Protestat tek MAS, Kejdi Mehmetaj: Solidarizohemi me studentët, mirënjohje dhe përkrahje për ta

117

Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, në një intervistë për emisionin ‘45 minuta’ në ‘Report Tv’, ka folur rreth protestës së zhvilluar përgjatë paradites së sotme nga studentët e vendit përkundrejt tarifës për provimet e mbartura, kushtet e konvikteve, tarifës së studimit dhe pjesëmarrjes së një përfaqësuesi të studentëve në Bordin e Administrimit. Kejdi Mehmetaj u shpreh se ndonëse Ministria e Arsimit është përpjekur përgjatë gjithë ditës që të mënjanohet nga përgjegjësia e saj ndaj pikave për të cilat kanë protestuar studentët, Ministria e Arsimit, sipas saj, është pikërisht ajo e cila harton politikën përgjegjëse të arsimimit të studentëve shqiptarë. Sipas Mehmetaj, studentët kërkojnë arsim falas pikërisht për shkak të ekonomisë së rënduar që po e karakterizon gjithnjë e më shumë vendin.

Kejdi Mehmetaj për protestën e studentëve

“Dua të shpreh të gjithë solidaritetin tim, por mbi të gjitha përkrahjen dhe entuziazmin që të gjithë shqiptarët kanë fituar falë protestës së studentëve. Mesa duket dhjetori në Shqipëri është i studentëve dhe do të mbesë i tyre për shumë gjatë. Këta studentë arritën këto 2-3 ditë t’u kthejnë besimin shqiptarëve që në këtë vend ka ende shpresë dhe ka njerëz që janë ende të gatshëm të luftojnë për të drejtat e tyre. Ky është një mësim shumë i mirë për të gjithë ne që kur vendimet që merren nën kurrizin tonë na dëmtojnë, ne jemi të zotët që t’i zhbëjmë ato. Dhe kjo protestë është padyshim frymëzuese dhe meriton përkrahjen dhe mirënjohjen e gjithë shoqërisë shqiptare. Protesta është vetëm e studentëve dhe janë ata që kanë fjalën e fundit. Kushdo që ka statusin e studentit dhe kushdo që ka interes për të ardhmen e shëndetshme të studentëve shqiptarë, i është bashkuar asaj proteste dhe duket që nga forma, organizimi dhe çdo gjë tjetër që ata po bëjnë, firma dhe vula është krejtësisht e tyre. Unë sot jam ndier krenare që jam pjesë e Shqipërisë, e asaj Shqipëria që rrit të tillë të rinj e të reja, të cilët sot janë shumë më të pjekur dhe kanë marrë fatet e tyre në dorë për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre”, u shpreh ndër të tjera në këtë intervistë deputetja Mehmetaj. Përsa i përket qëndrimit të LSI-së për arsimin, Mehmetaj u shpreh se: “Unë dhe LSI jemi që arsimi në Shqipëri duhet të jetë falas. Kur themi falas, asnjë para nuk duhet të dalë nga xhepat e studentëve. Nuk flasim për mjete mësimore e kështu me radhë, por nuk duhet të dalin para nga xhepat e studentëve apo dhe familjarëve për fëmijët e tyre të vegjël në arsimin parauniversitar për tu shkolluar. Vendi ka nevojë për një arsim falas, por mbi të gjitha ka nevojë për një arsim cilësor dhe nuk ka arsim cilësor pa u subvencionuar sepse ti duhet të paguash pedagogët, konviktin, universitetin, laboratorët, mjetet e kështu me radhë. Me kalimin e kohës, qeveria kuptoi që këto para më mirë t`i kishte në xhepat e veta sesa tua jepnin dije qytetarëve. Sot, e ka lënë me më pak se ç’ishte në 2013-n.”, tha më tej Mehmetaj.

Vettingu në politikë

Duke komentuar vendimmarrjen e Komisionit të Venecias për Vettingun në politikë, Kejdi Mehmetaj u shpreh se: Së pari, ky nuk ka qenë kushti për t’u kthyer në Parlament, Vettingu i politikës është kushti për t’i kthyer qytetarëve qeverisjen që meritojnë, që do të thotë se qytetarët të kenë mundësi që së pari, se duke u pastruar në vetvete klasa politike, e cila është e lidhur me krimin, e lidhur me drogën, është e lidhur me korrupsionin, padyshim që çlirohet edhe presioni që kanë qytetarët kundrejt shitblerjes së votës apo presionit të administratës publike për ti marrë votën. Pra, Vettingu në politikë që ka një ngjashmëri logjike me Vettingun që po bohet në Drejtësi apo me Vettingun që po bëhet ne Policinë e Shtetit. Komisioni i Venecias e ka thënë qartazi në raportin e tij, janë dy momente të shkruara, momenti i parë që thotë lidhjet e krimit, lidhjen e politikës dhe institucioneve me krimin e organizuar me korrupsionin me persona të papërshtatshëm, që janë një problem alarmant që duhet të marrë zgjidhje ndryshe qytetarët shqiptar nuk do të besojnë më tek institucionet e këtij vendi dhe momenti i dytë kur thotë se kërkesa e opozitës për këtë është tërësisht legjitime.”, është shprehur në lidhje me këtë çështje deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj.

Mandatet dhe braktisja e Parlamentit

Ndërkohë, e pyetur në lidhje me faktin se data 19 janar është afati i fundit për të shkuar në Parlament dhe për të mos djegur mandatet, Kejdi Mehmetaj u shpreh: “Unë jam deputete dhe di që këtë mandat nuk ma ka dhënë as kryetari i Parlamentit, as kryeministri, as qeveria, këtë mandat mua ma kanë dhënë qytetarët shqiptarë. Ajo pjesë e qytetarëve shqiptar që beson tek gjithë aksioni politik që ndërmerr LSI apo e gjithë pjesa tjetër e opozitës. Pra opozitës, mandatin nuk ia ka dhënë asnjë emër i përveçëm, ja kanë dhënë qytetarët shqiptar, ndaj janë qytetarët shqiptarë që do të vendosin se si do të shkojë rruga jonë. Opozita nuk e ka përmendur asnjëherë fjalën bojkot, ka përmendur fjalën marrëdhënie e kushtëzuar me Parlamentin dhe kërkesa është tërësisht legjitime. Të sillemi sikur asgjë nuk ka ndodhur në një parlament ku gjysma e qeverisë nesër mund të jetë pas hekurave për shkak të aferave të rënda korruptive apo edhe lidhjeve me grupet e strukturuara kriminale apo kur deputetëve të mazhorancës, personazhe të rëndësishme brenda mazhorancës, u dalin prova me zë dhe figurë si të përfshirë në skandale korruptive apo dhe të lidhura me krimin e organizuar. Pra, ne këtë po themi, ne nuk mund të jemi fasada e këtij Parlamenti që na njollos të gjithëve.