Qeveria e Rilindjes filloi llogaridhënien, duke premtuar sërish punësime dhe rritje të mirëqenies

536
Jakup B. GJOÇA
Shpresa e munguar, kur kryeministri nuk pranon varfërinë dhe dëmet ekonomike të koncesioneve
Kryeministri Rama e filloi dje llogaridhënien në popull, siç thotë, duke prezantuar makete të infrastrukturës së ardhshme që do ndërtohet deri në vitet 2021 e tutje. Si për ironi, këto ditë, kanë ndodhur me dhjetëra aksidente në rrugët nacionale të Shqipërisë, me pasoja vdekjeprurëse. Më i dhimbshëm ishte aksidenti në Kurbin, ku humbën jetën 3 të rinj 19-23-vjeçarë. Shkaku? Gropat e hapura në mes të rrugës. Aksidente edhe në segmentin Levan – Tepelenë, ku mungon siguria rrugore. Qeveria e Rilindjes, siç u pranua edhe nga kryeministri ka shumë të meta, sepse në 5 vite nuk ka ndërtuar asnjë segment të rruge, por ka ndërtuar sheshe qytetesh e fasada ndërtesash e institucione shtetërore. 
Kryeministri “akuzon” Bashkinë e Tiranës për rritje taksash, për të fshehur taksat e qeverisë
Kryeministri Edi Rama teksa deklaroi se qeveria nuk i kishte rritur taksat, pohoi publikisht se të kundërtën kishte bërë Bashkia e Tiranës. Kryeministri Rama “harroi” rritjen e çmimit të energjisë elektrike nga 7,4 lekë Kilovati në 9,6 lekë pa TVSH. Kryeministri Rama harroi taksën që filloi që në 1 prill për shtëpitë e banimit, ku qytetari do të paguajë më shumë taksë sesa pronari i hoteleve me 5 yje. Kryeministri Rama “harroi” që ka rritur më shumë se në çdo vend të botës taksën e karburantit, ndërkohë, që cilësia është më e keqe. Kryeministri harroi të pohojë, që qeveria ka shkurtuar edhe ndihmesën sociale për familjet e varfra, ndërkohë, që janë rritur të gjitha taksat e ujit, gjelbërimit. Kryeministri harroi të kujtojë taksat e rritura në Universitetet publike, që tarifat i kanë të barabarta me ato jopublike. Kryeministri harroi edhe TVSH që u vendosi së fundi biznesit të vogël, të cilit i rritet kostoja e mbajtjes së TVSH- së si edhe taksat e tjera të ndërmjetme që do t’i rriten për shkak të futjes në skemën e TVSH. Kryeministri Rama e quajti ndjenjë patriotike që qytetarët të paguajnë taksa, por harroi të japë llogari se ku shkojnë taksat, derisa mungojnë investimet publike, derisa shkurtohen fondet për arsimin, shëndetësinë publike dhe ndihmën sociale. 

Arroganca e Administratës Publike
Kryeministri, edhe pse përmendi reforma, si duket nuk njeh fare realitetin që ndesh përditë qytetari në zyrat e Hipotekave, në zyrat e legalizimeve e kudo, ku asnjë nëpunës nuk të shërben, nëse nuk paguan ryshfet. 

Spitalet nuk kanë asnjë ilaç, milionat e përfitojnë koncesionarët
Në fjalën e tij, kryeministri Rama njoftoi transformimin e qendrave shëndetësore të Tiranës, si dhe ndërtimin e tre shkollave, ndërsa shtoi se ka ende shumë punë për të bërë. Ai tha se nga ky proces do të preken të gjitha njësitë e qeverisjes, dhe do të dëgjohet zëri i qytetarëve. Gjatë 5 viteve të qeverisjes së Rilindjes, nuk është ndërtuar asnjë spital rajonal apo qendër e re shëndetësore. Në spitale mungojnë edhe ilaçet, shtretërit, mjekë, infermierë e specialistë, mungojë aparatura, ndërkohë që janë dhënë me koncesion edhe laboratorët, ndërkohë që e kanë kundërshtuar këtë koncesion edhe shoqata e laboratorëve.

FMN dhe BB kritikojnë koncesionet, kryeministri premton …punësime
Kryeministri Rama pohoi në llogaridhënie, se deri në fund të vitit është planifikuar të hapen 25.000 vende të reja pune, ndërsa në fushatën elektorale para një viti premtoi 300.000 vende të reja pune në 4 vite. Ndërkohë, që në vitet 2015-2017 janë larguar nga Shqipëria mbi 350.000 shqiptarë për të kërkuar azil ekonomik nëpër Evropë, sepse në Shqipëri nuk ka punë. FMN dhe BB kanë kritikuar qeverinë e Ramës për koncesionet, për shkak se ato nuk japin mundësi zhvillimi, nuk kanë hapur vende të reja pune, dhe se përfitojnë miliona euro nga buxheti pa dhënë asnjë impakt pozitiv në ekonominë e vendit. 
Sigal