Shpërthimet dhe trafiku i tritolit, Visho Ajazi: SHISH dha 317 informacione

416
Sigal

Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror raporton në Komisionin e Sigurisë

Pasi kreu i SHISH-it përfundoi raportimin prej katër orësh në Komisionin e Sigurisë, maxhoranca tha se, në raportim dolën problemet që vazhdon t’i qëndrojë maxhoranca. Ndërsa, sipas PD-së u zbulua se ministri i Brendshëm Tahiri gënjen. Në kulmin e akuzave për trafik droge dhe transportimit të saj në rrugë ajrore, ka ardhur edhe deklarata bombë e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror. Nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë, ku ishte thirrur për të raportuar, Visho Ajazi Lika është shprehur se, deri në 3 mijë metra nga sipërfaqja e tokës nuk funksionon asnjë radar. Ndërsa ka vazhduar më tej se, sasitë e mëdha të drogës që kalojnë në vendin tonë kanë mbështetjen e strukturave shtetërore. Ajazi Lika në raportimin e tij në Komision, për 4 orë me radhë, ka prekur disa çështje të tjera të aktualitetit, si ajo e përgjimeve, ku kreu i SHISH-it mësohet të jetë shprehur se është kompetencë e Prokurorisë dhe jo e shërbimit. Ndërsa sulmet e ekzekutivit karshi SHISH,Visho Ajazi Lika i ka parë si cenim i sigurisë kombëtare. Debatet kanë qenë të ashpra sa i përket çështjes së shpërthimeve me lëndë eksplozive. Sipas drejtuesit të Shërbimit Sekret, ka patur përcjellje informacioni për agjencitë e tjera në vend. Por sipas tij, ky informacion është mbajtur shumë kohë mbi tavolinë, duke qenë se drejtuesve të policisë iu desh kohë që të marrin detyrën. Kryetari i Shërbimit Informativ të SHISH ka raportuar dje në komisionin e Sigurisë se, për 3 muaj, janar- prill ka përcjellë 317 informacione për trafikun e lëndëve plasëse. “Informacione të shumta i janë dhënë Policisë dhe Ministrisë së Brendshme për trafik minash e eksplozivi. Vetëm dy nga informacionet në dhjetor-janar përmbajnë 15 persona për trafik armësh e eksplozivi. Për shpërthimet në janar është përcjellë informacion drejt organeve të tjera ligjzbatuese. Institucioni ynë për rastet njofton drejtorin e Policisë së Shtetit, jo ministrin e Brendshëm. Është zbatuar plotësisht legjislacioni për punën operative të Shërbimit”,- mësohet të ketë thënë Ajazi në mbledhjen me dyer të mbyllura të komisionit të Sigurisë. Visho Ajazi i ka quajtur të pabaza aludimet për përgjime të maxhorancës, duke saktësuar se: “Çdo vënie në përgjim e një shtetasi miratohet nga Prokurori i Përgjithshëm, jo nga SHISH” Ajazi shprehu shqetësimin dhe se “Sulmet ndaj SHISH cenojnë drejtpërdrejt sigurinë Kombëtare”

Trafiku i drogës

Lidhur me trafikun e drogës Ajazi u shpreh: “Nuk ka trafik të madh droge pa mbështetje të strukturave shtetërore. Gjithashtu, lidhur me marrëdhëniet me policinë e shtetit ai u shpreh se: “Kemi marrëdhënie të mira komunikimi me Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme”. “Është dyfishuar shkëmbimi i informacionit nga SHISH me organet e tjera ligjzbatuese në 2013 krahasuar me 2012”,-tha Ajazi.

Lutaj: Dolën problemet që ne vazhdojmë t’i qëndrojmë

Deputeti i PS-së, Piro Lutaj u shpreh se, drejtori i Shërbimit shleu detyrimin. “Më në fund u pajis me certifikatë sigurie dhe raportoi për vitin 2013. Gjatë raportimit dhe debate në komision dolën edhe problemet që ne vazhdojmë t’i qëndrojmë”.

 Raportimi pasi siguroi certifikatën

Kreu i SHISH Visho Ajazi Lika raporton dje në Komisionin e Sigurisë. Ky raportim është shtyrë për disa javë për shkak se kreut të këtij institucioni të rëndësishëm të Inteligjencës i kishte skaduar certifikata e Sigurisë. Pas pajisjes me këtë certifikatë, Visho Ajazi Lika u kthye në komision, ku dhe informojë mbi punën e institucionit që drejton, bashkëpunimin e SHISH me Ministrinë e Brendshme dhe rolin e këtij institucioni në luftën kundër kriminalitetit. Prej disa kohësh maxhoranca akuzon SHISH se nuk ka përcjellë informacione dhe nuk ka bashkëpunuar për çështje me rëndësi për sigurinë në vend, përfshirë këtu dhe sulmet me tritol.