Qëllimi i autorëve është që mbi këtë truall të ndërtohen pallate dhe kulla shumë katëshe

653
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Qëllime për tjetërsimin e pronës, pas djegieve në institucione shtetërore

Heshtja dhe fshehja e të vërtetës, pas zënies së zjarrit në godina të ndryshme publike

Para një viti u dogj bodrumi i Bibliotekës Kombëtare, ku mbahej arshiva më e rëndësishme e kësaj biblioteke. Asokohe, u tha se zjarri kishte rënë nga shkëndijat e rrjetit elektrik. Deri më sot asnjë nuk është vënë në përgjegjësi nga prokuroria, madje askush nuk mund të mësojë dot se çfarë rezultati dhanë vetë hetimet. Më vonë, Biblioteka Kombëtare u përmbyt, deri në katin e parë, nga një rrebesh shiu. Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, deklaroi publikisht, se përmbytja e godinës së Bibliotekës Kombëtare ndodhi ngaqë janë dobësuar themelet, ngaqë godina është ndërtuar 65 vite më parë….Drejtoresha nuk publikoi asnjë dokument nga specialistë përkatës, që të argumentonin arsyetimin e saj. Ndërkohë, në Sheshin Skënderbej u kryen shumë punime të nëndheshme, që edhe mund të kenë cenuar themelet e Bibliotekës, por askush nuk hetoi.

Disa javë më parë, zjarr ra edhe në godinën e Gjykatës së Lartë dhe sërish u tha që burimi i zjarrit MUND të jetë shkëndija nga rrjeti elektrik. Një gjë bën përshtypje. Që zjarri nga rrjeti elektrik bie vetëm në disa godina të institucioneve shtetërore dhe në asnjë rast në godina private, të ndërtuara edhe më parë. Që këtu të lind dyshimi, se cilat janë shkaqet e vërteta të vënies së zjarrit në godinat e institucioneve shtetërore. Në këto dy raste, të zjarrit në Bibliotekën Kombëtare dhe në Gjykatën e Lartë, që janë nga më flagrantet, organet e specializuara hetimore të shtetit nuk kanë dhënë të publikuara asnjë raport të hetimeve, nuk kanë zbardhur shkaqet, nuk kanë dhënë përgjegjësinë tek ata që kanë neglizhuar me mosveprime për të parandaluar të keqen. Kush mund t’i garantojë shqiptarët, që nesër, pasnesër nuk do digjet nga shkënditë e rrjetit elektrik, godina e Kuvendit, Galeria e Arteve, Muzeu Historik, çerdhe të tjera, shkolla, zyra të institucioneve të tjera, që janë 2-3 katëshe, ndërkohë që kanë sipërfaqe toke të bollshme përreth?…

Zjarri në 2 çerdhet në kryeqytet dyshohen si zjarrvënie të qëllimshme

Dëmtimi i dy çerdheve me vënie zjarri brenda pak ditësh ka ngritur dyshimet se nuk jemi përballë ngjarjeve aksidentale, por të qëllimshme. Ky të paktën është dyshimi i ekspertëve të zjarrfikësve për dy ngjarjet e ndodhura në çerdhen numër 14 në zonën e “Ali Demit” në Tiranë 6 ditë më parë por edhe në çerdhen numër 16 në njësinë 5, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së martës. Nga hetimet e ekspertëve të zjarrfikëseve, rezulton se ka pasur dëmtime në sistemin e gazit të çerdhes, ku janë prerë tubat. Kjo ka shkaktuar rënin e zjarrit në çerdhen numër 14. Dosja hetimore tashmë është në duart e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, e cila po punon për zbardhjen e rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje. Në datën 16 gusht, depoja e ushqimeve të çerdhes numër 14 në “Ali Demi” u përfshi nga zjarrit. Ndërkohë mbrëmjen e së martës, flakët e zjarrit përfshinë çerdhen numër 16 që ndodhet në të njëjtën godinë me njësinë bashkiake numër 5 në ish-Bllok. Paraprakisht si shkak i zjarrit është dëmtimi i një kabulli elektrik të frigoriferit, ndërsa burime informacioni pranë policisë bëjnë me dije se ka dyshime të forta se dhe këtë herë kemi të bëjmë më zjarrvënie të qëllimshme të cilat pritet të zbardhen.

Tjetërsimi i pronësisë

Qëllimi i vërtetë i djegies së disa godinave të institucioneve shtetërore nuk është as pakujdesi dhe as rastësi. Është e papranueshme, që në godinën e Gjykatës së Lartë askush të mos kujdeset, që të përmirësojë rrjetin elektrik dhe ta sigurojë atë brenda kushteve teknike, Është e papranueshme, që në dhomat e Gjykatës së Lartë, aty ku mbahen dosjet më të rëndësishme për t’u shqyrtuar, apo edhe arshiva, të mos ketë masa antizjarri. Është jashtë çdo logjike, që zjarri të bjerë në budrumet e Bibliotekës Kombëtare nga rrjeti elektrik, kur dihet, se ky rrjet është përmirësuar, ose duhej të ishte përmirësuar. Pra, zjarri këtu provokohet, ose vihet qëllimisht. Ka arsye të tjera. Së pari, edhe mund të duan të zhdukin dokumente të ruajtura. Por më shumë është se duan ta bëjnë të pabanueshme godinën nga zjarri dhe, paskëtaj, të bëjnë projekte të reja për ndërtimin e godinave të tjera, me më shumë kate, me koncesionin e famshëm PPP dhe të përfitojnë.

Kështu mund të shpjegohet edhe vënia e qëllimshme e zjarrit edhe në godinat e çerdheve. Zjarrvënësit dhe ata që urdhërojnë ata, duan që me djegien e godinës së çerdheve, ta bëjnë të papërshtatshme më për këtë aktivitet dhe, paskëtaj, të kërkojnë që të rindërtojnë. Këtu fillojnë pazaret. Projektet e reja mund të miratohen me ndërtesa më të mëdha, shumëkatëshe dhe, koncesionari, si në rastin e Teatrit Popullor, mund të japë (falas) sipërfaqe ndërtuese të barabartë me ekzistuesen, por në sipërfaqen e lakmueshme të ish-godinës, të përfitojë sipërfaqe të mëdha ndërtimi në interes të biznesit të vet. Më e keqja, është se me këto metoda mafioze, do fillojë edhe radha e dominosë për shumë godina të institucioneve të tjera shtetërore, ku “dora të padukshme”, fillimisht, do t’i djegin, do raportohen publikisht që shkaku është shkëndija elektrike nga rrjeti elektrik i amortizuar.