Qeveria, ja medaljet që jep ministri për ushtarakët e FA

463
Sigal

Qeveria miratoi dje specifikimet e medaljeve dhe certifikatave që jep ministri i Mbrojtjes. Kështu, “Medalja e nderit” u jepet ushtarakëve aktivë dhe në rezervë të FA për trimëri, guxim dhe kontribut të spikatur, duke rrezikuar jetën mbi dhe përtej asaj çfarë kërkon detyra. “Medalja e mirënjohjes” u jepet ushtarakëve  aktivë, në rezervë, në lirim ose në pension, personelit civil dhe ushtarakëve të reparteve të FA brenda dhe jashtë vendit.

Kjo medalje u jepet edhe ushtarakëve të huaj, që kanë dhënë kontribut të veçantë në shërbim të FA të Shqipërisë. Medalja “Në shërbim të atdheut” u jepet të gjithë ushtarakëve aktivë ose në rezervë dhe personelit civil të FA që shërben në kohë lufte për mbrojtjen e atdheut. Kurse medalja “Për shërbime të shquara” u jepet ushtarakëve aktivë dhe personelit civil të FA që janë dalluar në kohë paqeje, për shërbime të merituar  në detyrat me përgjegjësi të lartë. Medalja “Për shërbime të larta” i jepet personelit civil të FA për arritje të veçanta në kryerjen e detyrave të tyre për një periudhë jo më pak se 5 vjet. Dhënia e medaljeve shoqërohet me certifikatë, ku formati është letër A4 (210 mm x 297 mm), 160 g/m2, me fushë me stemën e institucionit, me kornizë me shirit anash.

Ministri i jep medaljet kryesisht ose me propozim të titullarëve të institucioneve në varësi të tij apo Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA. Efektet financiare, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes. Janë miratuar dhe vendime të tjera, si përcaktimi i numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme për 2014 në qeverisjen qendrore që është 907 veta.

Njëherësh janë miratuar ndryshime në vendimet e mëparshme për shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimi i segmenteve rrugorë, Tiranë-Elbasan, By-Pass Durrës, Ura e Matit, By-Pass Shkozet-Plepa.