“Shpërthen” baza e PS-s në Durrës: Po punësohen njerëzit e PD, ne nuk na hapin dyert

407
Sigal

Militantët socialistë ndjehen të braktisur nga deputetët e tyre, kur mësojnë se drejtorët e rinj kanë nisur pazaret me njerëzit e PD, para në këmbim të punës

Degët e PS në rrethe duket se po përfshihen nga “revolucionet”  e brendshme, ku protagonistë  janë anëtarët dhe militantët e zhgënjyer. Aq aktuale është kjo situate, sa shumica e tyre, anëtarë prej 20 vitesh të PS, po shprehen se: “Po na mbushet mendja ti bashkohemi LSI”.  Shumë shpejt  për të patur militantë të zhgënjyer dhe kjo kur nuk janë mbushur akoma 6 muaj qeverisje nga koalicioni i majtë. Militantët socialistë në rrethe po ndjehen të braktisur dhe të fyer nga deputetët e tyre, kur mësojnë faktin se drejtorët e rinj kanë nisur pazaret me njerëzit e PD, duke nisur marrjen e parave në këmbim të mbajtjes së vendit të punës. Por, duhet kujtuar se e njëjta gjë ndodhi edhe kur PD ishte në pushtet, drejtorët e saj morën para ( sipas vendit të punës) duke mos lëvizur mbi 50 për qind të socialistëve nga detyra. Dhe ndodhi ajo që pritej, një humbje e thellë në 23 qershor. Një situatë paradoksale po ndodh sot me drejtuesit që ka emëruar (pa konkurs) PS dhe qeveritarët e saj në rrethe. Baza e kësaj partie (ndryshe nga ajo e LSI) prej disa ditësh ka shprehur indinjatën pranë zyrave të selisë lokale në qytetin e Durrësit, për sjelljen arrogante të drejtuesve dhe të emëruarve, apo edhe për heshtjen fyese nga deputetët që fituan mandatin në 23 Qershor me votën e tyre. Po të kujtojmë kohën e Nanos, ishte pikërisht baza e PS në Durrës, që detyroi asokohe ish-Kryeministrin të vinte me urgjencë dhe të mblidhte deputetët dhe KPD-në, për të dëgjuar pakënaqësitë e militantëve tek pallati kulturës. Këta të fundit, akuzuan nga foltorja deputetët dhe ministrat e Nanos, ndërsa vetë ish-Kryeministri u bë palë për sy e faqe me militantët e inatosur. Duke kujtuar atë kohë, gjithsesi,  Nano dinte të reflektonte, ndërsa ankesave nga baza duket se Rama ka vendosur t’i përgjigjet me heshtje dhe vizita të paparalajmëruara në dogana e kantiere rrugësh. Baza socialist e Durrësit, ndryshe nga e rretheve të tjera, dallohet për frymën e mobilizimit dhe mbështetjes së nismave,  dhe frymës së protestave, duke dalë hapur kundër krerëve të degës, kryesisë, deputetëve dhe ministrave, madje edhe Kryeministrit të tyre. Man Karaj, një militant i vjetër i PS, dhe Nazmi  Kërtusha, u shprehën për “Telegraf” se: “Qysh prej 2005, jemi familjarisht pa punë dhe përkrahje, jetojmë me ndihmat e kushërinjve dhe komshinjve. Bëmë fushatë për PS, i dhamë votat tona dhe të farefisit në 23 Qershor, tani nuk pyesin se jemi gjallë, na mbyllin edhe celularët, drejtorët e rinj. Ca emra dhe ca fytyra që nuk i kemi parë asnjëherë në zyrat e partisë, nuk na qasin apo na presin te dera dhe na thonë nuk ka punë. Pse kjo ishte rilindja, për këtë besuam dhe votuam ne?”. Por, si këta qytetarë militantë, baza e PS në Durrës ka me qindra që sot nuk po gjejnë përkrahjen e premtuar, vendin e punës, respektin dhe fjalën e mirë, por po trajtohen si kundërshtarë politikë. Rebelimet e bazës së PS, vetëm pak muaj nga ardhja e qeverisë së re, të krijojnë përshtypjen e një lëvizje të re brenda kësaj partie, ku protagonistë kësaj radhe janë militantët dhe jo anëtarët e KPD. Nga Durrësi nisi nevoja për Katarsis në PS (kur Nano ishte Kryeministër) dhe duket se nga Durrësi do të nisë sërish një gjë e ngjashme, e cila do ta detyrojë Ramën të vijë dhe t’i dëgjojë pakënaqësitë e bazës.