Ruçi mbron Ndreun pasi kërcënoi deputetin e PD: Nuk ndëshkoj kur shaheni në komisione

24
Byroja e Kuvendit nuk e ka pranuar kërkesën e PD-së për përjashtimin e deputetit socialist Pjerin Ndreu dhjetë ditë nga Kuvendi, pasi gjykoi se Ndreu e ka kërcënuar deputetin Ervin Salianji në komisionin parlamentar të para pak ditëve me shprehjet “da hash dajak, ti do rrahur”.
Gramoz Ruçi, kryetar i Kuvendit, i habiti të gjithë me deklaratën e tij kur tha se “mbledhja nuk mund ta shqyrtojë këtë rast, pasi Byroja nuk ndëshkon kur njerëzit shahen në komisione.” 
NGJARJA
Dy deputetë socialistë, më 7 nëntor, e kanë kërcënuar sot deputetin e PD, Ervin Salianji, në komisionin e Sigurisë. Pyetja që Salianji i drejtoi ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, për buxhetin e ushtrisë, nuk i pëlqeu Xhaçkës, së cilës i kanë dalë në krah dy ish-oficerët e lartë të Policisë, Paulin Stërkaj dhe Pjerin Ndreu.
Ervin Salianji e pyeti ministren Xhaçka: “A ju duhet më shumë buxhet për të kontrolluar ish-repartet ushtarake, që përdoren për magazinim droge? A ju duhet më shumë buxhet për të vendosur në funksion radarët?!”
Por, përgjigjen pyetjes ia ka kthyer ndryshe, Paulin Stërkaj: Je bilbil mali! Se vetëm për të folur ke ardhur.
Kurse, Pjerin Ndreu, pa mikrofon, iu kthye Salianjit: Mos i provoke të gjithë se do të hash dajak! Ti do rrahur!
Paulin Stërkaj ka vazhduar, duke i kujtuar Salianjit:… Unë bëj mundje, boks edhe karate. Mos më bëj mua presion!
Pjerin Ndreu nga ana tjetër iu ka kthyer deputetit demokrat: Rri more urtë se je bërë provokator i keq! Rri more urtë, nuk e shikon çfarë është bërë në të kaluarën?!
Salianji ia ka pritur: Nuk pyes dhe s’kam frikë nga asnjë bandit!