SHBA: Qeveria dhe opozita të ulen në dialog

462
Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit kërkon pjesëmarrjen e partive në zgjedhjet e 18 qershorit dhe zgjidhjen e problemeve, që ato të jenë të lira e të ndershme
Shtetet e Bashkuara i kërkuan qeverisë dhe opozitës që të ulen në dialog për të zgjidhur problemet, në mënyrë që zgjedhjet e 18 qershorit të jenë të lira dhe të ndershme. Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili po zhvillon një vizitë në Prishtinë, ka folur edhe për zgjedhjet në Shqipëri. Këtë ai e ka bërë gjatë një interviste për “RTK”. “Shqipëria duhet që t’i mbajë zgjedhjet e saj në kohën e duhur, më 18 qershor”, ka thënë Yee. Zyrtari amerikan ka nxitur opozitën dhe të gjitha partitë e tjera që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mos i bllokojnë ato. “Dhe nëse ka probleme, ne mendojmë se opozita dhe qeveria duhet të ulen në dialog dhe t’i zgjidhin, në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme”, ka shtuar Yee. 

Në intervistën e tij, diplomati amerikan foli edhe për situatën në Kosovë. 

A ka mundësi kompromisi për zgjidhjen e demarkacionit dhe ngritjes së ushtrisë në Kosovë?
“Si diplomat, besoj se gjithmonë ka zgjidhje për çfarëdo mospajtimi mes vendeve, mes palëve, nëse ka vullnet politik, nëse ka mirëbesim dhe përpjekje të sinqertë nga ana e udhëheqësve. Këtë po e kërkojmë edhe ne. Po iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve që ta bëjnë punën e tyre, të ulen dhe të gjejnë zgjidhje, e jo vetëm për të fituar pikë politike. Duhet t’i kujtojnë qëllimet e qytetarëve të Kosovës, të cilat janë, që të kenë të ardhme më të mirë, ekonomi më të fortë, vende pune, mundësi për të rinjtë, shërbime më të mira qeveritare, rastin për integrim me pjesën tjetër të Evropës. Të gjitha këto gjëra kërkojnë përparim të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëse nuk ka përparim në normalizim, ka gjasa që nuk do të ketë as përparim në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Pra, e dimë se është e vështirë. E dimë se nuk ka zgjidhje të lehta, por duhet të ketë përpjekje të sinqerta, duhet të ketë vullnet politik nga udhëheqësia për t’i gjetur zgjidhjet”.

Duke marrë parasysh zhvillimet në Kosovë në dy vitet e fundit, të gjitha mospajtimet, madje edhe ndërmjet partnerëve të koalicionit, a ka gjasa për zgjedhje të parakohshme në Kosovë? A do ishte kjo ide e mirë?
“Prapë, ky është një vendim që duhet të merret nga udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës. Është pikëpamje e jona, pikëpamje e Shteteve të Bashkuara, se Kosova ka shumë sfida të rëndësishme para vetes, shumë nisma të rëndësishme që populli i Kosovës pret nga Qeveria që të ballafaqohet me to në mënyrë të drejtë, jo që të vonojë dhe të shtyjë. Fatkeqësisht, zgjedhjet kanë si efekt vonimin e reformave, vonimin e vendimeve të vështira. Prapë, është një shenjë e rëndësishme e zhvillimit demokratik dhe pjekurisë politike që shteti të ketë zgjedhje sipas afatit. Pra, sipas afatit, zgjedhjet nuk do të duhej të mbaheshin deri vitin e ardhshëm. Kjo do t’i japë Qeverisë dhe Kuvendit më shumë kohë që të bëjnë punën e tyre – të kalojnë ligje dhe reforma, ta miratojnë Marrëveshjen për shënimin e kufirit, të bëjnë përparim lidhur me normalizimin, t’i përmirësojnë marrëdhëniet me fqinjët, ta luftojnë korrupsionin, dhe kjo e fundit është njëra nga problemet më të mëdha në Kosovë me të cilën udhëheqësit duhet të ballafaqohen. Nëse udhëheqësit, qoftë në Kosovë, apo kudo në rajon dhe botë thjeshtë mbajnë zgjedhje të parakohshme kurdo që u dalin vështirësi në përpjekjet për të zgjidhur problemet, atëherë nuk do të ketë përparim. Pra, këshilla jonë për udhëheqësinë e Kosovës është që të përballen me sfidat, jo të vonojnë dhe të shtyjnë, jo të mbajnë zgjedhje të parakohshme. Kjo është diçka për të cilën ne i inkurajojmë udhëheqësit në tërë rajonin, meqë ra fjala. Është shenjë shumë e mirëseardhur që disa shtete, Shqipëria për shembull – Shqipëria, do të duhej së paku, të mbajë zgjedhjet e saj në kohën normale në qershor, më 18 qershor besoj. Atje ne e nxisim opozitën dhe gjitha partitë që të marrin pjesë në zgjedhje plotësisht, jo që t’i bllokojnë zgjedhjet. Dhe, nëse ka probleme ne besojmë se opozita dhe Qeveria duhet të kenë dialog që të zgjidhin problemet, në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira të drejta. Kur të vijë koha – dhe për këtë ka afat sipas ligjit se kur duhet të mbahen zgjedhjet – ne shpresojmë se edhe në Kosovë zgjedhjet do të mbahen në mënyrë të lirë dhe të drejtë. Jo si shteg i ikjes dhe jo si mënyrë për t’i ikur përgjegjësisë”.
Sigal