Raporti i KLSH-së dhe pse organet e hetimit nuk duhet të bëjnë diferencime midis bashkive të PS dhe PD

596
Në hetimet për pronat, të gjithë të barabartë para ligjit
Shteti i ‘kapur’/ Policia dhe prokuroria nuk duhet të bëjnë diferencime mes kryebashkiakëve të PS-së dhe atyre të PD-së
Situata e rëndë e abuzimeve me pronat sidomos në zonat bregdetare dhe gllabërimi i rërës dhe ranishtave për qëllime private, personale dhe klienteliste nga pushtetarët lokalë të bashkive, ZRPP-ve në lidhje me tregtarët dhe ndërtuesit është evidentuar nga KLSH prej 4 apo 5 vitesh duke i dërguar dosjet e tyre në organet e hetimit. E rëndësishme është të mos ketë diferencime si për Kryebashkiakun e Lezhës ashtu edhe për atë të Kavajës, Elbasanit, Lushnjes, Durrës, Pogradecit etj. Kur krijohen diferencime atëherë nuk vepron më ligji por futet në punë ‘maliqi’. Gjithsesi le të analizojmë sot situatën në Lezhe dhe në numrin e ardhshëm do të trajtojmë edhe bashkitë e tjera të sipërpërmendura. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në përfundim të auditimit të ushtruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të pasurive të Paluajtshme Lezhë, në zbatim të programit të auditimit nr. 1330/2, datë 30.12.2016, për periudhën e veprimtarisë nga data 01.01.2014 deri më 30.06.2016, me objekt “Zbatimin e procedurave ligjore në pranimin dhe administrimin e dokumentacionit tekniko ligjor për regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme, evidentimin dhe trajtimin ligjor të mbivendosjeve etj”, ka konstatuar një sërë shkeljesh të kryera në kundërshtim me përcaktimet ligjore e nënligjore të bëra në nr. 33/2012, datë 29.04.2012 “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”, për të cilat ne mendojmë se përmbajnë elementët e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal . Mbi këtë bazë KLSH bëri “kallëzim për ndjekje penale” përpara prokurorisë së rrethit gjyqësor Le z h ë dhe për për dijeni Prokurorit të Përgjithshëm. 
“Telegraf” po boton disa nga rastet më konkrete:
1. Z. Nikolin Shtjefni, me detyrë ish Regjistrues i ZVRPP Lezhë, për moszbatim të kërkesave të ligjit nr. 33, datë 29.04.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ligjit nr. 9154, datë 06.11.2003 “Për Arkivat”, Rregullores nr. 184, datë 8.4.1999 “Për Punën e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme” për shkeljet si më poshtë: 
– Për mungesën e 1045 referencave (praktika të ndryshme dokumentare). Regjistruesi i ZVRPP Lezhë nuk ka marrë masa dhe nuk ka nxjerrë përgjegjësinë ndaj shkaktarëve për mungesën e praktikave të pa futura në arkiv si rezultat i urdhrit të tij nr. 33, datë 24.03.2014, për ngritjen e komisionit për dorëzimin e arkivit nga ish-arkivisti Edison Kola dhe marrjen në dorëzim të arkivit nga znj. Erisa Leka, për të cilën është mbajtur procesverbali i dorëzimit datë 31.03.2014, por për sa më sipër nuk është nxjerrë rezultati i dorëzimit të detyrës. 
– Në 14 raste ka regjistruar pasuri të paluajtshme, duke lëshuar certifikata pronësie, në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi(AMTP-të), që kanë shërbyer për regjistrimin e këtyre pasurive, nuk shërbejnë si Titull Pronësie, pasi pasuritë e regjistruara nuk janë të llojit “tokë bujqësore”, për rrjedhojë është tjetërsuar pasuria “shtet” me sipërfaqe totale 421154 m2, duke regjistruar në favor të poseduesve të AMTP-ve 27 pasuri, të cilat në regjistrat përkatës deri 1.08.1991 figurojnë: të llojit “Pyll” me sipërfaqe totale 244331 m2; të llojit “Ranishte” me sipërfaqe totale 75527 m2; të llojit “kënetë” me sipërfaqe totale 55077 m2; të llojit “kullotë” me sipërfaqe totale 41439 m2 dhe të llojit “kanal” me sipërfaqe totale 4780 m2, ndërsa në të gjitha rastet është lëshuar certifikatë pronësie për tokë arë, veprim në papajtueshmëri me shkronjën “a” neni 25, nenin 45, të ligjit nr. 33, datë 29.04.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, nenin 2, të ligjit nr. 9948, datë 7.07.2008 “Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë ligjore të krijimit të Titujve të Pronësisë mbi tokën bujqësore ”, me nenin 3, të ligjit nr. 8337, datë 30.04.1998 “Për Kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave” dhe nenin 3 të ligjit 7501, 19.07.1991, i ndryshuar.
– Në 2 raste ka regjistruar pasuritë e paluajtshme sipas AMTP-ve përkatëse, që iu përkasin familjeve bujqësore që kanë poseduar më shumë se 2 AMTP , duke përfituar më tepër në total tokë me sipërfaqe 94712 m2, se sasia takuese bazuar në përbërjen familjare me 1.08.1991 dhe normën e përcaktuar për frymë, më të detajuar: Familja bujqësorë “L. N. Zefi”, me AMTP nr. 11543/1 ka përfituar më tepër tokë bujqësore me sipërfaqe 18000 m2 [41500 (sasia e tokës që ka marrë)-23500 (sasia takuese)], Familja bujqësorë “P. D. Syku”, me AMTP nr. 11543/1 ka përfituar më tepër tokë bujqësore me sipërfaqe 76757 m2 [93757(sasia e tokës që ka marrë)-17200 (sasia takuese)], veprim në papajtueshmëri me pikën 5 neni 45, të ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, me ligjin 7501, datë 19.07.1991, “Për Tokën”, i ndryshuar. Për regjistrimin e paligjshëm të pronës së qytetarit N. F. Gjoni në pasurinë nr. 11/335, vol 20 faqe 36 nga pasuri me pronar shet në seksionin C të kartelës në pasuri të fituar me AMTP nr. 13642 datë 06.09.2000 me sipërfaqe 21200 m2. 
– Për referencën nr. 05697; ZK 1986, Ishull Lezhë.
Me kërkesë nr. 5171, datë 25.09.2014, Vlash Ndoc Gazuli ka kërkuar regjistrimin e pasurive të paluajtshme sipas AMTP nr. 11994, datë 22.11.1996 dhe pajisjen me certifikatë pronësie.
ZVRPP Lezhë me shkresën nr. 3635/2, datë 22.10.2014, drejtuar DAMT –së Qarku Lezhë, ka kërkuar konfirmimin e pasurive që përmban AMTP-ja, lidhur me llojin e pasurisë me datë 01.08.1991. DAMT–së Qarku Lezhë, ka kthyer përgjigje me shkresën datë 27.11.2014, e cila nuk konfirmon me shkrim lidhur me llojin e pasurisë, por ka bashkëlidhur fotokopje të regjistrit të ngastrave, dhe të hartave kadastrale, por që nuk janë nënshkruar nga personi përgjegjës për të vërtetuar se janë të njëjta me origjinalin. Nga auditimi i kartelave të pasurive të paluajtshme rezulton se, në kartelën e pasurisë së paluajtshme (KPP) volum 21 faqe 191 , sipas AMTP nr. 11994, është regjistruar pasuria nr. 5/4, Arë me sipërfaqe 41439 m2, në pronësi të V. N. Gazhuli, lëshuar certifikatë pronësie datë 5.01.2015. Origjina e kësaj pasurie rrjedh nga Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi nr. 11994, datë 22.11.1996, në emër të V. N. Gazhuli, i cili ka përfituar tokë bujqësore me sipërfaqe totale 46591m2 dhe truall me sipërfaqe 200 m2, dërguar nga Komuna Shëngjin me shkresën nr. 485, datë 25.08.2014 dhe shkresën nr. 495, datë 17.09.2014, drejtuar ZVRPP Lezhë për regjistrimin e pasurive. Kjo pasuri rrjedh nga pasuria nr. 5/2, vol. 11, faqe 38, e llojit “kullotë”, me sipërfaqe 96140 m2, e cila është ndarë në: pasuria nr. 5/3, vol. 21, faqe 190, e llojit kullotë me sipërfaqe 54971m2, me pronar “Shtet”, dhe pasuria nr. 5/4, vol. 21, faqe 191, e llojit arë me sipërfaqe 41439 m2, me pronar V. N. Gazhuli. Veprimet janë kryer nga Aleksandër Ndoka, me detyrë specialist jurist, i larguar nga puna. Më pas, me referencë nr. 4745, datë 03.07.2015, pasuria nr. 5/4 është ndarë në: – pasurinë nr. 5/5, vol 22, faqe 161, arë me sipërfaqe 8000 m2, me pronar V. N. Gazhuli, lëshuar certifikatë pronësie datë 03.07.2015;- pasurinë nr. 5/6, vol 22, faqe 162, arë me sipërfaqe 33439 m2, me pronar Vlash Ndoc Gazhuli, lëshuar certifikatë pronësie datë 5.01.2015, e cila me referencë 6152, datë 22.07.2015, me kontratë shitblerje ka kaluar në pronësi të Paulin Simonit, lëshuar certifikatë pronësie datë 5.01.2015. Kjo pasuri më pas është ndarë në: pasurinë nr. 5/7, vol 22, faqe 205, arë me sipërfaqe 4000 m2, me referencë 4801, datë 4.09.2015, me kontratë shitblerje ka kaluar në pronësi të Artan Kola, lëshuar certifikatë pronësie datë 4.09.2015 dhe pasurinë nr. 5/8, vol 22, faqe 206, arë me sipërfaqe 29439 m2, në pronësi të Paulin Simonit. Sa trajtuar arrijmë në përfundimin se, AMTP shërben si Titull Pronësie për të regjistruar pasuri të llojit “Tokë Bujqësore”, që figuron si e tillë në regjistrat përkatës deri 01.08.1991, për rrjedhojë ZVRPP Lezhë nuk duhet të regjistronte pasuri të llojit “Kullotë”, duke e tjetërsuar nga pronësia “shtet” tek poseduesi i AMTP-së, që ka sjellë regjistrimin e pasurisë nr. 55/4, ZK nr. 1986, dhe lëshuar certifikatë pronësie për tokë arë me sipërfaqe totale prej 41439 m2, e cila rezulton pasuri e llojit “Kullotë”, veprim në papajtueshmëri me shkronjën “a” neni 25, nenin 45, të ligjit nr. 33, datë 29.04.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, nenit 3, të ligjit nr. 8337, datë 30.04.1998 ‘”Për Kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave” dhe ligjin 7501, 19.07.1991, i ndryshuar. 
Për veprimet dhe mosveprimet e mësipërme, të kryera në kundërshtim me ligjin nr. 33/2012, datë 29.04.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, mbajnë përgjegjësi: Nikolin Shtjefni, me detyrë ish-Regjistrues i ZVRPP Lezhë, Edison Kola, me detyrë ish-Arkivist, Erisa Leka, me detyrë ish-Arkiviste, Fran Zefi, me detyrë Specialist, Jurist, Ermando Jakaj, me detyrë Specialist, Jurist, Enkelejd Zefi, me detyrë Inxhinier Hartograf, Klodiana Marku, me detyrë ish-Specialiste Juriste, Blerina Rroku, me detyrë ish-Specialiste Juriste dhe Nikollë Ndreca, me detyrë Specialist, Inxhinier Hartograf, si dhe personave të tjerë, të cilët janë trajtuar në Raportin Përfundimtar të Auditimit, si z. Aleksandër Ndoka, me detyrë ish-Specialist Jurist, i larguar nga puna apo dhe ish-punonjës të tjerë të ZVRPP Lezhë, të cilët në shkelje të përcaktimeve ligjore e nënligjore të bëra në ligjin nr. 33/2012, datë 29.04.2012, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Si përfundim, duke i konsideruar veprimet e kryera nga këta punonjës, pa përjashtuar këtu edhe mundësinë e konstatimit gjatë hetimeve të përgjegjësisë penale edhe ndaj personave të tjerë, si dhe eprorëve të tyre, të cilët kanë ndikuar në çfarëdo mënyre dhe që evidentohen më konkretisht në Raportin Përfundimtar të Auditimit, si veprime me pasoja për interesat e ligjshme të Shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale si dhe nenin 15 germa “gj” të Ligjit nr. 154/2014 datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, Ju dërgojmë këtë kallëzim penal për veprime të mëtejshme procedurale. Më hollësisht, argumentimi i plotë në lidhje me konsumimin e figurës së kësaj vepre penale pasqyrohet në materialin e trajtuar në Raportin Përfundimtar të Auditimit, Vendimin nr. 43, datë 30.04.2017 të Kryetarit të KLSH-së dhe aktet e tjera bashkëngjitur këtij kallëzimi. Materialet e tjera dokumentare origjinale të cilat do të jenë të nevojshme për hetimin e çështjes, ndodhen në ZVRPP Lezhë.