nuk pritet të ketë ballafaqime politike për zgjedhje parlamentare ose lokale, por në horizont është shfaqur ideja e një poli politik të tretë, i cili mund të përbëhet nga partitë e vogla të spektrit të majtë, të djathtë dhe të qendrës, parti parlamentare dhe jo parlamentare. Ballafaqimi i tyre i parë politik e publik, mund të jetë për reformën elektorale, duke kërkuar rishikimin e sistemit elektoral në proporcional me lista të hapura ose nga proporcional në mazhoritar. Bazuar në faktin se partitë e mëdha nuk janë dakord për këto propozime, mundësia reale e partive të vogla për këtë objektiv mbetet e vogël. Fuqia publike e këtij bashkimi mund të testohet në këshillat bashkiake, duke rigrupuar mbështetësit e tyre. Ndërsa rasti i parë real mund të jenë zgjedhjet e ardhshme vendore, ku aleanca e partive të vogla mund të konkurrojë si grupim, ose i bashkohen një partie kryesore në opozitë, ose opozitës në tërësi. Ata mund të rrisin numrin e anëtarëve të tyre në këshillat bashkiake dhe mund të ndryshojnë ose përcaktojnë kahun e fitores në disa bashki. Ndikimi i tyre në zgjedhjet parlamentare mbetet për tu parë. Zakonisht aleancat e shumë partive janë jo të lehta të menaxhohen dhe të maksimizojnë impaktin publik dhe politik. Moskonfigurimi zyrtar i tyre dhe mosprezantimi i një platforme publike, vështirëson analizat tona aktuale.

Integrimi evropian gjatë vitit 2018. 
Një zhvillim politik shumë i rëndësishëm për vitin e ardhshëm është çelja e negociatave me BE-në, si një sfidë kombëtare. Në muajin shkurt 2018 Z. Junker, Presidenti i Komisionit Evropian, do të paraqesë raportin vlerësues për Ballkanin Perëndimor dhe rekomandimet përkatëse. Ky është një ndryshim nga qëndrimet hezituese në fillim të Presidencës aktuale të Komisionit Evropian. Tani po konstatohet një këndvështrim pozitiv i liderëve të institucioneve të BE-së, për të përshpejtuar të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në 18 Prill 2018 pritet të dalë raporti vlerësues për çdo vend të Ballkanit Perëndimor, ku për Shqipërinë pritet rekomandimi për çeljen e negociatave. Përballë vullnetit pozitiv të BE-së, suksesi apo dështimi i politikës shqiptare behët më i qartë. Duhet mbajtur mirë parasysh se Komisioni Evropian bën propozimin për çeljen e negociatave, por janë liderët e 28 vendeve anëtare në Këshillin Evropian që marrin në unanimitet vendimin. Negociatat hapen vetëm kur qeveritë e vendeve anëtare në Këshillin Evropian, në mënyrë unanime miratojnë propozimin e Komisionit Evropian. Kjo kërkon që diplomacia shqiptare të njohë në kohë çdo risk nga çdo shtet, që mund të aplikojë veton dhe të punojë intensivisht bashkë me partnerët tanë strategjikë për të eliminuar aplikimin “veto bllokuese”. Një opsion tjetër mund të jetë që të kemi edhe çelje të kushtëzuara të negociatave. Në rastin e Kroacisë në dhjetor 2004, Këshilli Evropian vendosi datën e fillimit të negociatave për 17 mars 2005, duke kërkuar që para se të hapen negociatat të sigurohet bashkëpunim i plotë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY). Të shpresojmë që zhvillimet politike 2018 do të dominohen nga përgjegjësia e sfidave kombëtare siç aktualisht është integrimi evropian. 
Sigal