Reforma në drejtësi/ Meta takim kokë më kokë me Donald Lu

88
Ambasadori amerikan Donlad Lu ka zhvilluar dje takime të veçanta me kryeparlamentarin Ilir Meta, si dhe një takim të përbashkët me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe së fundi edhe me Presidentin Bujar Nishani. 
Ambasadori Lu takon Ilir Metën
Dje në orët e mesditës, ndërsa ishim në Kryesinë e Kuvendit për të ndjekur punimet e komisioneve parlamentare, shikojmë të ngjitet në katin e tretë të Kryesisë ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ku është edhe zyra e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta. Ambasadori amerikan Donald Lu shoqërohet në këtë takim me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta nga këshilltari politik i ambasadës amerikane në Tiranë. Takimi Meta – Lu i zhvilluar në kryesinë e Kuvendit, zgjati rreth 80 minuta. Nga zyra e shtypit të Kuvendit nuk u bë e ditur asnjë informacion për bisedën dhe qëllimin e këtij takimi të rëndësishëm, por, duke u nisur nga kryetema e ditës në politikën e vendit, ambasadori Lu dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta kanë diskutuar në takimin e tyre, temat për reformën në drejtësi, si edhe dekriminalizimin e politikës. Komisioni Parlamentar i Reformës në Drejtësi, tashmë është në fazën e tretë të procesit zgjedhor, që do të thotë, që specialistët po përgatitin tashmë draftet dhe ligjeve dhe së shpejti, kjo reformë do të paraqitet edhe në Kuvend për t’u diskutuar dhe miratuar. Vizita e ambasadorit amerikan Donald Lu në kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe takimi i tij me Ilir Metën, përgënjeshtroi të gjitë ata, që deri tani kishin ngritur dashakeqësisht edhe hipoteza të ndryshme, për izolimin e Ilir Metës nga ambasadori amerikan. 
Lu takon kryeministrin Rama
Kryeministri Edi Rama u takua dje paradite me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu. Në këtë takim të zhvilluar në kryeministri, ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri. Mësohet se takimi është mbajtur pak ditë përpara vizitës disaditore që Kreu i Ekzekutivit do të zhvillojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po dje ambasadori amerikan u takua edhe me presidentin Bujar Nishani. Zyrtarisht, nga asnjë zyrë të shtypit nuk u dha asnjë informacion për çafrë teme u biseduan krerët më të lartë të shtetit shqiptar me ambasadorin amerikan ( takime këto të ndërmara me iniciativën e vetë ambasadorit amerikan Lu. 
Roli aktiv i ambasadorit Lu në reforma në drejtësi 
Prej shumë ditësh ambasadori i SHBA-së ka është tepër aktiv. Pak ditë më parë ambasadori Lu zhvilloi takime të veçanta me kryetarin e Opozitës Lulzim Basha, por dhe me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në ministrinë e këtij të fundit. Gjithashtu në aktivitete publike të ditëve të fundit ambasadori Lu përcolli apelin për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi, luftës së krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në aktivitetin, ku u prezantuan rezultatet e luftës kundër kultivimit të kanabisit, ambasadori i SHBA-së konfirmoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në krah të Shqipërisë për luftën kundër drogës, krimit dhe korrupsionit. Një prokuror federal nga SHBA ka mbërritur në Shqipëri për të punuar me njësinë antikorrupsion. Gjithashtu dhe një agjent i FBI-së pritet të mbërrijë këtë javë. Ambasadori Donald Lu deklaroi se ekspertët do mbështesin dhe rihartimin e ligjit për Byronë e Hetimit dhe reformën në gjyqësor. Javën e kaluar, qeveria publikoi projektligjin e vet për të ndaluar personat me precedentë kriminalë të emërohen, apo zgjidhen dhe të njëjtën gjë bëri edhe opozita një ditë më vonë. Mirëpo, palët politike kundërshtojnë draftet e njëra-tjetrës dhe rrezikojnë kështu konsensusin e reformës në drejtësi. Kryeministri Edi Rama i cilësoi si “alla shqiptarçe” disa pika të parashikuara nga drafti i opozitës, ndërsa opozita përmes Oerd Bylykbashit tha se drafti i qeverisë nuk përjashton kriminelët nga emërimi apo zgjedhja.